KreuCelebrity

Ekskluzive/ Adel Lami: Një listë dëshirash në pritje të magjisë! 

Nga Nada Biraçi/ Fotografia Fani Aliko

Për një balerinë karriera jashtë kufijve shqiptarë mund të duket e vështirë… Por ama jo për një vajzë ambicioze si Adel Lami, e cila ka gjetur veten e saj në Tokën e Premtuar, ku është bërë pjesë e produksionit të famshëm“The real dirty dancing”. Nga ana tjetër ndjekësit e saj në Instagram njohin një tjetër dimension të saj, atë të një fashioniste, që guxon në gjithçka. Në një udhëtim të shkurtër në Tiranë, ajo ndau me BORDO pikërisht këtë rutinë të re të saj, mes baletit, modës dhe synimeve për të ardhmen, së bashku me një set fotografik ekskluziv…

Adel, kur ka nisur bashkëjetesa jote me modën, stilin? 

Bashkëjetesa ime me modën ka lindur me mua. Jam rritur nga dy prindër shumë të apasionuar pas modës, gjë që më inspiroi dhe mua.

Nëse sheh instagramin tënd nuk ka asnjë ndryshim me llogaritë e blogereve të modës dhe shumë ndjekës emrin tënd e lidhin më shumë me modën sesa me baletin. Si e sheh ti këtë fakt? 

Më pëlqen që shumë njerëz më quajnë si influencuese mode por edhe s’më pëlqen sepse në fakt unë jam balerinë dhe ky është profesioni dhe pasioni im numër 1. Por nuk ju vë faj sepse në pamundësi për të postuar shumë video kërcimi të shfaqjeve për shkak të copyrights, nxjerr më shumë foto nga jeta ime e përditshme. Po përpiqem ta ndryshoj këtë fakt, ose më saktë të krijoj një balancë mes të dyjave.

Për të ndjekur modën duhet të jesh e pasur? 

Për të ndjekur modën pikë së pari duhet të jesh e apasionuar pas saj. Kam njohur njerëz me mundësi ekonomike shumë të mira, të cilët nuk janë aspak të dhënë pas saj dhe veshin veshje tepër modeste. Sigurisht të kesh të ardhura ekonomike të ndihmon të kesh një varietet më të madh veshjesh dhe brandesh.

Jeta jote është e ndarë mes New Yorkut dhe Tiranës; duke bërë një krahasim të stilit të rrugës së veshjes së të rinjve amerikanë me ata shqiptarë çfarë të ka rezultuar? 

Të dy këto qytete kanë stil. Unë jam lindur dhe rritur në rrugët e Tiranës dhe atë stil mendoj se e përcjell edhe sot në NY edhe pse NY ka krijuar influencën e tij tek unë. Ndoshta jam e njëanshme por mendoj se të rinjtë shqiptarë vishen shumë herë më mirë se ata amerikanë, të paktën për shijet e mia.

Cili është ai trend mode që Adel nuk do ta vishte kurrë? 

Atletet converse.

Cila është veshja më e lirë që ke në gardërobë? 

Mund të kem dhe bluza 5 dollarë, e sigurt. E mira e NY është që mund të gjesh veshje shumë interesante me çmime shumë të lira. Asnjëherë s’e kam paragjykuar një veshje nga çmimi që mbart.

Po më e shtrenjta? 

Një peliçe që është trashëgimi nga nëna ime. Falë zotit s’e kam blerë vetë, se s’do mundja jo për gjë.

Si një vajzë që je përherë e azhornuar me të rejat nga bota e modës; a të ndodh ndoshta në mënyrë të pandërgjegjshme të paragjykosh njerëzit që nuk vishen bukur? 

Nëse do pyesje miqtë e mi të ngushtë do të të tregonin se Adel është një nga njerëzit më paparagjykues që mund të njohësh; kështu që paragjykim absolutisht jo, por mund të them që me një shikim të parë lidhem më shpejt me njerëz të kuruar në detaje, pasi na bashkon pasioni për të bukurën.

Ndërkohë karriera jote si balerinë duket se është në ditët më të mira. Ç’mund të na thuash për pjesëmarrjen në “The real dirty dancing”? 

Kam 20 vjet që them që jam ende në fillimet e mia por faleminderit për mendimin dhe vlerësimin tuaj. Një ëndërr që nuk e kam ëndërruar por e bërë realitet. Sigurisht është e pabesueshme të zgjidhesh pjesë e një produksioni prej vetëm 8 balerinësh në një market balerinësh kaq të madh në Amerikë. Pjesëmarrja në një reality show të asaj përmase përveç se më dha pafundësisht lumturi, më mësoi kaq shumë për të qenë një njeri i thjeshtë. Një produksion që më mësoi të fluturoj në skenë por të jem me këmbë në tokë çdo ditë të jetës sime. Ky produksion i ka rritur kaq shumë pritshmëritë e mia në lidhje me profesionalizmin, respektin ndaj balerinëve dhe kualitetin e punës.

Në këtë pikë të karrierës, cili do të ishte ai projekt që do të të sillte në Shqipëri? 

Dashuria ime për televizionin është shumë e madhe dhe ajo dashuri do më kthente në Shqipëri qoftë edhe për pak kohë (disa muaj). Nuk do t’i thosha jo prezantimit të një festivali apo një emisionit tim.

Një ditë kur nuk do të kesh më mundësi për të bërë balerinën; çfarë profesioni mendon se do të kesh? 

Po flasim për një të ardhme shumë të largët, por fatmirësisht kam shumë pasione të cilat fare lehtë kthehen në profesion jete, për jetën time pas baletit. Sigurisht politika është e para në listën time të gjatë.

 

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF