KreuCelebrity

Zhaklina Gjolla: Fama nuk është vlerësim, ekrani nuk mund të jetë një vitrinë ku ekspozohesh për shitje

 

Ajo nuk e ka qëllim të jetë e famshme, ndonëse është në ekran çdo ditë në programin e mëngjesit në RTSH.  Një portret i ëmbël, elokuente, e kujdesshme në mënyrën se si moderon dhe tejet diskrete me jetën private, Zhaku e ka të qartë misionin e saj; asnjë kompromis për të qenë një ‘kukull’ ekrani…

 

Jemi në gjysmë të sezonit, ku për herë të parë ti tashmë ke një program mirëfilli. Si ka qenë kjo eksperiencë?

Shumë e bukur. Të kesh mundësinë që çdo ditë të njohësh profesionistë të fushave të ndryshme dhe të dëshmosh momentet kur ata vendosen përpara kamerave është vërtet eksperiencë. Në karrierën time përgjegjësitë janë shtuar vit pas viti, që kur preka realitetin mediatik për herë të parë në redaksinë e lajmeve të Vizion + dhe kishin kaluar veç 6 muaj që pata nisur studimet. Po kur e mendoj, kam shijuar dhe kam marrë nga çdo ditë, me të mirat dhe të këqijat e veta.

Zhaku ti je një nga figurat e reja të ekranit, por ndryshe nga koleget e tua ke zgjedhur të jesh diskrete pas ekranit, duke marrë me vete edhe ‘riskun’ që të mos jesh shumë e njohur në showbiz. Pse kjo zgjedhje?

Unë kam mbaruar gazetarinë dhe ekranin nuk e shoh si një vitrinë ku ekspozohesh për shitje. Preferoj të ndiqem nga ata të cilët vlerësojnë atë çfarë jam duke folur më tepër se pushimet apo pozat.  E rëndësishme në këtë këndvështrim them është të jesh e/i këndshëm për t’u parë, por pa humbur qëllimin kryesor.

Pra cili do të qe ai profil me të cilin ti do të doje të identifikoheshe?

Edukues dhe argëtues. Televizioni duhet të argëtojë por media ështe pushteti i katërt, ajo që formon turmat dhe masat, u jep informacion dhe i çon atje ku publiku nuk mbërrin dot. Nëse do ta bëja këte do të isha e lumtur.

Sa e vështirë ka qenë për ty të kesh një program mëngjesi, duke patur parasysh zgjimin e hershëm, transmetimin direkt?

Mua më pëlqen shumë transmetimi direkt. Duke pasur parasysh ditët kur nuk ndihesh fare mirë, është shumë e vështirë. Por për të gjitha ditët e tjera më vjen në mend shprehja “Bëj atë që do dhe nuk do të duhet të punosh një ditë në jetën tënde”.  Për të fjetur deri në mesditë kam akoma të shtunat dhe të dielat, ose të paktën disa prej tyre.

Sa e do Zhaku ekranin? Mendon se karriera jote në vazhdim do të jetë vetëm në televizion?

Në momentin që nuk do kem më gjë për të thënë, jo, nuk do të jetë më.  E dua mjaftueshëm ekranin por jo më tepër se veten.

Cila është moderatorja më e mirë shqiptare së cilës Zhaku ja do grintën?

Ka disa që janë të zonjat e të këndshme në profilet e tyre, për hir edhe të eksperiencës. Por nëse më pyet çfarë shoh, kur shoh përveç edicioneve informative, preferoj ciklet me dokumentarë të National  Geographic, Netflix dhe më pëlqejnë disa figura të prodhimeve britanike.

A ka ndonjë të tillë, që sipas teje nuk e meriton famën që ka?

Mendoj që ka plot. S’po të them emra se po më bëjnë pritë (Qesh). Tranzicioni politiko social në Shqipëri sigurisht ka ndikuar edhe në tranzicionin mediatik duke pompuar figura që nuk janë në vendin e duhur. Por them se fama nuk është vlerësim dhe në këtë emancipim të menjëhershëm, nuk është as afatgjatë.

Programi me të cilin ti do të ndiheshe e plotësuar cili do të ishte?

Për të kuptuar çfarë të plotëson duhet ta provosh. Po them se të gjitha vijnë në kohën e duhur, pra kur je gati në të vërtetë.

Një vajzë e bukur si ti me siguri ka shumë adhurues, po si është zemra e Zhakut?

Plot ngjyra e frymëzim për të tashmen e bukur.

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF