KreuFashion

“Kush pi duhan nuk preket nga covid-19″/ Studimi që po bën bujë në Itali dhe Francë!

“Kush pi duhan nuk preket nga covid-19”. Gazeta italiane “Libero” doli një ditë më parë me këtë titull mjaft provokues dhe që ka shkaktuar mjaft reagime. Në fakt gjithçka nisi në Francë pas një studimi të kryer në spitalin La Pitié-Salpetrière në Paris u vu re një përqindje më vogël e të prekurve në personat duhanpirës.

Ky studim u publikua edhe nga “Le Monde” që kishte marrë në analizë 343 pacientë të shtruar në spital dhe të testuar me tampon si pozitivë ku rezultoi se vetëm 4.4% e tyre ishin duhanpirës. Një shifër mjaft e ulët nëse e krahason atë me numrin e francezëve duhanpirës.

Hipoteza është përkrahur pjesërisht edhe nga profesori Jean-Pierre Changeux i Institutit “Pasteur” i cili u tha medieve franceze se ndoshta është roli i nikotinës në receptorin qelizor që përdoret nga koronavirusi duke parandaluar ose penguar hyrjen e tij në qeliza.

Çështjen e nikotinës, ministri francez i Shëndetësisë, Olivier Véran e quajti “interesante”, por që natyrisht që duhet ende të sqarohet. Si hap i parë pas marrjes së autorizimit do të ketë një testim me nikotinë te persona të ndryshëm duke filluar nga personeli shëndetësor dhe më pas te pacientët e shtruar në spital, por jo në gjendje serioze dhe në fund te pacientët që mbahen në terapi intensive.

“Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm, për të mos harruar efektet e dëmshme të nikotinës të cilat janë të njohura” – tërhoqi vëmendjen kreu Shëndetit publik në Francë, Jérôme Salomon. Ai tha se është e njohur që simptomat janë më të rënda te personat që pinë duhan.

“Le Monde” përmend edhe një tjetër studim të bërë në Kinë të publikuar muajin e kaluar në “New England Journal of Medicine” që kishte marrë në analizë një kampion me 1 mijë persona të infektuar. U vu re se duhan pirësit ishin 12,6% e tyre, sërish një shifër mjaft e ulët nëse e krahason me duhanpirësit në Kinë që llogaritet diku te 28%.

Nuk është e gjitha. Një tjetër studim është bërë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 7 mijë pacientë dhe vetëm 1.3% e tyre janë duhanpirës kur në këtë vend llogariten 10 herë më shumë konsumatorë të duhanit.

Bertrand Dautzenberg, ish-pneumolog dhe tashmë President i shoqatës “Paris Sans Tabac” i tha BFM TV se duhen pritur të dhënat e sakta.

“Është duhani apo nikotina? Nuk e dimë. Duhani nuk do të jetë kurrë një zgjidhje për të luftuar covid-19. Kjo do të thotë të luftosh pneumoninë me kallashnikov. Gjithmonë duhet të ndalojmë pirjen e duhanit, cigarja nuk do të jetë kurrë diçka pozitive” – thotë ai.

Por çfarë thotë OBSH?

Kjo organizatë ndërhyri menjëherë për të sqaruar situatën dhe qëndrimin e saj për këtë çështje duke i konsideruar duhanpirësit më të rrezikuar nga virusi. Sipas ekspertëve të OBSH, vetë akti i pirjes së duhanit shton rrezikun pasi gishtat afrohen te goja dhe ndoshta cigaret mund të jenë të kontaminuara.

“Është e rrezikshme të mendoni se duhanpirja ju shpëton. Ky është një zakon i keq dhe nuk mund të trajtojë këtë urgjencë pandemike” – tha Giovanni Maga, drejtor i Institutit të Gjenetikës Molekulare të Këshillit Kombëtar të Pavias që mbështeti qëndrimin e OBSH.

LAPSI.al

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF