KreuCelebrity

Intervistë: Brenda botës së bukur të Xhani Shqerra!

 

Udhëtimet dhe dizajni, arkitektura dhe moda, gastronomia dhe arti, janë disa nga temat që e frymëzojnë autorin dhe prezantuesin Xhani Shqerra për të krijuar botën e tij të bukur. Por, ndryshe nga shumë të tjerë që të bukurën e duan për vete, prezantuesi i Klan Plus ka zgjedhur të sjellë këto ndjesi kaq unike përmes ekranit, duke ndarë me shikuesit një kulturë frymëzuese, e cila ka gjithnjë brenda misionin për të krijuar një botë të bukur tek secili prej nesh. Xhani tregon procesin e krijimit të programit të tij, pritshmëritë e tij në botën e televizionit dhe sa ndihet i rivalizuar nga patentat.

Sezonin e kaluar ‘Bel Mondo’ dha ‘provimin’ në Klan Plus, të cilin duhet thënë që e kaloi më shumë sukses. Si nisi ky sezon i ri?

Ky sezon vjen me i pjekur sigurisht. Mund të them me plot bindje se tashmë është në rrugën e duhur sa i përket aspekteve teknike, si regjia, montazhi etj. Kjo falë përfshirjes se profesionisteve të tjerë në këtë projekt. Aspekt ky shumë i rëndësishëm për mua pasi mbërritja e këtij produkti në publik duhet ti përgjigjet pritshmërisë së tyre dhe mbi të gjitha të respektoj në detaj historinë dhe emociononet e protagonistëve të Bel Mondo, pika e fortë e këtij formati!

Jeni autor dhe moderator i një prej programeve më origjinal ne ekranin shqiptar. Çfarë të nxiti të krijoje ‘Bel Mondo’?

Dashuria për jetën, kërkesa për të bukurën, optimizmin dhe shpresën, pasi unë e dua vendlindjen time dhe ky mision më ka mësuar se nuk jam i vetmi! Çdo takim me personazhet e Bel Mondo është një leksion jete.

Ka pak programe autentike në Shqipëri; ju që tashmë jeni prej vitesh pjesë e televizionit si e arsyetoni këtë mungesë?

Është një fenomen mbarëkombtar, globalizimi preku po ashtu edhe televizionin. Falë teknologjisë tashmë komunikimi është më i shpejtë, më i drejtpërdrejtë, mjafton një klikim dhe ti mund të zbulosh dhe bëhesh spektator i një formati të suksesshëm gjetkë. Për këtë mund të ”fajësojmë” formatin e ”Big Brother”, suksesi i të cilit solli një bashkim të shijes dhe konsumit televiziv të telespektatorit në të gjithë botën. Për një autor apo producent, ky fakt, përkthehet në siguri suksesi dhe shitje produkti!

Do t’ju pëlqente të ishit autor i një patente të huaj? Nëse po cili do të ishte ai program?

Nëse vë veten në rolin e teleshikuesit, gjë që e bëj gjithnjë, deshiroj një televizion që frymëzon, nxit vizione optimiste, elitare, por duke u bazuar në kulturën dhe memorien e një populli. Une jam i ri në këtë sektor dhe për pasojë jam ende te ajo pjesë e dëshirës dhe vullnetit për të renë, risinë, dhe tek guximi. Kam fatin që Klan Plus më ka mbështetur pa asnjë hezitim në këtë sipërmarrje!

Çfarë ju shijon më shumë; të qenit autor i një programi, apo moderator?

Nuk do ta besoja as vetë se do të mjaftonte një edicion i Bel Mondo për tu përfshirë aq shumë në realizimin e një produksioni e që kjo pjesë do të mbizotëronte ndaj moderimit. Ky i fundit ka qenë gjithnjë pjesë e imja, që në vogëli ndaj edhe vjen natërshëm në publik, por të qënurit autor i një formati krejtësisht origjinal më jep mundësinë e të ndjerit i rritur, me më përgjegjësi dhe ndikues në shoqëri!

Dizajn, gastronomi, udhëtime, artizanat, modë, arkitekturë, bukuri, pasione; duket se gjen gjithçka që ka lidhje me stilin e jetës në programin tuaj; si ja del Xhani që të nxjerrë në fund një produkt aq interesant e elitar?

E vlerësoj shumë pikpamjen tuaj dhe në fakt buron pikërisht nga ky fakt. Janë fusha të cilat unë i kam prekur në rrugëtimin e jetës time, ndaj dëshiroj të jem gjithnjë në nivelin e pritshmërisë së publikut, cilido qoftë ai, nga më i vogli tek më i moshuari. Të gjitha këto tema kanë një fije lidhesë që është Vepra e Njeriut. Bota e bukur e këtij formati është Njeriu ndaj fokusi mbetet tek pervoja, vullneti, dëshira, vështirësitë dhe emocionet e tyre teksa ndërtojnë Bel Mondon e tyre!

Cila është ambicja juaj më e madhe sa i përket televizionit? E keni parë ndonjëhere figurën tuaj si ‘showmen’?

Jam rritur me spektaklin, muzikën dhe sigurisht që më përket, por nuk e kam kërkuar një gjë të tillë. Kam preferuar të pjek dalëngadalë përvojën time për të mbërritur në publik në formën më origjinale dhe të natyrshme. Sot mund të them se jam gati për një hap të tillë dhe sigurisht duke mbetur në botën time, atë të muzikës. Një format muzikor do të ishte idealja.

Sa ‘bel’ është Bota e Xhanit? Çfarë ngjyrash ka jeta juaj aktualisht?

Është e mbushur plot ngjyra, pasi dita ime është e mbushur me pasione, sfida, në kërkim të përhershëm të së bukurës, është fat të bësh punën që mbi të gjitha është pasion. Për këtë jam shumë falënderues!

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF