Borshi, nuk është për ekzibicion është për të pushuar!

 

Nga Ilda Lumani

Eksperiencën e pushimeve në Borsh e kam jetuar si studente, ku kampingu me çadra ishte një aventurë gati e panjohur dhe disi e paragjykuar në atë kohë! 17 vjet më pas u ktheva në Borsh, për të kaluar pushimet në këtë fshat së bashku me familjen! Sigurisht, jo me çadër!

Paraprakisht më lejoni të them se , eksperienca ime nuk është gjithë Borshi, por pjesën time personale dua ta ndaj dhe ta promovoj!

Diku nga pranvera vendosëm të provonim Borshin. Kërkuam në Booking dhe një nga hotelet me përshtypje pozitive ishte Angjelo. Pasi u bindëm se ja vlente e rezervuam që në muajin maj.

 

Çmimi ishte disi i lartë për në Borsh, por ama mëse i merituar! Pas përvojave të shumta në zonën e Bregut, ku pastërtia është mungesa dhe defiçenca më e madhe e hoteleve, më në fund gjeta nje hotel të standardeve europiane! Këtë e them me bindje!

(Duket e ulët të diskutosh këtë pjesë, por është kaq e rëndësishme dhe kaq problematike në Jug, sa një valixhe unë gjithmonë e kam me vete, me çarçafë e peshqirë.)

Deti mandej është Jon! E po ke thënë Jon, i ke thënë të gjitha (☺)

Shumica e pushuesve janë nga Tirana, Gjirokastra, Saranda, mandej polakë, italianë, maqedonas. Rradhët e shezlongëve janë mesatarisht katër dhe çmimet e tyre janë modeste, krahasuar me Dhërmi, Jal, Himarë, Potam a Qeparo, që ështe kaq pranë. Zakonisht janë të përfshira në çmimin e hotelit, dhe nuk shkojnë me shumë se 5 mijë lekë të vjetra. Megjithatë për ata që duan privatësi ka hapësirë për të ngritur çadrën personale!

Faturat në restorante nuk çudisin askënd! Dhe restorantet janë plot!

Nëse je i ri dhe parapëlqen jetën e natës, atëherë Borshi nuk është për ty! Club-et nuk gjallojnë asesi si Jala e Dhërmiu, ato kanë muzikën dhe koktejlet e duhura, por jo ekzebicionin e fshatrave të mësipërm!

Në plazh shoh e tek-tuk takoj të njohur, që siç më tregojnë vijnë së bashku me familjet e shoqëritë e tyre, prej vitesh në Borsh. Në dy nga baret, që unë frekuentoj Olsi, për kafen e mëngjesit dhe Fiesta, që gjendet pranë plazhit, kafja është e preferuara ime “Ama” dhe kjo i bën edhe më të dashura momentet e shkëputjes nga deti.

I vetmi shqetësim për turistët dhe borshiotët vetë është rruga! Gjithë ai breg pak kilomtera i gjatë vijon të jetë një udhë që s’e ka njohur kurrë asfaltin! Të gjithë e shohin dhe e ngrenë si shqetësim. Edhe unë çdo herë pasi kthehesha nga pasditet ngjyrë portokalli dhe pedonalja e mrekullueshme e Qeparoit, e kaloja në mend këtë ide!

Po sikur rruga të bëhet asfalt? Po sikur të bëhet edhe këtu po ajo shëtitore? Po sikur të vërshonin edhe këtu njerëzit si në pedonalen e Qeparojit!

Pastaj them,.. lutem.. dhe jam e qetë që ende nuk është, se ajo rrugë do ta merrte në qafë Borshin!

Takat dhe veshjet mondane nuk janë për këtë vend të bekuar! Blogeret do dështonin në misionin e tyre! Fashionistet nuk do te ndiheshin në abitatin e tyre!

Ama ata që duan të çlodhen, të pushojnë, të shijojnë detin, rrezet, të lexojnë libra (jo për instagram) të luajnë me top, letra, tavëll a çfarë të duan, ata që kanë dëshirë të gëzojnë mëngjeset dhe mbrëmjet pa preokupime make up-i, që duan linotë, të pambuktat, atletet a shapkat atëherë ky është vendi i duhur.

Borshi, nuk është për ekzibicion është për të pushuar!

Previous ArticleNext Article