Sepse ju nuk mund ta kuptoni atë!

 

Skizofrenia është një sëmundje mendore e vështirë për t’u kuptuar dhe shpeshherë, pa dashje shkakton dramë në familje. Ky shkrim i shkurtër është monologu i një djaloshi që u mundua gjithë jetën të kuptojë nënën e tij të sëmurë dhe vetveten, dhe
se si fëmijët imagjinarë të nënës së tij u bënë 2shokët e tij të ngushtë në lojërat e fëmijërisë.

Sepse ti nuk mund ta shikosh atë, nuk do të thotë se nuk është aty, – fjalët e saj ishin të gdhendura në mendjen e tij. Nëna e tij ishte e humbur në dialogun me miqtë e saj imagjinarë, ndërsa ai, si fëmija e saj, kurrë nuk e vuri në pikëpyetje të vërtetën e bisedës qe ajo i bëlbëzonte shpesh. Si fëmijë, kishte patur dëshirë të shikonte atë botë imagjinare, por
ai kurrë nuk mundi të fantazonte një botë të tillë, të paktën ashtu si nëna e tij.

Ajo ishte viktimë e sëmundjes së saj mendore, por ai gjithmonë s’e mendonte, pafajësia dhe paaftësia e tij për të kuptuar ishte e vetmja viktimë.
Ai u rrit me këtë mendim të paqartë disi të hutuar në lidhje me botën përreth tij. Për nënën e tij ai ishte një karakter, si në filmat vizatimorë, ku ka shumë
personazhe por ai ishte i vetmi që ai mund të shihej dhe prekej. Edhe pse jo aq të vërtetë si ai, apo absurdë, nuk kishte shumë rëndësi meqënëse nuk
kishte tjetër rrugëzgjidhje por vetëm të pranonte ato kushte. Gjithsesi zgjedhja nuk ishte e tij, ai mendoi se ai e bëri për të mirën e nënës.
Në fëmijërinë e tij realiteti dhe imagjinata ishin të pandashme dhe miqtë më të mirë. Atij i kujtohej që shpesh vraponte nëpër shtëpinë e tij pothuajse
bosh, pa njerëz përreth dhe pa shumë orendi, por i angazhuar në bisedë të plotë me personazhet e padukshme të nënës së tij. Ata ishin njëkohësisht
karakteret e tregimeve të fëmijërisë. Loja e tij më e preferuar ishte kukamçefti. Për atë loja nuk ishte as gënjeshtër as e vërtetë, por si një fëmijë ai nuk kishte kohë për të analizuar vlefshmërinë e saj.

Një gjëagjëzë!

Karakteret imagjinarë të nënës së tij shfaqeshin dhe zhdukeshin shpejt. Megjithëse vështirë që ai të zbulonte vende që nuk kishte qenë më parë,
papritmas shtëpia në mëndjen e tij merrte forma dimensionale që ai do t’i duhej t’i zgjidhte. Shfaqja zgjaste disa herë, për orë të tëra, deri në mesnatë.
Një lojë e rraskapitur, si ai vetë, sa e çonte në një gjumë letargjik, të thellë dhe të vetmuar. Kjo ishte një lojë epike mes tij dhe të padukshmes. Një
shoqëri e ngushtë midis tij, imagjinatës, dhe karaktereve mendore të nënës
së tij.

“Sepse ti nuk mund ta shikosh atë, nuk do të thotë se nuk është aty” nëna e tij i thoshte në mënyrë monotone. Ai përpiqej shumë të kënaqte nënën e
tij sa herë luante. Megjithatë, ai kurrë nuk e kuptoi se përse e pëlqente atë lojë aq shumë dhe gjithmonë e luante atë pa hezitim. E dinte se askush nuk e kërkonte apo e gjente aty ku fshihej. Por ai ndihej fitimtar dhe i pamundshëm. Shpesh numëronte me zë të lartë numrat një, dy, tre, dhjetë,
nëntë, me ç’rregullsi, ashtu siç dëshironte. Kjo ishtë mënyra më interesante se si ai mësoi të numërojë. Edhe pse rregulli ishte “nuk ka rregulla”, ai krijoi rregullat pasi nëna e tij kurrë nuk mori pjesë, edhe pse personazhet e saj ishin pjesëmarrës në lojë.

Një, dy, tre, …njëqind.., liria e tij ishte e pafund, askush nuk mund ta ndalonte numërimin që kishte zgjedhur vetë. Përkundrazi, askush nuk e vinte re lojën e tij. Kishte filluar të bëhej i padukshëm si personazhet e lojës së tij. Ai ishte bërë mjeshtër i lojës kukamçefti. Shpeshherë gjatë lojës gjente
gjëra që të rriturit injoronin. Kishte çokollata dhe karamele kudo, monedha dhe madje edhe objekte të çuditshme. Për vite të tëra ai kishte mbledhur
fotot që ai kurrë nuk i kishte parë më parë. Për habinë e tij fytyra e tij nuk gjendej, por fytyra e nënës së tij ishte kudo, e buzeqeshur dhe e re. Nuk e njihte.

Ajo ishte ndryshe atje. Vështronte me habi dhe kuriozitet nëse miqtë e saj imagjinarë mund të ishin të dukshëm në foto. Dëshira për të njohur fytyrat e
tyre ishte e pashpjegueshme. Iluzionet ishin pjesë e jetës së nënës së tij dhe të pakushtëzuara, por ai
kurrë nuk i kishte parë. Në disa raste ai pyeste veten nëse shokët e tij në mendjen e nënës së tij ishin njerëzit apo fëmijët si ai. Po sikur të ishte
shoqe? Kishte filluar të skuqej me mendimin edhe pse nuk e kuptonte pse.

Frika e ç’do humbje ishte e madhe e fshehur brenda zemrës së tij. Nuk kuptonte kush ishin më të irrituar me këtë mendim, ai, nëna e tij, apo shokët e imagjinuar me të cilët luante çdo ditë.
Ndjenjat vazhduan edhe kur “shokët” papritmas u zhdukën duke ndjekur nga pas nënën e tij në përjetësi. Rikthimi i shokëve të fëmijërisë ishte i
pamundur pa nënën e tij. Zbrazëtia kurrë nuk u mbush. Ai i thirri dhe i thirri për vite me rradhë. Nuk mundi ta pranonte humbjen dhe atë cfarë mund të
mbetej nga nëna e tij. Humbja ishte humbje pavarësisht se imagjinare. Nuk dinte si të luante më. Imagjinata kishte rrugëtuar me nënën e tij atje ku ai nuk e ndiqte dot. Në këtë luftë për mbijetesë pafajësia ishte prezente më shumë se kurrë.

U deshën vite që të kuptonte gjendjen e nënës së tij. Edhe pse i surprizuar nga kjo, mendja e tij nuk mund të krijonte karaktere të tilla. Metamorfoza
në mendjen e tij kishte ndërprerë fijen që lidhte mendjen e nënës së tij me të. Ai nuk ishte i sigurtë nëse duhet të ndihej i lumtur apo i trishtuar. Ata të dy bashkë mbijetuan me këto karaktere. Për një gjë ai ishte i sigurt se të dy, nënë e bir, u munduan të kuptoheshin në absurditet thellësisht me dashuri. Ky ishte një sekret i tij.

“Sepse ti nuk mund ta shohësh nuk do të thotë se nuk është aty”.

Në fund të fundit secili ka një moment, dedikuar vetëm vetes, në
mënyrën më të padukshme. Imagjinatën.

©Fatjona R. Lubonja

Dr. Lubonja është autore dhe studiuese në fushën e Edukimit dhe Neurologjisë Shkencore. Ajo është Fellow në institutin prestigjoz të studimeve të trurit “Zuckerman Brain & Mind Institute, Columbia University, New York”

Previous ArticleNext Article