KreuArt

Është vera e parë 100 përqind shqiptare! Të njohim Shqipërinë e plotë, apo ndryshe si lindi konkursi #shqipëriangashtëpia

Nga Ilda Lumani

Secili gjeti një mënyrë për të kaluar ditët e izolimit, kur coronavirusi COVID 19 ishte një kërcënim prezent për të gjithë ne. Librat, filmat, gatimi ishin regjimi i ri për shumicën tonë, teksa përtej këtij itinerari në përditshmërinë time mori një lloj vëmendjeje edhe Instagrami, ku gjeti më në fund kohë pasioni im për fotografinë. Dhe në këtë rast ishte zbulimi i fotografëve të natyrës, të famshëm në botë, por edhe njerëz pasionantë si unë, që kishin fiksuar në aparatët profesionalë e ata celularë momente, peisazhe, vende të bukura, natyrë relaksuese, motivuese e që frymëzonte ditën time…

Teksa ky kërkim u kthye në një rit, mjaft mikesha, njerëz të njohur dhe të panjohur, lexues të revista BORDO, më inkurajuan ta vijoja këtë udhëtim virtual. Hobi u kthye në një terapi, ndërsa një nga ditët e fillim majit një e njohura ime Ornela Çuçi, më kërkoji ta fokusoja këtë temë në vendin tonë. Sigurisht Ornelën nuk e bashkonte vetëm hobi, pasioni, dashuria që ndajmë për vendin tonë Shqipërinë, promovimin e vendeve të mrekullueshme që Shqipëria ka dhe pak i njohim, përtej sensibilitetit të saj, pozicioni si zëvendës ministër i Turizmit dhe Mjedisit ja ka kthyer në stil jetese këtë vëmendje, një mision ndaj Shqipërisë.

Ornela Çuçi

Ideja e saj për të pomovuar #shqipëriangashtëpia ishte e mrekullueshme dhe u prit krahëhapur nga unë, jo vetëm sepse përputhej me vizionin tim për njohjen dhe evidentimin e plotë të Shqipërisë, por se edhe e kisha testuar ndjeshmërinë e njerëzve në këtë aspekt, kur dy vjet më parë në gusht të 2018-ës, në revistën BORDO organizuam konkursin #shqipërianëfoto, që rezultoji një befasi për mua, në pjesëmarrjeje dhe fotot që dëshmonin destinacione të panjohura dhe vende përrallore!

Ne ende nuk e njohim Shqipërinë 100 përqind. E kur, Ornela hodhi këtë shkëndijë tek unë, e dija që konkursi i këtij Maji nuk do të ishte vetëm një garë komeptitative mes njerëzve për një apo disa çmime, se kush do të jetë fotoja më e bukur, por do të ishte një zbulim për atdheun tonë… Misioni ynë në fund të fundit!

Ne ende nuk e njohim Shqipërinë… dhe tashmë që jemi afër fundit të këtij konkursi, i cili nisi në datën 17 maj në faqen e instagramit ilda_lumani (ku janë prezantuar qindra fotografi), kam parë mjaft vendeve, të cilat janë tashmë në listën e udhëtimeve të mia të ardhshme… Besoj ashtu sikundër edhe tuajat.

Mjaft njerëz, miq të mi, por edhe të panjohur më kanë shkruar e përgëzuar për këtë iniciativë, që nuk do të merrte kurrë jetë, nëse Ornela nuk do të më motivonte: Pse nuk promovon Shqipërinë?! Dhe për të promovuar Shqipërinë, të cilës Zoti i ka falur një natyrë të rrallë, në vetëm 28 mijë kilometra katrorë takon malin, liqenet, lumenjtë, detin e pafund…,- nuk duhet të ketë nevojë për shtytje, atë duhet ta bëjë gjithsecili prej nesh. Nuk duhet të presim iniciativa shtetërore apo agjencish turistike…

Promovimi i Shqipërisë është diçka që duhet ta bëjë secili prej nesh. Mund të lindë fare thjesht, si një bisedë mes dy mikeshash dhe të kthehet në një zinxhir që prek dhe motivon çdo njeri!

Andaj, teksa bëni planet për këtë verë që është në prag, mbajeni më shumë në mendje dhe në zemër vendin tonë… Jetojini dhe shijojini këto pushime si të ishin zgjedhja juaj e parë. Është vendi ynë, Shqipëria jonë e mrekullueshme, që pret ta njohim të plotë! Ky është rasti! Kjo është vera e parë 100 përqind shqiptare!
Pushime të gëzuara të gjithëve!

 

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF