KreuBusull

Një shëtitje me varkë, përpara se UNESCO “t’i ndalojë”!

 

Ditar udhëtimi/ Me dashuri nga Driloni!

Nga Ilda Lumani

“Dikur këtu ulej Enveri, sot ulem unë! “, më pati thë!në Dritëro Agolli 12 vite më parë teksa shëtisnim në Tushemisht. Në vitet e diktaturës Driloni ishte një mollë e ndaluar për njerëzit. Ai ishte vendi i preferuar i udhëheqjes së vendit, ku kalonin pushimet verore.

Sot, me qindra vetë popullojnë çdo ditë këtë sipërfaqe toke, që duket sikur është pikturuar nga vetë Zoti. Plot pushues zgjedhin pushimet e gjata, të tjerë vijnë për fundjavë, ka nga ato ditorë, apo dhe nga ata, që teksa ikin për në Korçë nuk mund të mos joshen për të bërë një ndalesë në freskinë dhe bukurinë që ky vend ofron. Një ndalesë në Tushemisht është një “must” për eksploruesit e natyrës!

***

Në vitin 2007 Dritëro dhe Sadije Agolli ndodhej në Tushemisht, në pushimet e përvitshme. Në Tiranë politika zjente për çështjen e Presidentit. Kush do të zgjidhej?! Debate që gjithmonë kanë shoqëruar dhe shoqërojnë vendin tonë. Mendimi i tij ishte i vyer, andaj e justifikonte plotësisht vajtjen atje për një bisedë, që në fakt i kapërceu temat politike, dhe u kthye në një rrëfim idilo-romantik, që përfshinte Mokrën , “liqenin që shtrihej si e verdhë veze përpara tij”, siç ma përshkruante shkrimtari dhe mandej shumë nga personazhet e librave të tij, por edhe personazhet e vetë jetës së Dritëroit.

Tushemishti të impononte të mos flisje për politikë. Pikërisht, asaj të cilës Dritëroi i ishte larguar. “Pushimet e para në Pogradec i kam bërë me gruan e parë ruse. Kur u ktheva pas disa vitesh, një nga plakat këtu më tha “Sa mirë që qenka bërë brune gruaja”. I thashë, që është nusja e dytë, se e para ishte ruse! Shumë mirë më tha. Kaun dhe gruan merre nga vendi, thoshin të parët”!

Këto biseda më vinin në mendje këtë fundjavë teksa shëtisja në të bukurin Drilon. Lajmi se ai do të mbrohet nga UNESCO, mendoj se do ta gëzonte shumë Agollin. Ashtu siç ishte i gëzuar edhe varkëtari ynë në shëtitjen e këndshme që bëmë në liqenin plot mjelma, pata e rosa.

“Ja dhe këtë muaj do shëtisim, pastaj nuk ka më varka”, na tregon djaloshi, që çdo ditë shtëtit gati 30 grupe me varkën e tij. E pyes nëse i vjen keq për këtë gjë, pasi do të humbasë punën, por ai nuk i lë kohë mendimit tim, “Do jetë shumë mirë për liqenin. Le t’i heqin të gjitha varka e lokale, pasi fitohet dhe nuk investohet fare në të”.

Teksa flet herë pas here ul kokën, pasi e di që ka degë pemësh pas kokës së tij, dhe ai nuk ka fare nevojë t’i shohë, e di aq mirë itinerarin, sa edhe pse është me kurriz nuk kthehet për të parë. Mua më tërheq bimësia në ujin e gjelbër dhe fus dorën në liqen. “Moss!”, – më thotë, gati me ultimatum varkëtari. “Është aq i pistë sa ti nuk e merr me mend.  Ndaj ju thashë që do jetë shumë mirë që të mbrohet nga UNESCO!

As pastrimi nuk i bëhet!”. Heq dorë nga prekja e liqenit, teksa një zë i një të njohure më thërret nga ishulli, që gjendet në mës të liqenit. Janë disa mikesha, që bashkë me fëmijët e tyre kanë ardhur nga Tirana dhe po bëjnë një piknik në këtë oaz të mrekullueshëm.

Dita është e bukur. Dielli mbi kokat tona është thjesht përkëdhelës. Freskia që ndjen aty të bën të harrosh se je në kulm të gushtit. Mak-maku i rosave na shoqëron, ndërsa ne drejtohemi në një nga restorantet pranë, për të “takuar” mbretëreshën e liqenit, koranin!

P.S Një nga lajmet e mirë të kësaj vere ka qenë fakti se Liqeni i Ohërit do t’i shtohet listës së pasurive botërore të Unesco. Në të përfshihet Pogradeci si Peizazhi i Mbrojtur Ujor dhe Tokësor dhe Driloni, si Monument Kombëtar. 

Tags:

Home Dossier

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF