KreuFashion

“Kush jemi ne shqiptarët”, rrugëtim tiparesh e mentaliteti, në optikën e udhëtarëve, studiuesve e shkrimtarëve!

Sipas meje\Blerina Ruka

Individ qytetar apo fisnor në raport me konceptin europian, sa larg apo afër aftësisë është populli shqiptar për të pranuar mentalitetin bashkëkohor

Studiuesi dhe shkrimtari Ndriçim Kulla, në këtë botim që është interesant dhe me vlerë, ka përmbledhur tiparet e shqiptarëve. Ne jemi një popull i kontrasteve, kontraste që ekzistojnë brenda karakterit tonë individual, jemi të rezervuar apo individualistë, bujarë, por vuajmë nga kotësia; mikpritës, por edhe hakmarrës; e mbajmë fjalën, por jemi edhe dyshues; mund të shkojmë deri në fund të botës, por nuk duam t’a dimë çfarë bëhet pas gardhit të shtëpisë sonë, jemi trima, por në betejat që i zgjedh vetë secili nga ne.
Me një pasuri referencash, studiuesi Kulla ka hedhur dritë mbi cilësitë e shqiptarëve të para nga këndvështrimi i shkrimtarëve të huaj si Bajroni apo Edith Durhami.
Në një libër voluminoz prej 400 faqesh, autori ndalet në nivele krahasuese për të gjetur përgjigjen e pyetjes “Kush jemi ne shqiptarët?”, raportin tonë me të shkuarën, terrenin dhe formimin psikologjik të njeriut shqiptar si dhe vetitë e karakterit të tij. Pyetja “Kush jemi në shqiptarët”, e ka çuar autorin nga mendimi shqiptar tek filozofia shqiptare.
Autori na tregon aftësinë e shqiptarëve për të pranuar mentalitetin evropian, përveç mikpritjes ose çiltërsinë, një tjetër vlerë e shqiptarëve është dhe toleranca fetare.
Por nga ana tjetër ai ka folur edhe për dobësitë e shqiptarëve si individualizmi, që e bën atë destruktiv dhe nuk i shërben shoqërisë, në ndryshim nga evropianët.
Me anë të këtij libri Kulla ka dashur t’ i ofrojë individit të sotëm shqiptar disa pikëpamje dhe një literaturë të përzgjedhur në lidhje me atë se kush jemi ne shqiptarët. Autori në fjalë, duke çëmtuar edhe një mendim të rilindësit tonë, te libri “Këndonjëtorja” e vështron shqiptarin, përkatësisht ndarjen e Toskërisë dhe Gegërisë si ndarje mes zonave të Ilirisë së Lashtë – tezë kjo për të cilën autori nuk e thotë vërtetësinë po ose jo, së paku kështu kuptohet…
Mirëpo, autori, duke u mbështetur në një literaturë të pasur sikundër edhe në urtësinë e sovranit, nxjerr konstatimin se ne jemi toskë dhe gegë, që përbën një larmi vlerash të ndryshme gjuhësore, etnografike (zakone, veshje, art, etj.), dmth. një pasuri kulturore. Dhe konstaton: “ne jemi shqiptarë, pastaj toskë dhe gegë, ndonëse studiues të ndryshëm gjejnë edhe një “ndarje racore” ndërmjet nesh , shqiptarëve gegë dhe toskë (të gjatë dhe të shkurtër, biondë dhe zeshkanë, të hollë dhe të trashë, kokërrumbullakët dhe kokë gjerë, të zgjuar dhe budallenjë, gjeni dhe mediokër, të mençur dhe të çmendur…)
Mirëpo, edhe sipas autorit në fjalë, shqiptarët jemi një racë e vetme, jemi nga evropianët më të lashtë, kemi qenë mbrojtës të Evropës, por jemi shkëputur me dhunë prej saj, jemi rikthyer në Evropë, ndonëse ndër shekuj kemi humbur shumëçka nga europianizmi, pastaj jemi rigjeneruar, ringjallur…
Por, jemi, megjithëkëtë, një popull i kontrasteve dhe kontrastet ekzistojnë brenda vetë karakterit.
Në librin: “Kush jemi ne shqiptarët”, autori shkruan edhe për individualizmin shqiptar që është destruktiv. Duke shkruar për këtë problematikë, për individualizmin shqiptar, studiuesi i është referuar edhe Konicës, Eqerem bej Vlorës, por edhe vëzhguesve të huaj, nxjerr konstatimin, mjaft bindës, se kjo dukuri është e vjetër sa dhe vetë njerëzimi…
Libri ofron pikëveshtrime interesante, të rëndësishme dhe me vlerë për atë se kush jemi ne shqiptarët.


Albanian Montreal Press

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF