KreuBusull

Suela Koçi: Ritmi i një farmacisteje në QSUT

 

Ritmi i një farmacisteje në QSUT, “një qytet brenda qytetit” siç e quan vetë personazhi ynë, Suela Koçi Ylli, është i pangjashëm me atë të së njëjtit profesion jashtë këtij lokacioni. Fluksi që ky institucion ka është një sfidë e përditshme! Por, përpos ngarkesës, zgjidhja e problematikave që njerëzit gjejnë aty, është motivi i përditshëm i Suelës! Pas eksperiencave të ndryshme mbërritja 10 vite më parë në QSUT, qyteti ku prindërit e saj mjekë u investuan gjithë jetën, ishte fillimi i një rrugëtimi plot emocion, i cili pasurohet çdo ditë! Por, jo gjithmonë temat e mjekësisë përfundojnë me orarin zyrtar të punës, herë pas here ato ceken me bashkëshortin e saj, Alban Ylli, një profesionist i Shëndetit Publik. Në këtë bisedë për punën, Suela ndan edhe disa detaje nga jeta e saj personale, si nënë e dy vajzave, apo edhe pasionet e saj!

 Suela, të punosh në një institucion mjekësor të madh, siç është QSUT duket tejet sfiduese. Për ju vetë si është?

Ky institucion së pari dallon në përmasat jashtëzakonisht të mëdha. Ai edhe në organizimin territorial i ngjan një qyteti të vogël. Janë rreth 50 shërbime që funksionojnë dhe secili prej tyre mund të konsiderohet si një ndërmarrje e specializuar mjekësore më vete. Në to punojnë disa mijëra profesionistë infermierë, mjekë, farmacistë e administratorë. Ju ndoshta nuk e dini se çdo vit në QSUT konsultohen rreth 300 000 pacientë në mënyre ambulatore, ndërkohë që regjistrohen 260 000 urgjenca mjekësore e 80 000 shtrime. Të gjithë këto numra dëshmojnë për sfida të jashtëzakonshme në radhë të parë të organizimit, përfshi planifikimin dhe furnizimin e përditshëm me barna dhe pajisje të tjera konsumi mjekësor.

Sa vite keni tashmë në QSUT dhe çfarë ju ka mësuar eksperienca këtu?

E quaj veten me fat që punoj në spitalin universitar më të madh të vendit. Unë punoj prej mbi 10 vitesh në QSUT, dhe krahasuar me punët e tjera që kam bërë më parë, përvoja që kam fituar këtu është e pakrahasueshme. Ndërveprimi me shumë profesionistë të niveleve të ndryshme, nga infermieret e reja, tek profesorët e Universiteti Mjekesor, besoj se të ndihmon shumë në përmirësimin e aftësive të komunikimit (mendoj se racionalizimi i komunikimit do të ndihmonte në shumë fusha në vendin tonë). Gjithashtu, të mos harrojmë se Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza, veç numrit të madh të pacientëve që përballon, i duhet të zgjidhë edhe shumë prej problemeve më të vështira mjekësore në Shqipëri dhe shumë raste të rralla klinike që ndoshta një mjeku apo farmacisti që punon një spital më të vogël, ndoshta nuk do të kish mundësi t’i shihte gjatë gjithë jetës profesionale. Për këtë arsye, puna këtu, më ndihmon vazhdimisht edhe të mësoj shumë të reja të farmacisë klinike.

 

Cilat janë problematikat që hasni ju në punën tuaj?

Pak me parë përmenda volumin e jashtëzakonshëm të punës dhe shumëllojshmërinë e problemeve. Ky mjedis do t’i mësonte kujdo shumë aftësi të reja të përballimit të situatave kur duhet të bësh ‘multitasking’ apo të përmbushësh shumë detyra në të njëjtën kohë. Shpeshherë duhet të harrosh orarin zyrtar dhe të punosh pasdite apo ditët e pushimit, sepse rregullat e menaxhimit të farmacisë jo gjithmonë parashikojnë zgjidhje individuale për rastet urgjente. Për kureshtinë tuaj, po ju them gjithashtu se puna pranë pediatrisë (sëmundjet e fëmijëve), ishte shumë më intensive dhe stresuese sesa administrimi i farmacisë së shërbimit të kirurgjisë maksilo faciale (sëmundjet e gojës dhe të fytyrës), ku punoj tani e ku ka më shumë mundësi për planifikim të qëndrueshëm e më pak urgjenca. Një problem që shpesh është i keqkuptuar apo edhe fare i pakuptuar nga shumëkush, ka të bëjë me përgjegjësitë e mëdha financiare të një profesionisti mjekësor; mjekësia spitalore është  shumë e shtrenjtë dhe barnat, pajisjet e mjetet e tjera të konsumit kirurgjikal kanë një kosto të lartë. Specialistët duhet të përfshihen, veç të tjerash, në shumë detyra komplekse të përllogaritjes, përzgjedhjes dhe administrimit të barnave e pajisjeve shumë të kushtueshme.

Po motivi me të cilin shkoni çdo ditë në punë?

Mund të tingëllojë si klishe por unë sinqerisht nuk besoj se arsyeja e vetme e punës është pagesa, e cila gjithsesi është e rëndësishme për të mbajtur familjen. Kudo ku kam punuar jam përpjekur të gjej motivimin edhe tek rezultatet e punës sime apo ndikimi sado i vogël tek të tjerët.  Spitalet, përfshi edhe spitalin ku unë punoj, ndodh shpesh të kritikohen në publik, ndonjëherë edhe me të drejtë. Nuk jam naive të mos shoh problemet, mangësitë apo sjelljet jo etike. Por megjithatë, kur shoh se ÇDO DITË në QSUT, pavarësisht vështirësive, zgjidhen MIJËRA probleme, nuk ka si të mos gjej një kuptim tek puna që bëj dhe të mos motivohem çdo të hënë në mëngjes.

Ju vini nga një familje “me bluza Të Bardha”! Sa ka ndikuar tek ju Tradita familjare?

Po është e vërtetë. Të dy prindërit e mi kanë punuar në shëndetësi, madje im atë ka qënë edhe drejtor i QSUT rreth 30 vjet më parë. A ka ndikuar kjo? Ndoshta po, megjithëse nuk e di nëse ka qenë thelbësore. Në fakt, motra ime më e madhe ka ndjekur një shkollim dhe një rrugë krejt tjetër në jetë. Ndoshta vizitat që bëja në spital (jo si paciente!) kur isha e vogël apo bisedat që dëgjoja në shtëpi, mund të më ketë ngjallur kureshtinë për një botë misterioze ku mund të përfshihesha edhe unë më vonë. Nëse do të kisha mundësi të zgjidhja kur isha 18 vjeç, do të kisha zgjedhur mjekësinë kudrejt farmacisë, megjithëse nuk besoj se kjo do të më kishte bërë më të pasur apo më të lumtur. Ju jam mirënjohëse prindërve për gjithçka kanë bërë për të më mbështetur në momente delikate, qoftë gjatë universitetit, qoftë më vonë kur kam punuar.

Edhe bashkëshorti juaj i përket këtij sektori në një farë kuptimi. Mjekësia është temë e përditshme e bisedave tuaja?

Ne në shtëpi përpiqemi ta shmangim mjekësinë sa të jetë e mundur më shumë. Jo gjithmonë biem dakord në këtë fushë. Nga se vjen kjo? Ndoshta nga fakti se im shoq merret me shëndet publik dhe është më i fokusuar në temat e mëdha të mjekësisë dhe më pak në episodet e vogla të historive njerëzore, të cilat unë i shoh çdo ditë. A ndoshta është edhe fakti se une jam më pasionante dhe kritike për të metat ndërsa ai më indulgjent e pozitiv. Kështu pra, përpiqemi ta mbajmë larg punën e profesionin nga shtëpia.

Po vajzat tuaja i shihni në të ardhmen në gjurmët tuaja? Cilat janë të dhënat e tyre?

Vajzat e mia Anabel dhe Emili, sapo përfunduan përkatësisht klasën e 9të dhe të 5të, dhe ende nuk e kanë shumë të qartë të ardhmen e tyre në këtë moment. Megjithatë janë në proces tranzicioni. E madhja e ka kaluar tashmë fazën kur dëshironte të bëhej dizenjatore ekskluzive e veshjeve për kafshët shtëpiake. Ndjek një klub voleibolli dhe në të ardhmen do të ndihmojë njerëzit. E vogla, megjithëse e ka një ëndërr në sirtar, sërish nga fusha e kujdesit për kafshët shtëpiake, ka talent në vizatim dhe e përmend me simpati arkitekturën.

Vajza e madhe është adoleshente. Si është kjo përballje mes jush? Si po e menaxhoni ju këtë fazë?

Ajo sapo mbushi 15 vjeç. Në fillim ishte më e vështirë për mua kur më duhej të kuptoja pasiguritë e saj apo të përballesha me kundërshtimin, rebelizmin apo zemërimin e shpejtë, por tani kemi një marrëdhënie shumë më të mirë. Besoj apo shpresoj, ajo ka filluar ta kuptojë se siç është normale për adoleshentët të jenë ndonjëherë rebelë dhe emocionalë, ashtu është normale edhe për prindërit (vetëm mamatë ?) të përpiqen të vendosin disa rregulla apo të shqetësohen për oraret e daljes me shoqet. Nëse do të kisha një këshillë për nënat e tjera, do ishte përpjekja për t’i orientuar fëmijët e kësaj moshe drejt një ekuilibri më të mirë mes kontakteve reale me shokët dhe orëve të shpenzuara në smartphone.

A keni një mentor në punën, jetën tuaj? Kujt ia pranoni mendimet, sugjerimet, këshillat pa kontestim?

Nuk më duket se mund të indentifikoja vetëm një të tillë. Këshillohem ende shpesh me tim atë i cili ka një përvojë shumë të madhe në mjekësi dhe në marrëdhëniet me njerëzit. Gjithashtu, në momente të vështira apo delikate, patjetër i marr mendime edhe bashkëshortit, i cili është më i vjetër se unë, në moshë dhe në profesion. Motra ime megjithëse jeton larg, vijon të më japë këshilla (si motër e madhe që është). Ndërkohë, në punë konsultohem shpesh me kolegë e miq të besuar.

Përtej latinishtes së recetave cilat janë pasionet, Hobet tuaja ?

Së pari më lejoni t’ju them se latinishten qoftë ne farmacistët qoftë mjekët e kemi thjesht një zhargon profesional dhe instrument të komunikimit universal në mjekësi. Pra ju siguroj se kjo gjuhë e vdekur nuk është hobi im. Personalisht më pëlqen të udhëtoj dhe nëse do të kisha mundësi do të kisha udhëtuar më shumë për të parë vende të reja. Dikur, siç besoj edhe shumë shqiptarë të tjerë, kam mundur të shoh më shumë qytete jashtë Shqipërisë sesa brenda saj. Kohët e fundit kjo po ndryshon. Ka shumë vende të bukura për të parë edhe rreth e rrotull nesh. Këtë vit më ka pëlqyer të lexoj sagën e librave të Stieg Larson, nëse kjo mund të quhet hobi. Dhe meqë po flasim për letërsinë që trajton kauzën e grave, dëshiroj sërish të ndaj me lexueset tuaja, se ëndrrat dhe pasionet nuk kanë shumë kohë në dispozicion, për të gjitha ne nënat e reja, që edhe punojmë edhe ‘prindërojmë’ !

 

Tags:

Home Dossier

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF