KreuCelebrity

Ermonela Jaho me gazetarët: Jam këtu si artiste, si grua, si motër, si hallë në mbështetje të grave

Nga Ilda Lumani / Fotografia: Fani Aliko

Mëngjesin e sotëm Ermonela Jaho, jua kishte rezervuar gazetarëve në Tiranë. E ndajnë vetëm pak orë nga koncerti i pasdites, që do të mbajë në Qendrën Kulturore të Kishës Orthodokse. Është një koncert bamirësie, dedikuar Kauzës së Fjongos Rozë, që e organizon YWCA, për sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin e kancerit të gjirit.

Elegante, e veshur me një fustan blu, dhe syzet optike, që përpiqen të fshehin lodhjen e udhëtimit (dje pas orës 18:00 ka mbërritur pas një tjetër shfaqjeje nga Spanja në Tiranë), ajo takon e përqafon kolegët, teksa nuk pranon që në ekranin pas kurrizit të saj të shfaqet emri i saj. “Unë nuk po e bëj këtë koncert për vete. Po e bëj për mbështejen e Kuazës dhe duhet të jetë ajo logo nga pas”, – thotë e vendosur. Teknikët nxitojnë për të vënë në jetë planin B, teksa koleget e mia i drejtohen me fjalën DIVA. “Nuk jam DIVA, unë jam me këmbë në tokë, jam pa këpucë fare… në shesh”, thotë Ermonela, një pohim, që ma kishte bërë edhe në intervistën e këtij numri për kopertinën e revistës BORDO.

Ka mobilizuar një grup grash profesioniste për koncertin e saj sot në mbrëmje, Vikena Kamenica, pianistet Elda Laro dhe Paola Jaho (mbesë e artistes), e së fundmi i është bashkuar dhe balerina Enada Hoxha.

“Jam këtu si artiste, si grua, si motër, si hallë, për të dhënë kontributin tim në mbështetje dhe ndërgjegjësim të grave për kancerin e gjirit. Zakonisht gratë kanë turp ta thonë që kanë këtë sëmundje, ndërkohë turp duhet të kesh nga të tjera gjëra! Do përpiqemi që sadopak të ndihmojmë në këtë drejtim. Ndoshta puna jonë është një pikë uji në oqean, por ama edhe një pikë uji nëse pikon pa ndërprerje mund të çpojë një gur”, u shpreh ajo gjatë konferencës, ku nuk nguroji të tregonte se dy mikesha të saj kanë humbur jetën vetëm dy muaj më parë nga kjo sëmundje! Të menduarit pozitiv, dhe përpjekja për të bërë më të mirën, e parë gjithmonë me syrin e pozitivitetit ishin mesazhet për të cilat Jaho këmbënguli fort në bisedën me gazetarët. Ajo u shpreh se besonte fort se siç u organizua ky koncert, siç u bënë bashkë këto gra artiste, publiku që bleu biletat në kohë rekord në mbështetje të kësaj Kauze, ashtu mund të bëhen mjaft gjëra të mira!

“Kam ardhur me kosto zero. I gjithë ky koncert është bamirësie. Të gjithë bashkë mund të bëjmë diçka. Vetëm, askush nuk mund t’ia dalë. Me artin tim dua të ndihmoj këtë Kauzë”, tregoji sopanoja, e cila iu referua edhe modelit shqiptar, frymëzes për të gjithë Nënë Tereza se “jo të gjithë mund të bëjmë gjëra të mëdha, por edhe gjërat e vogla nëse i bëjmë me dashuri, mund të shndërohën në gjëra të mëdha!”

Me një axhendë tepër të ngjeshur, DIVA Ermonela Jaho, e rikthyer pas gati tre vitesh në Shqipëri, që në çdo fjali të saj tregonte vetëm modesti do të interpretojë sot në mbrëmje pjesë nga disa prej kryeveprave botërore, mes të cilave një nga rolet më të suksesshëm të saj “Madam Butterfly”, ndërsa pas koncertit nesër në mëngjes do të marrë avionin për të vijuar me rolin dhe skenën e rradhës, që sigurisht i përket asaj botërore.

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF