Ermonela Jaho nesër në Tiranë; INTERVISTË ekskluzive për BORDO! 

 

Nga Ilda Lumani

Foto: Fadil Berisha 

Ishte e pamundur të mbaja lotët, teksa Ermonela Jahon e ndoqa në Suor Angelica, në TKOB, në fillim të 2015-ës. Lotët, duartrokitjet, brohoritjet me ovacione për minuta të tëra, i ndodhin çdo publiku në botë, që e ka ndjekur atë… Një emocion të tillë më rrëfeu pak kohë më parë piktori Bashkim Ahmeti, i cili teksa ndiqte “Madam Butterfly”-n e Ermonelës në New York, skicoi siluetën e artistes ‘live’ në disa variante (skica që u botuan në revistën Bordo këtë pranverë).

Ermonela Jaho ka qenë kryefjala e jetës operistike botërore në vitet e fundit! Fuqia e jashtëzakonshme e zërit të saj, brishtësia në të njëjtën kohë, interpretimi emocional e kanë bërë atë të jetë DIVA e muzikës operistike sot në botë!

Me një axhendë tepër të ngjeshur artistike, ajo nuk i ka thënë JO edhe përfshirjes së saj në kauza sociale, duke u bërë Ambasadore e kauzës së YWCA për Shqipërinë! Në kuadër të kësaj iniciative, Ermonela Jaho do të vijë në Tiranë në 20 tetor në një koncert bamirësie!

 

Ermonela, së pari faleminderit që gjetët kohë në kalendarin tuaj të ngjeshur për këtë intervistë. Si është kjo periudhë për ju? A ka nisur sezoni i shfaqjeve dhe cila është skena e rradhës, që ju pret?

Jam në proces pune tërë kohës në fakt. Çdo hap i suksesit mbart një punë shteruese dhe kostante gjithmonë. Suksesi nuk është rastësi. Po e le, të la (si thuhet edhe në gjuhën popullore). Pregatitjet kanë filluar me kohë, por takimet që më presin janë në Barcelonë me operën “Turandot”, regjistrimi i albumit tim me Opera Rara dhe Warner Classic në Nëntor, Concert Gala për dokumentarin që producentët gjermanë kanë krijuar për figurën time, në dhjetor në Londër me Operën “Otello” dhe kështu mbyllet viti 2019… Edhe pse e  jetoj çdo ditë si të jetë unike dhe e fundit.

Përmes Instagramit mësuam se gjatë verës bëtë një tur pushimesh edhe në Shqipëri. Si kaluat? Si ndiheni kur vini në Shqipëri dhe çfarë ju la mbresë në vendet që vizituat?

Unë bëj rrallë pushime por kur vendos është gjithnjë Shqipëria. Është kontakti me rrënjët e tua, familjen etj. Më gjen shpirti paqe. Pastaj shumë gjëra i vlerëson më shumë kur je larg. Natyra e vendit tim nga veriu në jug është një mrekulli hyjnore që duhet të gjithë ta mbajmë dhe të kujdesemi për të.

Profesor Robert Radoja, më ka treguar se dikur ju ishit pjesë e korit në Pallatin e Pionierit! Deri ku ishte caku i ëndrrës suaj në atë kohë?

Pallati i Pionierëve ka qenë një institucion tejet edukativ për fëmijët sepse duke punuar sëbashku kupton vlerën e bashkëpunimit, disiplinës etj. Ëndrra ime filloi atje, por asnjëherë nuk i vura një cak… edhe sot ëndërroj përsëri… Ëndrra që rritet dhe ecën dorë për dorë me Ermonelën në kohë. Pothujase kemi 40 vjet që ecim sëbashku. Mendoj një dashuri e bukur dhe e vërtetë.

Sot që keni arritur të jeni në majë të karrierës operistike si ndiheni?

Majën akoma nuk e kam arritur sepse çdo ditë shoh që gjej dhe zbuloj gjëra të reja ashtu si edhe jeta jonë. Por duke arritur në këtë nivel ku jam tani mendoj që është si rezultat i dedikimit total të asaj që kam dashur dhe ëndërruar që e vogël.

Puna dhe besimi herët a vonë të bëjnë të arrish aty ku shpirti yt gjen liri, në rastin tim këndimi.

2019-a ka qenë një vit tejet i ngarkuar me shfaqje të njëpasnjëshme, mjaft të suksesshme… ndiheni ndonjë moment e lodhur…?

Absolutisht që ndihem e lodhur. Por është si puna e atij alpinistit kur ngjit një mal që ai ka si sfidë. Kur arrin në majë të atij mali i dhemb i tërë trupi por është i lumtur që ajo lodhje ja vlejti.

“Madam Butterfly” një nga kryeveprat operistike, ka qenë edhe një nga rolet tuaja mjaft të vlerësuara nga kritika. Për ju çfarë është ky rol dhe kjo heroinë që ju interpretoni?

Duke lënë mënjanë modestinë nuk është vetëm Butterfly, por edhe opera si Traviata, Suor Angelica etj… Janë të gjitha role ku sinqeriteti, sakrifica, dashuria dhe shpirti i një gruaje rezonon me figurën e gruas shqiptare, mësim i marrë prej nesh nga gjyshet, nënat tona. Janë role ku identifikohen këto vlera që për mua dalin natyrshëm sepse kam qenë dëshmitare por edhe largësia nga familja ime e ka emfatizuar më shumë duke e bërë këndimin tim një ylber ngjyrash të shpirtit tim.

Edhe pse një DIVË e vërtetë, jeni mbresëlënëse në natyrën modeste që të prek, zemërgjerësinë dhe mbështetjen që i jepni njerëzve. A ju ka ndryshuar fama dhe cila gjë ju mban me këmbë në tokë?

Një Artist i mirë është një njeri i mirë. Të rezonosh me miliona njerëz nëpër botë duhet të jesh i vërtetë dhe i sinqertë në atë çka bën. Unë kam pasur dhe kam një empati me njerëzit që është edhe burim energjie që më lidh me ta. Gjithnjë vë veten në vendin e tyre. Jemi qenie sociale.

Ju jeni tashmë Ambasadore e kauzës së YWCA of Albania në betejën kundër kancerit të gjirit e quajtur edhe Kauza e Fjongos Rozë. Sa i rëndësishëm është për ju angazhimi në kauza sociale?

Unë jam pjesë e kësaj shoqërie dhe është mëse natyrale të jem pjesë e kauzave sociale. Secili jep atë që ka mundësi dhe ndoshta vetëm nuk mund të bëjë dot gjëra të mëdha por siç thotë edhe Nënë Tereza duhet çdo gjë të bëhet me një dashuri të madhe. E të qenurit figurë publike tërheq më shumë vëmendje kështu që në këto raste mendoj që edhe emri apo fama e vënë në shërbim të drejtë ka një vlerë më të madhe sesa egoja personale.

Çfarë ju ka nxitur që të vendosni emrin dhe imazhin tuaj e t’i bashkoheni vullnetarisht një kauze të tillë në rolin e ambasadores së YWCA of Albania?

Jetojmë në një shoqëri ku çdo gjë që ndodh përreth, na ndikon në jetën tonë të përditshme. Gratë punojnë pa pushim, në familje e jashtë saj, dhe impenjimi i tyre është kaq i madh saqë shpesh harrojnë të kujdesen për veten e tyre. Një ndër fenomenet që ndodh në tërë botën është ajo e kancerit të gjirit. Në kohën e elektronikës, informacioni është aty por koha për ta marrë seriozisht nuk mjafton asnjëherë derisa arrihet në pikën që është tepër vonë. Mjafton sensibilizimi dhe njohja e kësaj sëmundjeje për të parandaluar më të keqen.

Kam humbur shoqe të miat nga kjo gjë dhe kur flitej për këtë fakt sikur ekziston një lloj barriere për të mos e pranuar, mosnjohja, etj… Kështu që vendosa të bëhesha pjesë e kësaj kauze dhe menjëherë ditën e nesërme kam vajtur kam bërë unë vetë kontrollin e para.

Ndërgjegjësimi dhe informimi rreth kancerit të gjirit jo vetëm është hapi i parë por mund të ndihmojë në diagnostikimin e hershëm dhe kësisoj në rritjen e mundësisë për t’i mbijetuar kancerit të gjirit.

Keni njohur apo takuar ndonjë zonjë që ka kaluar kancerin e gjirit? Çfarë mesazhi keni për gratë e diagnostikuara me kancer në gji?

Kam njohur dhe dikush prej tyre që e ka kapur në kohë ka arritur të shpëtojë, dikush tjetër nuk është më.

Mesazhi im është që qeniet humane nuk janë perfekte dhe secili prej nesh është unik. Ky fenomen në ditët e sotme është diçka pothuajse normale dhe nuk duhet pasur turp të bëhet kontrolli i vazhdueshëm jo vetëm tek mjeku por edhe duke u vetë-kontrolluar.

Po për gratë në përgjithësi, cili është mesazhi juaj si Ambasadore e YWCA of Albania?

Për të gjitha gratë dhe vajzat shqiptare mesazhi im si Ambasadore e Kauzës së Fjongos Rozë është dy-planësh:

  • Informohuni dhe Kontrollohuni, sepse Diagnostikimi i hershëm mund t’ju shpëtojë jetën.

Dhe

  • Bashkojuni Kauzës kundër Kancerit të Gjirit në mbështetje të grave të diagnostikuara dhe familjeve të tyre.

Fushata e YWCA of Albania këtë vit për Kauzën e Fjongos Rozë do të përmbyllet me koncertin tuaj, shumë të mirëpritur në Tiranë, i cili ka një qëllim humanitar. A mund të na tregoni më shumë si është konceptuar ky koncert bamirësie?

Ky koncert, ashtu si edhe koncertet e tjera të bëra për kauza sociale, është konceptuar që të këtë elemente shumë-planësh; ndërgjegjësimi dhe informimi rreth kancerit të gjirit dhe rëndësisë së zbulimit të hershëm të tij; dëshmi të vajzave, nënat e të cilave i kanë mbijetuar kancerit të gjirit dhe historia dhe mesazhi i tyre inkurajues për nënat dhe vajzat e tjera.

Të gjitha të ardhurat nga ky Koncert do të shkojnë për Krijimin e Qendrës për Mbështetje Psikosociale dhe Ligjore të grave të diagnostikuara dhe nën trajtim mjekësor si dhe familjeve të tyre, gjë e cila pothuajse mungon ose është në faza krejt infantile.

Ky koncert ka bashkuar shumë forca dhe ndër të tjera artiste femra, ku në mënyrë simbolike secila prej nesh do japë kontributin e saj. Është Vikena Kamenica që njohim të gjithë, Elda Laro pianiste e mrekullueshme, Paola Jaho një pianiste e re e talentuar dhe unë…. Koncerti do të jetë një orë me muzikë, histori, dhe plot dashuri…

Ju mirëpres të gjithëve me datën 22 tetor tek Kisha Ortodokse në Tiranë.

Ermonela, keni prekur skenat më me emër në botë… Çfarë ëndrre keni në këtë moment?

Kur kthej kokën prapa shoh një rrugëtim të gjatë por që nuk ka mbaruar akoma. Unë ëndërroj çdo ditë dhe çdo ditë kërkoj të bëj më të mirën time në çdo drejtim. Nuk kam asnjë pritshmëri nga askush dhe asgjë përveçse nga vetja ime.

Një soprano dhe një inxhinier me çfarë “gjuhe” flasin ?

Me gjuhën e zemrës.

Ermonela, si është jeta e një DIVE si ju? E keni një rutinë ditore apo asnjë ditë nuk i ngjan tjetrës?

Çdo ditë është ditë e re dhe njëra nuk i ngjan tjetrës. Më vjen për të qeshur fjala DIVË… Sepse duket sikur çdo gjë është jetë luksi dhe ti jeton në të qoftë profesionalisht apo në familje… Është e kundërta pasi përgjegjësia është akoma më e madhe dhe puna gjithashtu, qoftë ajo familjare dhe profesionale.

Cila është veprimtaria antistres për ju? Çfarë ju relakson?

Aktiviteti fizik, i cili është vendimtar edhe për këndimin, leximi, shëtitja, meditimi, kujdesi për njerëzit e familjes.

Ku frymëzoheni?

Nga jeta e përditshme.

Përqafime lexues të dashur dhe mirutakofshim në Tiranë!

 

Previous ArticleNext Article