KreuFashion

Bojëra mbi flokë…histori dhe tendenca!

Bojëra mbi flokë

Historia e ngjyruesve të flokëve nga frika e plakjes, nga viktimat e para që tentuan të ktheheshin në bjonde, deri tek tendencat e viteve të fundit, duke i lyer ato me bojëra me efektin e thinjave.

Për shekuj me rradhë, boja e flokëve ka ndihmuar njerëzimin të portretizojnë një imazh të caktuar me standardet e bukurisë. Gratë në veçanti kanë provuar prej kohësh sesi të kombinojnë idetë e tyre femërore të stilit, me ngjyrën e flokëve, duke përsosur pamjen e tyre. Nga ana tjetër, statusi i flokëve ka shërbyer si një gjykim i personalitetit të kategorive shoqërore. Por ndërsa deri në vitin 2025, parashikohet që tregu global i ngjyrave të flokëve të arrijë në 28 miliardë dollarë, ose 8 % më shumë krahasuar me vitin 2019, kjo tregon se gratë, por jo vetëm, kanë një tërheqje të fortë ndaj nuancave të ndryshme për flokët e tyre.


Interesi për ngjyrosjen e flokëve, nisi nga burrat dhe gratë, për të përmirësuar pamjen e tyre që kur filluan të shfaqeshin fijet e para gri të thinjave. Qytetërimet antike tregojnë se në lashtësi ngjyruesit merreshin nga lëvorja e pemëve, shushunjat e deri tek vezët, produkte të cilat u zbehën, pas shfaqjes së pluhurit të kënasë, e cila përdorej gjerësisht në Lindjen e Mesme dhe Indi. Grekët e lashtë preferonin nuancat e arit, pra flokët bjondë, që lidheshin me pamjen e perëndeshës Afërdita, e cila simbolizonte dashurinë dhe rininë, por kjo ndryshoi kur nisi të masivizohej, pasi prostitutat greke dhe romake të klasës së lartë zgjodhën ngjyrën bjonde për të qenë më sensuale. Grekët dhe Romakët krijuan për herë të parë ngjyrën e zezë, madje të përhershme, duke fermentuar shushunjat, të cilat mbaheshin në enë prej plumbi për dy muaj, por kjo teknikë ndryshoi pas qindra vitesh, pasi kishte efekte toksike.
Në Mesjetë në Evropë, ngjyrosja e flokëve filloi të shndërrohej në një zakon kryesisht femëror. Ato përdornin përzierje lulesh, shafran dhe veshka viçi, për të krijuar tonalitetet bjonde, që nga Katolikët Romakë u konsideruan tunduese. Ndërkaq, për të krijuar ngjyrat e kuqe, përdorej një përzierje e shafranit dhe pluhur squfuri, edhe pse kjo e fundit shkaktonte dhimbje koke, duke u bërë mjaft popullore gjatë sundimit të Elizabeth I të Anglisë në shekullin e 16-të.


Gjithçka ndryshoi në vitet 1800, kur kimisti anglez William Henry Perkin bëri një zbulim aksidental që ndryshoi ngjyrën e flokëve përgjithmonë. Në një përpjekje për të gjeneruar një kurë për malarien, Perkins krijoi ngjyrën e parë të sintetizuar në 1863. Pas kësaj, August Hoffman nxori një molekulë që ndryshon ngjyrën dhe ajo mbetet ende themeli për shumicën e ngjyrave të përhershme të flokëve edhe sot.
Ngjyra e zezë dhe e kafenjtë, ishte e preferuara në gjykatat italiane, kjo falë artistit italian të Rilindjes Tician, i cili pikturoi bukuritë femërore me këto tonalitete. Në shekullin e 18-të, elitat evropiane favorizuan flokët bjondë dhe pastel të bërë nga mielli i grurit, e cila konsiderohet edhe periudha e artë e flokëve paruke. Evolucioni arriti diku nga shekulli i 19-të, por praktikimi i ndryshimit të nuancave ishte pak i rrezikshëm, madje vdekjeprurës, kjo për të shkak të përdorimit të acidit sulfurik.
Në 1907, kimisti Eugene Schueller përdori para-fenilenaminë, një kimikat i cili krijoi ngjyrën e parë sintetike në botë, të cilën ai e quajti Aureolë. Dy vjet më vonë, Schueller themeloi biznesin e tij, kompaninë franceze të ngjyruesve të flokëve, L’Oréal.


Në dekadat e para të shekullit XX, gratë kishin frikë nga formula e ngjyruesve të flokëve, pasi ato kishin kimikate dhe kjo konsiderohej e pasigurt. Në vitet 1940, kur tendencat e bukurisë u bënë më popullore, sallonet ofruan për klientët këtë shërbim për të fshehur fillimisht thinjat dhe ankthin nga plakja. Një reklamë e markës franceze L’Oréal e vitit 1920 përshkruan një grua të trishtuar teksa sheh thinjat, e më pas shfaqet e buzëqeshur me flokët e zinj, në sloganin “Jo më flokë të thinjura, përgjithmonë 30 vjeç”. Presioni ndaj grave për të ruajtur ngjyrën e tyre të flokëve natyrale, nxiti prodhuesit përmes reklamave që të ofrohej një gamë më e madhe ngjyrash.
Por a keni menduar ndonjëherë nga vjen termi bjonde platin? Falënderoni Howard Hughes, i cili në 1931 u shfaq në film “Platinum Blonde” për të promovuar ngjyrën e flokëve të aktorit Jean Harlow. Shumë e ndoqën këtë trend, mes tyre emra të njohur, edhe pse është ironike që Harlow nuk i leu kurrë flokët e tij.
Lawrence Gelb avancoi formulën në vitet 1930, por zbulimi revolucionar erdhi në vitin 1950. Atë vit, kompania Clairol e themeluar nga Gelb prezantoi produktin e parë që ngjyroste flokët përmes një larje, me anë të shampos në shtëpi. Nga fundi i viteve 1960, ngjyrosja e flokëve ishte e zakonshme, madje në 1968 amerikanëve u kërkohej të deklaronin ngjyrën e flokëve në pasaporta.
Nëse në vitet 1950 vetëm 4-7% e grave amerikane i lyenin flokët, deri në vitet 1970, shifra arriti 40 %.
Një studim i OnePoll për vitin 2019 tregon se sot 70 për qind e grave i lyejnë flokët rregullisht. Garnier Black Naturals, në pronësi të L’Oréal, aktualisht është markë e cila ka shitjet më të larta në nivel global.
Sot sapo ndizni televizorin shihni Eva Longoria apo Sarah Jessica Parker, të cilat reklamojnë produktet e bojës së flokëve. Gjithçka filloi në vitet ’80, dekadë kur u propozua që personazhet e famshëm mund të kthehen në imazhi shitjesh dhe të shërbejnë si frymëzim për gratë.


Vitet e fundit është vënë re një tendencë në rritje e flokëve me nuanca të hirta, nga efekti metalik i argjendit e deri tek ato me fije natyrale, duke bërë që frika nga thinjat, të mos jetë një makth si dikur, madje edhe për moshat e reja.
Në maj të vitit 2014, ndërsa shumica e popullsisë po përqafonte ngjyrat e ndryshme të flokëve, një pjesë sa më pranë nuancave natyrale, Kylie Jenner u shfaq e transformuar me flokë të kaltër, duke u kthyer në një shembull për miliona gra në botë. Ndaj edhe sot ngjyrat e flokëve e kanë zgjeruar gamën e tyre. Sot mund të shihni pamje të besueshme nga flokët gri deri tek ato me nuanca të ndezura, duke revolucionarizuar gjithçka falë trendeve të modës. Kjo ka ndihmuar tregun të rritë fitimet, ndërsa gratë të kthehen në kameleonë të vërtetë dhe gjithmonë me një bukuri, e cila ka si referim ngjyrën e flokëve.

___________

Botuar ne Revisten Bordo

Qershor-Korrik

 

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF