KreuCelebrity

Ekskluzive/ Fatma dhe Alfio: Ne dy fëmijë të lumtur që presim Babagjyshin 

 

 

Nga Nada Biraçi 

Fotografia: Fani Aliko 

Nuk dimë të themi cili është më fatlumi prej të dyve; Alfio që  bëri për vete çapkënen e të ëmblën e ekranit, apo Fatma që i fali zemrën shefit simpatik, i cili nuk lë rast pa e vënë partneren e tij në qendër të botës…

Pështjellimit të emocioneve kur Fatma mësoi se është shtatzënë  do t’i jepte ‘zgjidhje’ ngazëllimi dhe përlotja e Alfios, kur me një frymë ja behu në shtëpi pas një rrengu që partnerja e tij i bëri për t’i dhënë lajmin e madh. Pasi mori një mesazh se Fatma nuk po ndihet mirë, Alfio mbajti frymën për në shtëpi, i bindur se do të gjejë në shtrat ‘të sëmurën’: 

“Në shtëpi nuk gjeti Fatmën e sëmurë por një kuti të vogël me lajmin e madh brenda dhe një palë këpucë bebesh. Nuk  do ta harroj kurrë fytyrën e Alfios dhe sytë gjithë lot. Unë aty kuptova sa më lumturon lumturia e Alfios”; kujton mami Fatma portetin e Alfios kur mësoi për herë të parë për ngjarjen e bukur që po ndodhte në jetën e tyre. Pas asaj dite çdo gjë do të ndryshonte në bashkëjetesën e çifit të njohur, që nga epitetet përkëdhelëse që tani janë zëvendësuar me ‘mami Fatma’ e ‘babi Alfio’, e deri tek luhatjet e humorit të shpeshta të mamit në pritje, nepset për ushqime të çuditshme në periudha e  orare edhe më të çuditshme; ‘uf-et’ e Fatmës sa herë del para pasqyrës teksa tenton të veshë një palë pantallona të cilat sigurisht nuk i bëjnë më; por që në fund destinacioni është një dhe i vetëm; Fatma dhe Alfio mezi po presin takimin më të rëndësishëm të jetës së tyre me beben Rrotani! 

FATMA:  Lumturia nuk dashka plane.

Në këtë intervistë nuk je moderatore Fatma, por mami Fatma! Si ndihesh me këtë ‘epitet’, ke filluar të mësohesh? 

Të them të drejtën akoma më duket e çuditshme kur më thonë ‘mami Fatma’ edhe pse mezi po e pres. Kanë  filluar të ma thonë shpesh miqtë dhe të afërmit që edhe të më përgatisin ndopak. Më kanë vënë epitete shumë të bukura në jetë njerëzit që më kanë rrethuar, por ky është definitivisht më i ëmbli, sa më shumë e dëgjoj aq më shumë më pëlqen.

Edhe pak ditë na ndajnë nga takimi me bebushin; keni bërë çdo gjë gati, apo je mami supersticioze? 

Une nuk kam qene kurrë natyrë supersticioze dhe shyqyr as pritja e ëmbël nuk më bëri të tillë. Vazhdoj të jem Fatma që i pret gjërat krahëhapur dhe dua të marr më të mirën nga çdo situatë e ndjesi. Një pjesë të gjërave i kemi bërë gati, dhurata kemi marrë plot. Mendoj se jemi gati, me përjashtim të emocioneve që nuk i kemi fare nën kontroll. Unë dhe Alfio jemi si dy fëmijë të lumtur që presin Babagjyshin.

Duke qenë se je në fund të këtij rrugëtimi të pritjes së ëmbël; a ka qenë me të vërtetë e tillë për Fatmën? 

Të ma bëje këtë pyetje 3 muajt e parë, as nuk dua ta mendoj se çfarë do të thoja (Qesh). I kemi kaluar të gjitha, e kemi gdhirë pa gjumë me dhimbje koke, me të vjella, me veshjet që nuk më bënin nga dita në ditë, por le të themi që ishin gjëra të përballueshme. Ne fund kjo pritje është bërë çdo muaj dhe më e ëmbël.

Mund të ndash me ne momentin kur mësove se ishe shtatzënë? Cilat ishin ndjesitë, mendimet? 

Sigurisht që nuk e besova! Ishte diçka e papritur për të dy, por e dëshiruar nga të dy. Në letrat e bukura të dashurisë  që më  shkruan Alfio shprehte gjithmonë dëshirën për një bebush. Unë fillova të qaja, isha vetëm, nuk e ndava me askënd sepse doja të sigurohesha, isha shumë e lumtur por edhe e shokuar në të njëjtën kohë.

Në ç’mënyrë ja the Alfios? Cili qau më shumë nga të dy? 

Në mënyrën time aspak normale. E solla me shpejtësi të frikshme në shtëpi duke e gënjyer që isha sëmurë. Në shtëpi nuk gjeti Fatmën e sëmurë por një kuti të vogël me lajmin e madh brenda dhe një palë këpucë bebesh. Nuk  do ta harroj kurrë fytyrën e Alfios dhe sytë gjithë lot. Unë aty kuptova sa më lumturon lumturia e Alfios.

Nepset si kanë qenë për Fatmën, cili ka qenë ushqimi më i çuditshëm që të ka shijuar shumë këtë periudhë? 

Pasi kalova fazën e parë vetëm me bukë, djathë dhe domate (Qesh) kam filluar të ha ushqime që më herët nuk i konsideroja fare. Sigurisht ka patur dhe kërkesa të tipit hurma në mes të qershorit ose ‘spring rolls’ në mes të natës.

A je tipi i mamit në pritje që ka mbledhur një bibliotekë me libra për shtatzëninë e bebat, apo ke preferuar të mos e ‘panikosh’ veten? 

Jo fare! Unë i dua shumë librat por nuk kam asnjë libër shtatzënie në shtëpi. Kam dy enciklopedi për këtë çështje që janë gjithmonë në gadishmëri; mamin e Alfios dhe mamin tim. Jemi të gjithë shumë entuziastë dhe s’kemi lënë vend për panik fare (Qesh).

Si e mendon Alfion si babi? Cili prej jush do të jetë prindi tolerant, e cili i rrepti? 

Tani nuk i them më as zemër, as amore; i them babi Alfio se i pëlqen shumë ky epiteti i ri (Qesh). Unë e kam thënë Alfio është recetë lumturie, janë të bekuar njerëzit që e kanë afër. Përkushtimi, kujdesi aftësia për t’a bërë çdo gjë të funskionojë e shumë të tjera do e bëjnë babin më të mirë në botë.  E kemi ndarë me marrëveshje që babi do jetë i rrepti, por nuk  e di sa do ja dalim.

Pak ditë më parë festove 25 vjetorin e lindjes, nëse do të të pyesja disa vite më parë se si e sheh veten 25 vjeç, a mendon se përgjigja do të përkonte me realitetin që ti je tani? 

Jo fare, përkundrazi do më dukej sikur po flas për një tjetër person (Qesh).  Në fakt unë nuk kam qenë asnjëherë e mirë me planet, dhe gjërat që të bëjnë të lumtur, të qeshësh dhe të mbushin me dashuri, as nuk ke pse i mendon dy herë. Falë Zotit po jetoj një periudhë më shumë  se të mrekullueshme që as nuk e kisha menduar ndonjëherë. Mesa duket lumturia nuk dashka plane.

Dimë që në shtëpinë tuaj ka një listë detyrimesh që kryesisht shkojnë për Alfion; e ke përditësuar listën këto kohë gjatë pritjes së bebit? 

(Qesh) këto kohë ajo lista për fatin e mirë të Alfios u harrua fare. Po e kam bezdisur aq shumë me kërkesa ushqimesh dhe me luhatjet e mia të emocioneve saqë një listë tjetër do ishte e tepërt (Qesh)

Megjithatë fansave me siguri ju mungon Fatma moderatore. Kur do të të shohim sërish në ekran?  

Nuk e kam menduar kurrë që do më shkruanin kaq shumë dhe do e ndjenin mungesën time lloj lloj grupmoshash. Madje donjëherë më duket sikur kanë ngatërruar adresë kur shoh aq shumë sms hahha. Unë po marr propozime më shumë tani sesa kur isha pa angazhime të tilla hahha le të themi që nuk do vonoj shumë.

ALFIO: Bebi qershia mbi tortë e jetës time 

Si ndihesh kur të thonë babi Alfio? 

Gjithmonë kam dashur të kem familjen time, të bëhem baba por nuk e kisha imagjinuar që do ishte një lumturi e tillë kaq e madhe dhe e pashpjegueshme.  Është ndjesia më e bukur në botë, mezi pres ta dëgjoj të më thotë bebi.

Je tipi i burrit që e shoqëron partneren në çdo vizitë tek gjinekologu? 

Unë kam qejf të shkoj kudo me Fatmën e aq më tepër për të parë bebin. Madje të ishte për mua do bënim eko çdo javë ta shihja sa më shpesh.

Çfarë ndjeve kur dëgjuat rrahjet e para të zemrës së bebit? 

Është gjithmonë i njëjti emocion, më merr malli ta dëgjoj apo ta shoh si lëviz sa dalim nga vizita. Më kishin thënë që do emocionohesha shumë dhe ashtu ndodhi. M’u duk sikur më pushoi zemra nga lumturia.

Duke e ditur që je një djalë romantik, e që i bën shpesh surpriza Fatmës; me siguri ke menduar diçka si ‘shpërblim’ për dhuratën e madhe që ajo do të japi pas pak ditësh?

Zoti është treguar shumë i mirë me mua, më dhuroi Fatmën, tani një bebush me njeriun që dua më shumë në këtë botë. Kam menduar diçka por surprizën nuk do ta tregoj se do e lexojë Fatma intervistën (Qesh).

Dihet që gratë shtatzëna kanë teka, apo luhatje humori; si e ka ‘përballuar’ Alfio këtë pjesë këto muaj? 

Fatma ka patur teka edhe kur nuk ishte shtatzënë (Qesh) kemi patur momente të çuditshme por i kemi kaluar me shumë të qeshura e dashuri.

Mund të ndash me ne në mënyrë sekrete ?  diçka  që të ka ‘bezdisur’ më shumë tek Fatma gjatë shtatzënisë? 

Uff ka shumë! Ankohej për rrobat që nuk i vinin, për kilogramët që shtonte, kërkonte ushqime të çuditshme, e zinte gjumi kudo dhe kurdo. Por siç thashë më lart të gjitha këto i kemi kaluar shumë bukur.

Je shprehur për Fatmën që është ingredienti sekret në recetën e lumturisë; po bebi çfarë ingredienti do të jetë ?  

Është qershia mbi tortë e jetës time.

Si e mendon Fatmën si mami? 

Fatmën që kur e kam parë për herë të parë e dija që ishte e duhura, thjesht e dija, ishte diçka më e fortë se unë. Do jetë një super mami, edhe pse çuni do dojë më shumë babin (Qesh).

Keni menduar për emrin?  

Boboo ja përshembull,  për këtë arsye diskutojmë shumë me Fatmën dhe nuk po biem dakord për emrin fare.

Të pëlqen familja e madhe, me shumë fëmijë, apo një familje e vogël? Pra sa fëmijë do kenë Rrotanët? 

Familja është e shenjtë për mua, jam rritur në një familje me shumë dashuri dhe dua të ndërtoj dhe vetë një të tillë. Përshembull një motër dua t’ja bëj direkt çunit (Qesh).

 

 

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF