Kur plaka e moçme merr një super mësim nga një fëmijë 11 vjeç!

Prej 11 vitesh Kosova është shtet, ka qeverinë e saj, kufijtë e saj, simbolet e saj  dhe së fundmi edhe skuadrën e  saj të futbollit. Me gjithë dëshirën e flaktë që rreh në zemrën e çdo kosovari, për të qenë bashkë me Shqipërinë, këtij shteti të ri e të vogël, do t’i duhet të ecë vetë (edhe pse me kokën nga mëma).

Dje u zhvilluan zgjedhjet në Kosovë, ndërsa sot njësoj si në vendet më të zhvilluara të botës, Kosova u gdhi me Kryeministër të ri, proçesi i numërimit të votave zgjati vetëm 12 orë; nuk pati asnjë incident gjatë votimeve; kanditatët pranuan vendimin e sovranit, e i uruan suksese fituesit…

Për ne në Shqipëri ishte gati e pabesueshme teksa u gdhimë mëngjesin e kësaj të hëne  dhe mësuam se në Kosovë u zgjodh Kryeministri. Po si ka mundësi?! Kaq shpejt?! (Tek ne duhen javë, e ndonjëherë edhe muaj) Kanditatët nuk po ofendojnë e akuzojnë njëri tjetrin për vjedhje votash?! Kaq lehtë e pranuan humbjen?! Asnjë incident (plagosje, kanosje, apo edhe vrasje) nuk pati gjatë votimeve?!… E shumë pikëpyetje të tjera me të cilat ne shqiptarët jemi mbarsur në çdo zgjedhje vendore, lokale, apo qoftë edhe në zgjedhjen e administratorit të pallatit…

Me gjithë indiferentizmin që palo politika shqiptare na ka bërë të ndjejmë, askush nuk mund dhe nuk duhet të rrijë indiferent sot ndaj mësimit që na dha simotra jonë; është një ‘zile’ për të gjithë, edhe ata që s’duan të dëgjojnë…

Kjo plakë e moçme 107 vjeçare që quhet Shqipëri ktheu sytë sot nga Kosova 11 vjeçare dhe si e zënë në faj, pasi u lumturua pa masë për qytetarinë që Dardania i tregoi botës, u turpërua, u turpërua fort!!!

Nga Nada Biraçi

Previous ArticleNext Article