KreuCelebrity

Ekskluzive/ Përjetimi i festave për Rudina Dembacaj

Një rrëfim i sinqertë në vigjiljen e festave, mes kujtimeve të fëmijërisë, bekimit që Zoti i ka dhënë për të qenë nënë e lumtur e artiste e plotësuar…

Nga Olsi Kolami

Fotografia: Fani Aliko

Rrugët e lagështa të Tiranës kanë nisur të ngrohen nga dritat vezulluese. Pas xhamit të ftohtë, ndihet dihatja e butë e frymës së Viktorias, e cila qëndron në pjesën e pasme të makinës. Në asnjë ditë më shumë sesa sot, shprehja “Mos i fol shoferit”, nuk do të ishte aq rigoroze për Rudina Dembacaj. Në timon, me një vështrim në rrugët plot trafik, e një tjetër duke këqyrë të bijën, e cila ndjek me sy ndriçimin e dekorit të qytetit që ndryshon në çdo segment. Fryma e festave nuk është aspak turbulluese për Rudinën, përkundrazi, është nga ato periudha të vitit që mezi e pret, sepse më shumë se çdo herë tjetër do të jetë më pranë njerëzve më të dashur me kohë të plotë.

Kur e pyet sesi kanë qenë festat e vegjëlisë, pa u menduar fare, me një buzëqeshje të madhe, teksa pulit sytë me një lloj dëlirësie fëmijërore, kthehet pas në kohë. “Ah, festat! Për mua fëmijë, ato nisnin në Lezhë, e kulmonin në Vlorë tek familja e gjyshit. Gjatë ditës prisnim letrat me ngjyra për të krijuar zinxhirë që i varnim në shtëpi, zbukuronim pemën me pambuk si flokë bore. Pastaj daja na nxirrte shëtitje me makinë në qytet. Mezi prisja që makina të ndalonte.

E dija që do të zbrisnim në një ëmbëltore ku do të na jepte parfe me akullore, që ishte një luks për çdo fëmijë në dimër. Darkave organizoja koncertin e familjes, ku unë gjithmonë isha protagoniste, duke prezantuar, kënduar e interpretuar”- kujton Rudina. Për të duket sikur gjithçka ka ndodhur dje, mjafton të hapë derën e kujtesës dhe mijëra kujtime shfaqen të pastra nga e shkuara. Nuk e fsheh, ishte një periudhë e bukur, mbushur me momente emocionuese. Çastet kur takonte të afërmit më të dashur, me të cilët mblidheshin për darkën e vitit të ri, derisa prisnin me sytë e përgjumur ndërrimin e viteve.

E kujton me nostalgji kohën që ka kaluar në Vlorë, e pastaj kur mblidheshin në fshatin e xhaxhait në Lezhë, një darkë festive me farefisin. Babai i saj ka qenë gjithmonë fryma e festave në familje, sepse siç kujton Rudina, ai ishte organizativ, i jepte gjallëri tavolinës, e pastaj ja merrnin të gjithë me këngë e valle, aq sa ajo ende e përjeton emocionin e atyre netëve të fund vitit.  Nuk e mohon se Vlora ka një vend të veçantë në periudhën e kujtimeve të Vitit të Ri. “Shtëpia e gjyshit ka një pemë ulliri të madhe dhe një portokalle. Edhe pse ishte shumë i tharët, e ruanim atë portokalle për festa, për të pritur momentin kur i këputnim nga pema”- kujton aktorja e njohur e humorit.

Kur nisi studimet e larta, si shumë të rinj, nuk e mohon që argëtimi me moshatarët zinte një vend të rëndësishëm, sidomos pas orës 12 të natës, kur i duhej të linte tavolinën, por asnjëherë nuk ka lënë pas dore kohën e bukur që ka kaluar pranë njerëzve të familjes.

“Kur kujtoj kohën që kam kaluar fëmijërinë, shoh që shumë gjëra nuk janë më si dikur, ndaj më vjen keq që Viktoria ka vetëm Hanën, mbesën time. Do të më vinte mirë të mblidheshim dhe të përjetonim atë atmosferë bashkë me farefisin”- thotë Rudina.

E kur mendon Krishtlindjen, nuk ka sesi të mos të vijë në mendje aroma e ushqimeve që gatuhen në këtë ditë. Rudina është nga ato që nuk përton të gatuajë, madje i pëlqen të eksperimentojë, aq më tepër për festa, por siç edhe e thotë me sinqeritet, recetat tradicionale ia ka besuar gjithmonë të ëmës.

Edhe pse vjen nga një familje me traditë myslimane, Krishtlindja për aktoren ka shumë kuptim, sepse është pagëzuar dhe shkon në kishë, sidomos në Shkodër, një qytet që e mban atë të lidhur ende fort pas vetes. Dashje pa dashje, Rudina rrëfen se është besimtare, përmes një historie personale. Kishte vendosur të sillte në jetë Viktorian përmes lindjes natyrale, kishte ruajtur një regjim ushqimor, kishte bërë joga dhe ishte gati, por gjithçka ndryshoi papritur. “Zoti më dha një sinjal që Viktoria duhet të lindte në datën 28 Dhjetor, ndryshe nga sa e kisha parashikuar për shkak të një komplikacioni, vendosa të shkoj në spital për të lindur vajzën. Ajo erdhi në jetë me shëndet”- kujton ajo.

E sidomos në këtë periudhë festash, një arsye më shumë për të festuar është ditëlindja e së bijës Viktoria, e cila ka ardhur në jetë në një periudhë mbushur me drita, gëzim, emocione, edhe dhurata, ku gjithmonë në vendin e parë është e bija Viktoria dhe e mbesa Hana, për të cilat bën gjithmonë maksimumin që ato ndihen të lumtura.

Në këtë periudhë të vitit, kur të gjithë vrapojnë të kapin frymën e festave, Rudina duhet të largohet për regjistrimin e programit të saj, duke thënë: Faleminderit Zotit! Jam një nënë e lumtur! Aty kupton se ke parasysh një vajzë të butë dhe të brishtë, ndryshe nga imazhi që kemi krijuar nga Rudina e “Mos i Fol Shoferit”. Ndaj, ju them, se tani keni 1001 arsye për të folur me të, sepse keni shumë, po shumë për të mësuar…!

Marrë nga Revista Bordo, numri Dhjetor 2018- Janar 2019

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF