Ekskluzive: Bulzat e Bojken Lakos

Misioni i artistit në kërkim të talenteve të reja dhe promovimi i atyre që pritet të revolucionarizojnë muzikën shqiptare

Nga Olsi Kolami – Fotografia: Ergys Zhabjaku 

Dielli shkëlqen ende në këto ditë të ftohta mesdimri, por ka ende pak ngrohtësi për të shijuar rrezet e ngrohta në një nga kafenetë e kryeqytetit. Bojken Lako sapo ka mbërritur: me një pamje krejtësisht sportive me shumë stil, flokë të shkurtër të lyer biondë dhe gishtat e mbushura me unaza. Silueta e tij është nga ato që nuk kalon lehtësisht pa u vënë re. Kalimtarët që më së shumti janë të njohur e përshëndesin shkurt: Boku! Një grup vajzash adoleshente, pëshpëritin me njëra – tjetrën dhe kthejnë shikimin nga artisti, i cili i përshëndet me dorë dhe ul kokën për të gjerbur kafen. Vetëm pak metra na ndajnë nga godina e dalëboje e RTSH-së, aty ku prej ditësh kanë nisur provat e para me orkestrën e madhe për festivalin e fundvitit. “Kjo është hera e dhjetë që marr pjesë në Festival, ndaj nuk kisha sesi të mos isha sërish pjesë. Gjithnjë kam marrë pjesë me këngë të ndryshme, por sivjet kam një tjetër material muzikor shumë modern” – e nis ai rrëfimin e tij për Bordo, artisti i cili gjithnjë ka sjellë revolucion me muzikën që krijon. Nuk e mohon, se përtej emocioneve të skenës, të cilat e kanë përcjellë për një dekadë, kënaqësia e tij më e madhe në këtë festival, janë pikërisht ato orët e gjata të provave me orkestrën e madhe të RTSH-së, kur sheh sesi kënga e tij përcillet nga instrumentet e gjalla, duke e formësuar atë plotësisht, para se të ndizen dritat e skenës.

Jeni sërish pjesë e Fesivalit në RTSH

Kur po bëhej anonçimi për festivalin, po kujtoja momentet që kisha marrë pjesë dhe ishin nëntë herë që nga viti 1999. Kam marrë pjesë gjithmonë ndryshe, herë vetëm, e herë me grupe, ndaj edhe pritshmëritë kanë qenë të ndryshme. Një artist në Shqipëri promovohet duket pasur një strategji, rrjetet sociale, ndërsa unë e kam lënë veten në rënie të lirë. Por, ka disa detaje që më japin kënaqësi në Festival, sidomos vitet e fundit ku e kam ndjerë sesi kënga është pasuruar duke u luajtur me orkestrën e RTSH-së.

Kjo ka qenë edhe një arsye e pjesëmarrjes sivjet?

Kënga ka qenë në një version më intim dhe një arsye e fortë ka qenë orkestra, sidomos momenti i provave, sepse Pallati i Kongreseve ka tjetër emocion. Emocionet e provave janë krejt ndryshe, më pëlqen kur flas me instrumentistët, dëgjoj mendimet që japin për këngën. Në fillim mendova se u bë e tepërt pjesëmarrja në Festival, por kam një arsye tjetër. Po sjell një këngë paksa më të veçantë, një eksperiment timin që kam vite që e mendoj. Nuk bëj ndonjë muzikë të çuditshme, por përpiqem të jem me kohën. Jam munduar që orkestrimet e mia të sjellin elemente të kohës brenda një rryme muzikore. Po punoj me disa producentë të rinj që po prodhojmë tinguj të rinj, të modës së fundit.

Çfarë sjell ndryshe kënga e sivjetshme?

Duke parë tendencën e kohës në muzikë, mënyra sesi luhet me bateri live, sepse është koha e minimalizmit në muzikë, e ndryshova demon. Është një lloj muzike elektronike, e përzier me trap, së cilës i kam shtuar instrument etnik, kam pasur të preferuar klarinetën ndaj bëmë një miksim të muzikës trap, rock dhe melodive etnike. Instrumentisti është lënë në mënyrë të lirë duke futur edhe bitin e vitit 2020, për të prezantuar diçka të re, ndryshe nuk do të kisha marrë pjesë. Kjo është kënaqësia e këtij viti dhe mezi po pres të shoh sesi do të pritet.

Po përsa i takon tekstit?

Titulli i këngës është “Ma la seen” dhe flet për një shqetësim në shoqërinë globale, robotizimi i njeriut, futja në një fluks të teknologjisë së komunikimit, zbrazja nga ndjesitë, sepse rrugët me të cilat komunikojnë njërëzit janë shumë të ftohta, mungon privatësia, hyjmë në jetën e tjetrit. Ngarkimi i njeriut me shumë informacion, ka ndryshuar komunikimin. “Ma la seen”, sepse dikur nëse nuk përgjigjeshe në telefon, mendonin se ishe duke u marrë me diçka, sot je i detyruar të përgjigjesh, pra është një gjuhë e re komunikimi. Teksti tregon që të bëjmë sa mundim për të qenë sa më natyralë. Kënga është një sintezë midis tekstit, muzikës dhe instrumentit, klarinetës.

Misioni i Festivalit tani është bërë Eurosong, jo muzika, a të shqetëson ky fakt?

Festivali është skena e madhe që jep emocione, por qëllimi drejt Eurosong e ka prishur deri diku misionin e vërtetë. E kam thënë edhe një vit si regjisor i Festivalit, pse duhet që çmimi i parë të shkojë në Eurosong, kur kënga mund të mos përshtatet. Muzika, artistët dhe gjithçka tjetër harrohet në këtë mënyrë. Festivali të fokusohet te muzika, të ketë çmime për të rinjtë, krijimet e reja, ekstravagante apo stilin e ri muzikor. Jo patjetër ai që fiton, shkon në Eurosong, duhen parë komponentët që përshtaten me të. Festivali është bërë një xhep i Eurosong, ndërsa misioni i tij është që të gjithë duhet të përfaqësohen aty.

Si nisi misioni yt me Bulzat për zbulimin e talenteve të reja?

Pas largimit nga Top Channel në 2009, në Klan nisa programin Promozone, ku doja të promovoja të rinjtë e talentuar. Doja të sillja një dritare promovimi për të gjithë ata që nuk kanë pasur një mundësi. Edhe në Top Fest ideja fillestare ishte promovimi i të rinjve, ka qenë gjithnjë për mua si qëllim në vetvete, një sfidë e cila u kthye në profesion. Më pas në TVSH, nisa Bulza Live Session me të rinj të talentuar, një skenë e vogël, ku të kishin mundësi të shfaqeshin. Mendoj se çdo televizion duhet të mbështesë të rinjtë, kjo ndodh në të gjithë botën. Me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës prej 4 vitesh organizoj Tirana Art Fest, ku të rinjtë e kryeqytetit konkurrojnë në aktrim, multimedia, këngë dhe kërcim.

Tani jam fokusuar tek producentët e rinj, ata që krijojnë muzikë. Gjithë kjo punë e ktheu Bulza Entertainment në një brand, në një rrjet artistësh të rinj duke i promovuar ata. Për të nxjerrë në sipërfaqe të rinj të cilët kanë mundësi të shprehen.

Si i zbulon ata, deri tani ka një ide që ky brez nuk ka fort interes për artin?

Duke punuar me të rinjtë kam zbuluar se kemi një brez, i cili ndoshta i rritur nga prindër që e njohin artin, i kanë nxitur të mësojnë instrumenta muzikore, të njohin artistë të mëdhenj dhe madje kanë një kulturë muzikore. Në audicionet e Tirana Art Fest, shoh që të rinjtë zgjedhin materiale muzikore moderne, i njohin artistët dhe kanë shije. Po rritet një brez shumë i mirë dhe në një të ardhme të afërt do të bëjnë revolucion dhe më vjen mirë që unë jam pjesë e saj. Këtë punë e kam sfidë me veten, por edhe për të vërtetuar dashurinë që kam për vendin tim, talentin e shqiptarëve. Shumë të rinj kanë zë të mirë, paraqitje, karakter dhe besoj se do të ecin kudo qofshin.

Ka nga ata të rinj që të bëjnë të ndihesh krenar?

Në programin e mëngjesit në RtvOra, kemi një hapësirë për të rinjtë. Nuk janë emra të njohur, por kanë vlera dhe gjithnjë i kam afruar në çdo projekt, ndaj i falënderoj drejtuesit e televizionit që i kanë dhënë mundësi duke hapur një dritare, një formë publikimi. Sigla e emisionit u krijua nga Arsidi, një i ri nga Tirana Art Fest dhe rezultoi e pëlqyer.

Kush e mbështet Bojkenin në këtë nismë?

Momentalisht kam një familje të vogël, mamanë dhe bashkëshorten Semi. Edhe njerëzit e tjerë të familjes, shumë njerëz të njohur, bashkëpunëtorë, miq më mbështesin. Kam ngrohtësi të madhe nga miqtë, aq sa shpesh më vjen keq, sepse takohemi rrallë. Ngrohtësia e jetës është shumë e madhe. Me Semin punojmë bashkë, ajo është brenda projekteve, e dhënë shumë në organizimin dhe zbulimin e artistëve.

A është e vështirë të punosh me një njëri të dashur, si në rastin me Semin?

Jo, mbase ngaqë ne lidhjen nuk e kemi pasur në formë standarte: kur unë isha 36 vjeç, Semi ishte 18. Gjatë këtyre 10 viteve që jemi bashkë i kam dhënë gjithë eksperiencën time dhe duke qenë se Semi është shumë e zgjuar dhe e talentuar, ka marrë gjërat më të mira. Tani jam unë që e pyes dhe informohem. Kemi një raport që ne përfitojmë nga njëri-tjetri. Në këtë moment përfitoj unë më tepër. Lidhja në një moshë të tillë ka qenë shumë frytdhënëse sepse kemi dhënë dhe marrë një njëri-tjetri.

Prej vitesh bashkë, a ke në plan të bëhesh baba?

Nuk e kemi në plan për momentin. Familja nuk ka qenë shtysë në këtë pikë, më kanë lejuar gjithmonë të marr jetën siç të vjen. Për mua nuk mendoj se duhet bërë me plan.

Nga babi ke trashëgur gjithçka, por zërin mendoj se është diçka identifikuese?

Kemi pasur në familje njerëzit me zë të fortë. Edhe gjyshja ka pasur zë të bukur. Me babin kam ngjashmërinë gjenetike, padiskutim kam mësuar nga ai duke qëndruar pranë. Kam mësuar nga këshillat që më ka dhënë sesi duhet lexuar para mikrofonit me logjikë. Babi e ka pasur zërin më të fortë, më të bukur, më të kristaltë.

Ka qenë një njeri që të kritikonte apo të këshillonte, si i kishit raportet?

Të dy prindërit më kanë orientuar për gjërat që duhet të bëj. Babi dhe mamaja kanë qenë shumë të lidhur me njëri-tjetrin në sensin edhe të gjëravë që binim bashkë dakord. Mamaja ka qenë një udhërrëfyese për mua që kur dola në skenë. Më kanë nxitur të studioja për regji, sepse babai mendonte ngaqë kisha kulturë muzikore dhe në pikturë, regjia ishte arti që i sintentizion të gjitha. Parimi që më kanë mësuar është se jo gjithçka është paraja, por duhet bërë gjithçka mirë, duke qenë gjithnjë i pari. Nuk shihnim asnjëherë filma në komedi, as babai nuk i shihte. Po për t’u shkulur me lot shihnim majat e komedisë, si Çarli Çaplin, ajo që ka bërë ai nuk është bërë më. Kultura që më ka dhënë familja ka pasur një parim: Çdo gjë duhet të jetë shpirtërore dhe të këtë esencë.  Ndaj u jam falenderues prindërve të mi sot.

Cilat do të jenë projektet e tua të ardhshme?

Projektet janë më shumë muzikore. Po punoj fort me Bulza Enterintament, edhe pse frytet nuk kanë dalë akoma. Bulza Festival do të shfaqet në të gjitha rrjetet sociale dhe youtube, duke realizuar video të këngëve që nuk kanë klipe. Kam 2 projekte që nisën këtë vit: Bazaar Festival me Bashkinë e Korçës dhe Kazan Festival me Bashkinë e Gjirokastrës, dy festivale që promovojnë grupet e reja muzikore dhe të aktivizojnë të rinj nga këto qytete. Pastaj muzika ime e cila ngelet shpesh në plan të fundit…!

Previous ArticleNext Article