KreuCelebrity

Rrëfim ekskluziv/ Silvana dhe Saimir Vishaj: Ditari i dashurisë së një mjekeje dhe një avokati

Një rrëfim ndjenjash, i sinqertë e i vërtetë na njohu me një dimension tjetër të doktoreshë Silvanës  dhe avokatit të njohur Saimir Vishaj

Nga Nada Biraçi 

Fotografi: Fani Aliko 

Pas tringëllimës së ziles, dera u hap ngadalë duke prishur kështu qetësinë që mbizotëronte në klinikën e zonjës Silvana. Një zonjë e gjatë, elegante, e fisshme dhe shumë e bukur, ndërsa hodhi pas veshit flokët biondë më zgjati dorën teksa me zë të ulët e me një timbër tejet qetësues më fton të drejtohemi për në zyrën e saj. Nuk e kisha takuar personalisht më parë, ndonëse ja njihja mirë suksesin në profesionin e saj si kirurge plastike, por që në prezantimin e parë ndjeva se nga doktoreshë Silvana kisha shumë për të mësuar. Në fakt ndryshe nga çdo takim që Silvana ka patur në klinikën e saj, kësaj here tema e bisedës nuk do të ishte plastika, kirurgjia apo mjekësia; por këtë herë ne të Bordo donim një rrëfim dashurie. Në atmosferën e Shën  Valentinit, Silvana u tregua tejet e gatshme që për herë të parë, të ndante me ne rrugëtimin e historisë 30 vjeçare të dashurisë me bashkëshortin e saj, avokatin e njohur Saimir Vishaj. Me një aftësi mbresëlënëse narrative, teksa Silva puliste sytë e rrekej të kujtonte detajet e ëmbla të njohjes me dashurinë e jetës së saj, zonja bionde që kisha përballë, ngjante si personazh i dalë nga klasikët e letërisë ruse, pas së cilës siç rrëfeu gjatë takimit është shumë e apasionuar…

Imazhi i një djaloshi të gjatë, brun e elegant ngacmoi syrin e studentes së vitit të dytë në Fakultetin e Mjekësisë, por nëse për Silvanën 19 vjeçare prezantimi i parë me Saimirin do të qe vetëm një atraksion fizik, për simpatikun 22 vjeçar ‘kupidi’ sapo kishte bërë goditjen e tij; atë ditë avokati i njohur provoi dashurinë me shikim të parë…

Dhe ai moment do të shenjonte përgjithmonë jetën e Kirurges Silvana Vishaj dhe Avokatit Saimir Vishaj…

Doktoreshë Silvana, bëjmë një udhëtim në kohë, kur ju ende studente takuat për herë të parë atë që sot është bashkëshorti juaj? 

Njohja jonë ka nisur nga shoqëri të përbashkëta, unë isha studente në Fakultetin e Mjekësisë shumë e re 19 vjeç, ndërsa Saimiri po ashtu shumë i ri 22 vjeç. Rastësisht me një shoqen time, mua më ngacmoi syrin imazhi i një djali të gjatë, brun dhe elegant. Fati deshi që ai djalosh të ishte i njohuri i shoqes time. Më vonë mësova që ky moment kur vështrimet tona takuan njëri-tjetrin, paska qenë ‘colpo di fulmine’, dashuri me shikim të parë për Saimirin, ndërsa për mua ishte një simpati me shikim të parë. Por sigurisht atë ditë as që e mendoja se do të qe pikërisht ai moment që do të shenjonte jetën time. Rrjedha më pas ishte e tillë që Saimiri bënte gjithçka që ‘rastësisht’ të takohej me mua.

Ndonëse Saimiri mesa duket i kishte idetë e qarta në lidhje me mua, unë më duhet të them që kurrsesi nuk e kisha menduar një lidhje në atë moshë dhe me ato idealizmat e moshës, gjithçka doja ishte të bëja shkollë e karrierë.

Por këmbëngulja e Saimirit bëri që unë të ‘dorëzohesha’ dhe të krijonim një lidhje dashurie shumë të bukur, për të cilën jam shumë e bekuar.

U shprehët se asokohe kur Saimiri nisi t’ju miklonte ju nuk donit një lidhje dashurie, ishit e fokusuar vetëm tek karriera. Gjithsesi ju dorëzuat ndjenjës; si ndikoi dashuria për ju? 

Mendoj se për çdo student që ka ëndrra dhe projekte për të ardhmen, së pari fokusi është tek shkolla, e po ashtu çdo familje do të dëshironte këtë për fëmijën e saj. Edhe rasti im i tillë qe. Ndoshta në atë të pandërgjegjshmen time, unë i frikësohesha dashurisë…Vija nga një familje shumë e kulturuar me dy prindër me një shkollim tejet të avancuar, e rrethuar nga një bibliotekë gjigande në shtëpi dhe në një farë mënyre prindërit e mi u munduan të ma fashisnin atë që po ndodhte në çështjet e zemrës, pasi me të vërtetë isha shumë e re, por fatmirësisht lidhja me Saimirin nuk ndikoi aspak negativisht në procesin mësimor të Fakultetit që unë ndiqja. Përkundrazi do të thoja se dashuria ndikoi në mënyrë shumë pozitive; Saimiri ka qenë që në fillim të lidhjes tonë një shtysë  dhe motivim shumë i madh për mua.

Një histori dashurie 30 vjeçare; çfarë mendoni se e bën një marrëdhënie të funksionojë? 

E vërteta është që ne të dy ngjajmë shumë me njëri tjetrin; ne ecim paralelisht në shumë drejtime dhe një prej tyre është vizioni që unë dhe Saimiri kemi për të ardhmen; jemi të dy shumë ambiciozë për të arritur çdo qëllim që vemë në jetë, por ajo së cilës në një farë mënyre unë do t’ja atribuoja jetëgjatësinë e lidhjes tonë është hapësira dhe toleranca që ne i japim njëri-tjetrit. Absolutisht ne nuk jemi pronë e njëri-tjetrit, por para së gjithash jemi shokë.

Si prindër të dy djemve Salvit dhe Kleit, a i keni këshilluar ju ata në marrëdhëniet me vajzat? 

Djemve të mi gjithmonë ju kam thënë të zgjedhin vajzën që u përputhet e u përshtatet idealizmave të tyre dhe këtu nuk flas aspak për aspektin fizik, apo atë monetar që për mua janë kalimtare. E rëndësishme është që djemtë e mi, vajzën me të cilën do të kalojnë jetën ta kenë shoqe. Nuk mund të funksionojë një lidhje nëse nuk krijohet raport miqësor me partnerin dhe këtë do të doja të zbatonin jo vetëm djemtë e mi, por të gjihë bashkëmoshatarët e tyre.

Sot teksa ju dhe bashkëshorti Saimiri keni kaluar disa faza të rëndësishme të lidhjes tuaj; a bëni ju ende arratisje të ëmbla, vetëm ju të dy? 

(Qesh) Nëse do të flasim për arratisje të ëmbla, mund të them që kemi mbetur ende adoleshentë. Edhe shoqëria neve na mban si çifti i arratisjeve të çmendura. Pothuajse çdo fundjavë ne mundohemi të gjejmë një destinacion qoftë edhe një fshat jashtë Tiranë, nuk ka rëndësi ku, por e kemi shumë të nevojshme të shkëputemi nga rutina e të shijojmë njëri-tjetrin. Dhe gjithmonë pa planifikim (Qesh).

Bashkëshorti juaj merret me ligjet; a ka ‘nene’ apo ‘ligje’ që në shtëpinë tuaj respektohen me patjetër? 

Një ligj (i pashkruar) që në familjen tonë respektohet me fanatizëm është impenjimi ndaj njëri-tjetrit. Askush prej nesh nuk e ‘shkel’ kët ligj dhe unë mendoj se kjo është arsyeja që unë me krenari them se kam një familje të mrekullueshme.

Duket se ndikimi i babait ka qenë më shumë në shtëpinë tuaj, duke qenë se djemtë zgjodhën të studionin drejtësi

Kam patur shumë dëshirë që të paktën njëri prej djemve të bëhej mjek, por siç duket figura atërore ka qenë më e fortë në familje. Por them se një arsye tjetër që ata zgjodhën të ndiqnin studimet për drejtësi është edhe fakti që më kanë parë mua që isha në studimë të vazhdueshme, në orare të zgjatura pune, emergjenca gjatë natës dhe kjo i ka ‘frikësuar’ pak për të zgjedhur karrierën në mjekësi. Gjithsesi jam e lumtur për zgjedhjen që kanë bërë.

Prej një viti e gjysmë ju po përjetoni edhe ndjesinë e bukur të të qenit gjyshër

Ai është gëzimi i shtëpisë tonë. Kemi bërë një marrëveshje fjale me Grein, unë jam mama e madhe, mama Silva (Qesh). Emri i Greit ka një domethënie që mua ma ka përkëdhelur pak egon, pasi të gjithë e dimë që Anatomia e Greit është një ndër librat më të njohur, dhe meqë asnjë prej djemve të mi nuk u bë mjek, në këtë mënyrë po ja ‘imponoj’ nipit që ndoshta ai do të mund të ndjekë rrugën e mama Silvës.

Duket se profesioni juaj është në një farë mënyre në ‘luftë’ me kohën; po juve a ju tremb plakja?

(Qesh) E bukur kjo! Në luftë me kohën mbase jo se mbase është pak e tepruar, por në përpjekje të vazhdueshme për t’u ndjerë të kuruar me kalimin e viteve. Plakja mua personalisht s’më tremb aspak, sepse është një proces natyral, i cili nëse nuk ndodh do të thotë që nuk ke jetuar,  dhe më e rëndësishmja është që shpirti nuk plaket kurrë pavarësisht viteve që ikin brenda mbetemi adoleshentë të përjeteshëm me ëndrra  të bukura që nuk mbarojnë kurrë .

Kur të vijë një kohë kur ju nuk do të ushtroni më profesionin tuaj; si e shihni ju panoramën Saimirit dhe Silvanës të moshuar?

Po, e mendoj. Kur të vijë ajo kohë, kur unë  dhe Saimiri nuk do të mund të ushtrojmë më profesionet tona, panoramën e kam shumë të qartë. Në një shtëpi të vogël me oxhak, ndërsa unë shkruaj libra, dua shumë në të ardhmen të jem një autore librash dhe ai, Saimiri merret me kopshtin. Me dy tre kafshë shtëpiake përreth (me shumë mundësi do jenë qen (Qesh)).

 

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF