KreuFashion

Një udhëtim drejt Brezovicës, perlës së Ballkanit!

 

Udhëtim në Bredhon, skajin e bjeshkëve të Sharrit në Kosovë, për një fundjavë të paqtë mes bardhësisë së paqtë dhe adrenalinës së sporteve dimërore

Rreth 55 kilometra në jug të Prishtinës, stuhitë përplasen në këmbët e malit të Sharrit, kreshtat janë tërësisht të zbardhura nga dëbora që me fillimin e dimrit, duke krijuar një panorama tipike të Brecovicës. Ky vend i vogël, në formë diamanti, është i rrethuar nga maja malesh madhështore, duke e bërë atë një nga destinacionet më të habitshme të sporteve dimërore në Evropë. Emri Brezovicë nënkupton pemën e bredhit, ndaj edhe për vendasit njihet ndryshe si Bredhon, kjo për faktin se pjesa më e madhe e terrenit është e mbuluar me bredha, që janë tipikë për klimën dhe pjesë e pandashme e panoramës.

Shumë nuk e njohin ende bukurinë dhe misterin e Brecovicës, me një natyrë të paprekur ende nga dora e njeriut, në lartësi 2212 metra mbi nivelin e detit aty duket sikur gjen një strehë ideale për të kaluar një fundjavë të qetë, larg zhurmës së qytetit, por edhe plot adrenalinë nëse je i apasionuar pas sporteve dimërore. E shtrirë mes maleve të Sharrit dhe bjeshkëve më të largëta shqiptare, aty mahnitesh nga bukuria e peisazhit, bardhësia e dëborës, pllajat e tejskajshme që duket sikur nuk mbarojnë, sepse bora qëndron gjatë në këtë vend, duke krijuar një mirazh të bardhë, i cili shkëputet aty-këtu nga ujëra që rrjedhin nga malet, bimësia e larmishme dhe shtigje alpine, prej nga zbresin ata që i duan sportet dimërore.

Nëse doni të niseni nga Tirana udhëtimi zgjas rreth 2 orë deri në Prizren, e më pas 90 minuta të tjera drejt Brezovicës, ndaj edhe planifikoni nje fundjavë pushimi, jo thjesht një ditë, sepse nuk do të mund të shijoni sa duhet vendin me sportet, kulturën apo eksperiencat e kulinarisë.

Aventura dimërore

Qendra e skive të Brezovicës u ndërtua në fillimin e viteve 80-të dhe menjëherë u shndërua në destinacionin e preferuar të elitës jugosllave, madje do të shërbente si alterantivë për Lojrat Olimpike të Sarajevës në vitin 1984, pasi shpatet e maleve u regjistruan zyrtarisht nga Federata Ndërkombëtare e Skijimit. Nga 9 teleferikët ekzistues, sot vetëm 5 punojnë, shumica janë të vjetër por i japin akses një terreni mjaft të përshtatshëm për skijim, por edhe për ata që nuk e njohin si sport, shëtitja me teleferik të bën të shijosh panoramën madhështore të Maleve të Sharrit dhe të thithësh ajrin e pastër të bjeshkëve.

Brezovica ka nëntë pistë skish gjithsej 16 km. Hapësira e qendrës së skijimit është rreth 2500 hektarë me një lartësinë mbidetare nga 1718 deri 2522 metra. Brenda kësaj hapësire shtigjet e skijimit kanë një lakueshmëri mesatare prej 38%.  Bileta ditore kushton 10 € dhe është e vlefshme në të gjitha teleferikët.

Këtu gjenden çmimet më të lira, krahasuar me terrene të ngjashme alpine. Mund të zgjidhni hotel “Sharri”, i  njohur nga të gjithë si Hotel “Partizani” ofron akomodim të thjeshtë e të ngrohtë, por mund të gjeni edhe çmime akoma më të lira deri në 10 € nata. Ata që duan akomodim cilësor mund të rezervoni në hotel “Woodland”, me vendodhje strategjike në zemër të resortit ku mund të prenotoni dhoma panormike me hidromasazh duke filluar nga 70 € nata.

Në kthim mund të bëni një ndalesë në Prizren, ku mund të shijoni një qytezë të mbushur me culture si dhe vende për blerje, ku spikasin produktet vendase, nga antikuaret e deri tek punimet e tejzgjahut dhe drurit, të cilat mund të jenë një shenjues unik për këtë udhëtim në zonën më alpine të Kosovës.

Çfarë të hash?

Restorantet e vogla të Brezovicës përgatisin ushqim të shijshëm, me bazë mishin dhe specialitete malore, por nuk mungojnë dhe picat apo pjata të guzhinës ndërkombëtare, shoqëruar me raki shtëpie dhe ujë të akullt e të lehtë që rrjedh nga mali i Sharrit nga i cili mund të pini sa të doni! Por mos harroni të porositni edhe ushqimet tradicionale vendase, si byreku apo flija, mishi i qengjit apo suxhuku i famshëm, po ashtu edhe produktet e bulmetit, si djathi apo kajmaku, e deri tek turshitë. Ndërsa për pijedashësit, tradita e shkëlqyer e prodhimit të verës mbetet një experience unike.

 

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF