“Top Talent” nis sot në mbrëmje rrugëtimin në zbulimin e talenteve të rinj, të botës së muzikës, spektaklit dhe gazetarisë!

Nën moderimin e Ori Nebijajt spektakli do të sjellë garë, emocione, por edhe batuta dhe debat mes katërshes së jurisë, e cila përbëhet nga Olti Curri, Jonida Vokshi, Anita Haradinaj dhe Hervin Çuli. “Jam e lumtur që jam pjesë e këtij show që ka si qëllim evidentimin e talenteve. Do të jetë një spektakël që do të dhurojë emocione si për konkurrentët, ashtu edhe për ne! Është një sfidë e re! Kryqëzoj gishtat që të kemi një edicion të suksesshëm!”, shprehet Ori Nebijaj në nisje të këtij sezoni.

Anëtarët e panelit të këtij edicioni të tretë kanë sjellë një frymë gare mes njëri-tjetrit, e cila do të jetë edhe një nga elementët më të bukur të kësaj nate. “Mendoj se gjithë ekipi ka bërë një punë të mirë, që të kemi një spektakël të arrirë. Jam e sigurt që të premteve mbrëma do të kemi vëmendjen e gjithë shqiptarëve. Larmishmëria e talenteve të këtij edicioni, juria fantastike, prezantimi dhe të ftuarit VIP, që do të kemi përgjatë gjithë netëve të spektaklit janë faktorët e duhur që pulti I televizionit të stacionohet vetëm në Top Channel”, shprehet autorja e programit Ilda Lumani. Anëtarët e jurisë me eksperienca të gjata profesionale; Olti Curri prej 18 vitesh gazetar radiofonik, bloger i suksesshëm, Jonida Vokshi, prezantuese dhe aktore, imazh i Digitalb për vite me radhë, Anita Haradinaj gazetare dhe spikere lajmesh, Hervin Çuli regjisor dhe aktor, aktualisht drejtor i Teatrit Kombëtar I bashkon mbi të gjitha një fakt.

Është hera e parë që ata e sfidojnë veten si “gjykatës” të një paneli jurie! Për katër mbrëmje radhazi, konkurrentët do të prezantohen në fazën e parë të audicioneve, ku juria do të përzgjedhë më të mirët. Në fazën e dytë, për 3 netë rresht do të garohet për të fituar një vend në gjysmë finale, e cila do të jetë e ndarë në dy netë, e mandej në natën e 10-të të spektaklit do të organizohet finalja, ku këtë herë ka jo pak surpriza për sa I takon fituesit. Gjithçka është gati për këtë mbrëmje.

Skuadra e këtij edicioni me skenograf Fatmir Mingën, Drejtor Teknik, Ing. Rezi Neziri dhe drejtimin e regjisë nga Redi Treni. Producente ekzekutive e edicionit të tretë është Ledja Liku, e cila është pjesë e këtij produksioni që prej nisjes së tij tre vite më parë. TCH/

Previous ArticleNext Article