Postcard nga Voskopoja! Eat… Pray… Love!

 

Nga Ilda Lumani


Merr frymë thellë, çlodh syrin dhe mendjen! Një vizite në Voskopojë nuk është vetëm kulturore, por edhe shpirtërore!
Vizita në kishat historike, të cilat ditën e diel veçanerisht frymojnë prej Meshës dhe vizitorëve, turistëve të shumtë, të magjepsin me historinë e tyre, ndërsa pikturat murale disa shekullore të ngacmojnë mendimet!


Në Tiranë është Gusht, por sapo mbërrin në Voskopojë të duket sikur është pranverë! Lulet në kulmin e tyre janë një befasi për mua! Në shtëpitë e restauruara, apo ato të ndërtuara rishtazi, të cilat na befasojnë për bukurinë që kanë, – të gjithë prej guri, të ndërtuar bukur për t’iu përshtatur klimës malore, ndërsa brenda gjithçka është dru!

Në fakt, në Voskopojë gjen shtëpi moderne, por edhe karakteristike, ku çarçafët e qëndisur, qilimat e shiltetë dëshmojnë fytyrën e vërtetë të traditës së një vendi.


Oborret që rrethojnë shtëpitë të lënë pa frymë! Lule, gjelbërim, ngjyra, gjithçka e sistemuar në perfeksion! Çdo shtëpi të fton të ulesh në ballkonet me shkallët e ulëta dhe të shijosh këtë lulëzim dehës!


Vështirë të gjesh këtë “kopësht botanik” në ndonjë qytet a fshat tjetër të Shqipërisë! Mahnitem!
Shëtitja në fshat, ndalesat tek çezmat e një pasnjëshme është kaq çlodhëse. Mandej restorantet janë plot me miq nga kryeqyteti, Durrësi e Korça!
Një veshje vjeshte për mbrëmjen dhe mëngjesin, në këte vend është gjithmonë një ‘must’ edhe në ditë te nxehta të verës!


Të nesërm e kishim rezervuar për të vizituar Manastirin e Shën Prodhonit! Një vend kaq mistik, që të bën të vetin që në momentin, që ti hyn në portën e tij. Oborri jashtë është gjithë pemë të larta dhe hija që krijohet aty është një mrekulli! Prej tij shihet gjithë Voskopoja!


Hyjmë brenda në Kishë dhe pas riteve të rastit, shijojmë muret e pikturuara që në shekullin e XVII!
Ndihesh aq e mbushur aty!
Si kudo edhe në Shqipëri njerëzit janë ndërgjegjësuar dhe më vjen mirë kur shoh, që respektojnë tabelat për të mos fotografuar brenda Kishës!


Voskopoja është një nga ato vende me historinë më të dhimbshme në vend! Edhe pse një nga qytetet më të zhvilluara qysh në shekullin e XIV, ajo ka njohur 3 djegie; në 1769 nga fiset myslimane shqiptare të Dangëllisë,
në 1788 nga Ali Pasha, dhe ne vitin 1916 nga banda e Sali Butkës!


Dita vijon në ambientet e hotel Akademia, një tjetër oaz gjelbërimi, lulëzimi dhe relaksi! Jeta këtu ka tjetër gumëzhitje! Duket sikur qyteti është zhvendosur aty! Sheh çifte që martohen e të tjerë që celebrojnë ditëlindjet. Fusha e hipizmit aty pranë është një tjetër argëtim, veçanërisht për fëmijët!


Me trupin e freskët dhe mendjen e kthjellët, kthehemi në Tiranë! Ndërsa, shija e kënaqësisë së këtij udhëtimi e sigurt, do të vijojë më gjatë sesa ajo e petullave të fshira, lakrorit dhe mishit të mirë!

Previous ArticleNext Article