KreuArt

Djali i Sandër Prosit tregon të “pathënat” : Nuk kishim televizor, babai filmat i shihte tek..”

Është thënë e treguar shumë për kollosin e skenës dhe të kinematografisë shqiptare, Sandër Prosi.

Por duket se ka ende të pathëna, të cilat i rrëfen vetë I biri, Aristidhi, dhe i përcjell të plota Memorie.al.

Një figurë që vazhdon të aq e dashur për publikun shqiptar, e kërshërinë për të cilën duket se koha nuk e zbeh. Kështu, mësuam se në rininë e tij, përveç punës që bënte në klinikën stomatologjike të vëllait ku shkonte shpesh për ta ndihmuar, kishte prirje e pasion për muzikën dhe luante bukur në kitarë, violinë, apo këndonte bukur në korin e Kishës Orthodokse në Tiranë, bashke me shokun e tij të ngushtë, Prokop Mima. Muzikën e kishte pasur pasion.

Ndonëse fëmijët e Jovan Prosit ishin të dhënë të gjithë pas profesionit të stomatologut, Sandri dallonte prej tyre e që kur ishte në bangat e shkollës fillore, shfaqi prirje për muzikën. Këtë pasion i’a ushqeu dhe babai i tij, i cili merrte leksione violine nga mjeshtri i madh, Ludovik Naraçi. Sandri studioi disa vite edhe instrumentat e fizarmonikës dhe kitares, madje aty nga fundi i viteve ‘30, ai zuri vëndin e parë në një konkurs violine të organizuar nga Ministria e Arsimit e Kulturës së asaj kohe. Përveç muzikës, ai ishte i dhënë shumë edhe mbas kinematografisë botërore dhe asokohe ai mbildhte foto të ndryshme revistash të filmave italianë duke i koleksionuar ato. Pas mbarimit të gjimnazit në vitin 1938, mundi të përfitojë një bursë nga qeveria e Zogut, për të studiuar për stomatologji në një nga universitetet e Vjenës. Në kryeqytetin austriak, ai studio për dy vite, dhe më pas atij i’u ndërpre bursa pas pushtimit italian të Shqipërisë. Si pasojë e kësaj ai u detyrua që të kthehej në Tiranë, ku herë pas here ndihmonte të vëllanë, Kleanthin në klinikën dentare.

Më pas ai shkoi në Bari të Italisë, ku disa nga miqtë e tij anti-fashistë që ishin të internuar aty, i thanë që të mos rikthehej në Tiranë, pasi aty kishte shpërthyer lufta. “Unë nuk i dëgjova këshillat e miqve të mi, pasi kisha dobësi për nënën time Aspasinë”, do të kujtonte më vonë lidhur me kthimin e tij në atdhe. Si ishte më tej jeta e tij?

Edhe pse Sandër Prosi pati një ngritje të shpejtë si aktor duke u bërë një nga më të njohurit e kinematografisë shqiptare, ai bënte një jetë tejet të thjeshtë. Së bashku me të shoqen Filomena dhe dy djemtë Aristidhi e Adriani (të dy muzikantë) deri në vitin 1976, kanë banuar në një shtëpi të vjetër tiranase, e cila kishte vetëm një dhomë e një kuzhinë, te rruga e “Barrikadave”. Në vitin 1976, shteti u detyrua që t’i jepte një apartament më të zgjeruar aktorit të madh. Në atë shtëpi, Sandri përgatiti pjesën më të madhe të roleve të tija, ku spikati ai i Otellos, për të cilin i’u desh katër vite punë.

Prosi nuk e kishte kurrë zakon të ankohej për kushtet në të cilat banonte dhe punonte. Ndonëse ishte një nga më të famëshmit e kinematografisë shqiptare, nuk kishte as televizor në shtëpinë e tij dhe shumë nga filmat e kohës ishte i detyruar që të shkonte për t’i parë tek i vëllai Kleanthi. Siç tregojnë kolegët dhe familjarët e tij, Sandër Prosi ishte i mbyllur në vetvete. Lidhur me këtë djali i tij Aristidhi kujton: ”Babai bënte një jetë të rregullt familjare. Ai nuk pinte alkol, ndonëse frekuentonte zakonisht barin e “Vollgës” dhe atë të katit të tretë në Pallatin e Kulturës, që ishin dhe dy nga lokalet ku ai shkonte zakonisht me kolegët e tij artist, (nga miqtë më të afërt kishte Prokop Mimën e Naim Frashërin) dhe pinte rreth shtatë-tetë kafe në ditë, të cilat i shoqëronte me tre paketa cigaresh”.

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF