KreuStil Jetese

“SOAP”/ Historia e një produkti kozmetik mijëra vjeçar!

Markat që krijuan identitet dhe monopol në tregjet botërore, aromat që identifikohen me vende të globit dhe vijnë në një kapsulë të vetme.

Aromë delikate dhe një butësi e mëndafshtë që prek lëkurën duke zgjuar mijëra shqisa, ndjesi, vende e kujtime. Mes pafundësisë së formave dhe ngjyrave, një sapun tani nuk është thjesht një objekt që ka si synim higjienën, por bën pjesë në lisën e produkteve kozmetike. Një dashuri që na përkëdhel çdo mëngjes e mbrëmje, apo një suvenir i vogël për njerëzit, fshehur mes rrobave apo objekteve tona më të dashura. Ju sjellim historinë e sapunit nga aromat e rralla të Alepos tek ndjesitë e ullinjve të Castiles, ngjyrat e agrumeve të Greqisë apo butësinë e papërsëritshme të Marsilias, marka që kanë gdhendur në mënyrë të thellë në memorien e njerëzimit, historinë e një detergjenti kaq unik.


Provat e para që dëshmojnë për zbulimin e sapunit datojnë rreth vitit 2800 para Krishtit dhe prodhuesit e parë ishin Babilonasit, Mesopotamasit, Egjiptianët, Grekët dhe Romakët e Lashtë. Nga gërmimet në Babiloni u zbulua se babilonasit prodhonin sapun rreth vitit 2800 Para Krishtit. Ishin pikërisht ata të parët që zotëruan formulën dhe artin e bërjes së sapunit. Ky sapun ishte krejt natyral me pëzierje yndyrnat e kafshëve, aromatikë dhe hi, të cilat ziheshin. Sapuni asokohe u përdor në pastrimin e leshit dhe pambukut, në prodhimin e tekstilit si dhe në mjekësi, por kurrsesi në kozmetikë. Papirusi i Ebersit zbulon se egjiptianët e lashtë përzienin vajra shtazore me perimesh dhe kripëra alkaline për të prodhuar një substancë të ngjashme me sapunin. Ndërsa Fenikasit përdornin dhjamin e dhisë dhe hirin e drurit për të krijuar sapun. Mendohet se fjala sapun vjen nga gjuha kelte saipo.
Sapuni nuk përdorej askokohe për larje dhe higjienë personale, por për pastrimin e enëve. Fillimisht sapuni kishte përbërës natyralë si: yndyrat e kafshëve, vaj perimesh, ulliri ose atë të arrës së kokosit. Ka hipoteza se sapuni mori këtë emër nga Mount Sapo në Romë, ku fjala sapo, latinisht do të thotë sapun.


Mendohet se Zosimos Panopolis, alkimist dhe gnostik egjiptian që jetoi në fund të shekullit të 3-të pas Krishtit shkroi i pari për sapunin. “Pasi të përzieni hirin me të verdhën e vezëve, e lini të thahet duke krijuar një masë të fortë e cila përdoret për larje” – shkruhet në tekstet e vjetra, duke shpjeguar se në kontakt me ujin sapuni shkrin dhe mund të përdoret për larje.
Por një tjetër histori është ajo e sapunit të Alepos, e cila mendohet se është një nga më të famshmet në botë, i cili e ka origjinën nga qyteti Alepo ku kalonte Rruga e Mëndafshit. Ky ishte një nga qytetet më të vjetra të banuara në botë dhe këtu mendohet se u krijua marka e pare e sapunit në botë, Laurel Aleppo. Mendohet se Mbretëresha Kleopatra e Egjiptit dhe Mbretëresha Zenobia e Sirisë përdornit këtë sapun për vetitë e tij të rralla. Mendohet se baza e këtij sapuni ishte me dafinë dhe vaj ulliri, duke e bërë lëkurën të butë. Mendohet se sapuni erdhi në Evropë pas Kryqëzatave të para. Sot shumica e sapunëve në Alepo, veçanërisht ai që përmban më shumë se 16% të vajit të dafinës, eksportohet në Evropë dhe në Azinë Lindore.


Po kaq i famshëm është edhe sapuni Castile, i cili u bë i njohur për bazën natyrale me vaj dhe bërthama ulliri. Ky sapun i përzier me dafinën vijon ende të prodhohet në mënyrat artizanale që e kanë zanafillinën që në shekullin e XI-të kur edhe u kthye në produktin më të dashur të shtresës aristokrate.
Ndërkaq sapuni i Marsejës ose Savonës është tradicional dhe i fortë i bërë nga vajra bimore të prodhuara në rrethinat e Marsejës për 1370 vjet. Dokumenti i parë i sapunbërësve të Marsejës u regjistrua pikërisht në këtë periudhë derisa në vitin 1688, Louis XIV e futi rregulloren e Ediktit të Colbert duke e quajtur me emrin Savon de Marseill, ku bënin pjesë të gjithë sapunët me bazë vajin e ullirit, por që nga ky moment ligji është ndryshuar duke lejuar edhe përdorimin e vajrave të tjerë bimorë.
Shifrat tregojnë se deri në vitin 1913 prodhimi në Francë kishte arritur në 180 mijë ton dhe një vit më pas, 132 kompani e prodhonin atë, numër ky i cili vitet e fundit ka mbetur pesë, duke kufizuar prodhimin pasi quhet një trashëgimi franceze.
Një nga sapunët më unikë është ai i zi i prodhuar në Afrikë, një recetë tradicionale e krijuar nga tributë vendase e cila e ka këtë karakteristikë për shkak të ngjyrës dhe përdorej për larjen e lëkurës, baza e së cilës ishte e gjitha natyrale.
Në shekullin e 17-të u shkaktua një polemikë në Angli, pasi u kërkua që sapuni të mos kishte emër lokal pasi prodhuesit spanjollë blenë monopolin e këtij produkti. Kjo ndodhi pasi prodhuesit në Angli nuk kishin qasje të lehtë në vajin e dafinës, dhe për këtë arsye e hoqën atë nga formulimet e tyre.


Në fillimet e hershme prodhimi dhe formula e sapunit, ishte një teknikë ekskluzive dhe sekrete e përdorur nga grupe të vogla, derisa kërkesat u rritën dhe monopoli i bëri që të shpikeshin forma të reja. Recetat për bërjen e sapunit edhe pse u bënë të njohura, çmimi ishte akoma i shtrenjtë dikur në Mesjetë. Vetëm në 1791 ndodhi që ky produkt, nuk ishte më ekskluziv i shtresave të pasura, moment kur një francez me emrin LeBlanc zbuloi një formulë kimike e cila lejonte prodhimin dhe shitjen e sapunit masivisht. Pas më shumë se 20 vjetësh më vonë, një francez tjetër zbuloi një tjetër formulë me bazë glicerinën, yndyrat dhe acidin, e cila shënoi fillimin e prodhimit të sapunit modern. Por në vitet 1800 me evoluimin e industrisë përdorimi i sapunit për qëllime higjienike u bë pjesë e stilit të jetesës.
Përparimi i shkencës së kimisë solli shumë përbërës duke prodhuar sapunin 9, një fazë e cila sillte aroma dhe veti më të thella pastruese të këtij produkti. Në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë, sapuni për larje u bë një mall më vete duke u ndarë nga ai për larjen e rrobave. Sapunët për larjen e trupit kishin paketime më të bukura dhe aroma unike, ndërkohë që vetëm në vitet 1970 u arrit të prodhohej sapuni i lëngshëm, që sot ka një përdorim masiv.
Sot ka shumë sapunë të ndryshëm, nga ai industrial deri tek ato artizanale. Mund të gjeni sapunë për burra, që ndryshojnë nga ato për gra, për të vegjlit që kanë përbës më delikatë, por edhe të tjerë për llojet e lëkurave apo të flokëve, duke e kthyer në një revolucion të vërtetë në botën e kozmetikës.

Tags:

Home bordo

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF