KreuCelebrity

Intervistë me Cillian Murphy!

Cillian Murphy

Profili aspak vanitoz i një aktori, jeta e të cilit nuk ngjan me Peaky Blinders, familja dhe pasionet, edhe disa sekrete të vogla që nuk i dinit për skenat e serialit britanik. 

Portreti i djaloshit irlandez, me kostum stofi me cirkë, këmishë me jakë të shkurtër të bardhë, pa kravatë, një cigare në buzë që digjet ngadalë, është padyshim Tommy, heroi i serialit Peaky Blinders. Tani që xhirimet kanë mbaruar, e takojmë në vendin e tij të preferuar, në një kodër në bregdetin e zymtë irlandez, aty ku edhe jeton me gruan, aktoren Yvonne McGuinness, dy djemtë e tij dhe një qen Labrador me emrin Scout.

Cillian Murphy 43 vjeç, po jeton një periudhë të artë të karrierës së tij. Rrjetet sociale janë mbushur me fytyrën e tij, kolona zanore është kthyer në një himn, ndërsa batutat e Peaky Fucking Blinders, janë për dreq shumë në modë. Por ai nuk ka as Instagram, ose Twitter. Nuk bën foto me fansat, por i shtrëngon duart, e nis me ta ndonjë bisedë. Sepse Cillian nuk dëshiron të jetë i famshëm. Kjo ndoshta e shpjegon edhe arsyen pse Murphy në ekran është paksa drithërues, me portretin një djaloshi të mërzitur, të cilit duan t’i ngjajnë të gjithë në jetën reale. Por ai nuk është aspak i tillë në jetën reale.

Cillian Murphy, lindi në Irlandë dhe u transferua kur ishte 15 vjeç në Londër, ku nisi studimet për Drejtësi, por i braktisi ato për të ndjekur ëndrrën e aktrimit. Në dukje është kompakt dhe këtë e fsheh me një lloj atletizmi që e mbështjell vazhdimisht me batuta. “Për rreth 6 muaj të vitit, jam i lumtur sepse shëtis me qenin, gatuaj makarona për fëmijët e mi, i bëj dhurata gruas time, e pastaj për 6 muaj të tjerë, jam në sheshxhirime në Manchester, vendi ku janë realizuar skenat e Peaky Blinders”- thekson Cillian.

Seriali i BBC, i cili transmetohet në Netflix, paraqet Murphy-n si një gangster të shekullit të 20-të: Tommy Shelby, i cili pothuajse në çdo skenë shfaqet me një gotë alkool ose cigare në buzë. Ky profil ka qenë model për të gjithë ndjekësit, por ama ka një të vërtetë të madhe në jetën reale të aktorit. Megjithëse Murphy është parë rrallë pa cigare në gojë në skenat e Peaky Blinders, aktori nuk është duhanpirës. “Unë nuk pi kurrë duhan. U kërkova djemve të produksionit të numëronin cigaret që kam pirë gjatë një sezoni dhe më thanë 1000. Kjo më frikësoi pa masë, për mesazhin që mund të kem dhënë tek publiku”. E në fakt Cillian ka të drejtë, sepse e vërteta është se ato që duken si cigare në çdo episod, janë gjethe të thara trëndafili, ndërsa uiski që bandat shpesh pijnë është thjesht ujë me ngjyrë.

Ai nuk e mohon aspak se ndoshta graviteti i Tommy Shelby do të humbiste nëse do t’i besohej dikujt tjetër. Kur ulet darkave dhe sheh skena të ndryshme nga seriali kur i është dashur të luajë rolin e një djaloshi të lezetshëm, seksi, por edhe kërcënues, fsheh sytë me dorë, sikur do të thotë: Ky nuk jam unë!

“Kur e lexova skenarin, mendova se ishte një titull i tmerrshëm. Por pak nga pak arriti të më bindte në çdo skenë, edhe pse nuk më pëlqen fakti që historia e sjell Anglinë në një kontekst paksa brutal”. Gjithsesi, ky rol e ndryshoi totalisht trajektoren e karrierës së Murphy. Regjisorët e Hollivudit e piketuan shumë shpejt për rolet e tyre, herë si hero, e herë si një keqbërës me buzëqeshje të çiltër.

Ka nisur të dojë dhe studiojë çdo gjë që sheh në ekran nga Peaky Blinders. Fokusohet pas detajeve: flokët, kostumet, e sidomos muzika, e cila është një nga pjesët më të bukura që dëgjon më shpesh. “Ka pasur momente kur më ka ardhur turp nga pamja e rolit tim. Kur parukierja Luara Schiavo më preu flokët për herë të parë në modelin që shihni në ekran po më vinte aq turp, sa i fshihja me një kapele. Sa herë bisedoja në video me djemtë e mi, ata më shikonin dhe qeshnin’- kujton Cillian. Ndoshta, sepse nuk duhet të kishte ditur historinë e tyre, ishte një model flokësh i frymëzuar nga disa foto të vjetra të një bande kriminale australiane, që për fat sot është kthyer në modë falë Peaky Blinders.

Fytyra me quka, një buzëqeshje e lehtë e sidomos shpjegimi i gjithçkaje me lëvizje duarsh, tregon karakterin e vërtetë të aktorit, edhe pse në kamera Cillian nuk shfaqet kaq i lumtur. Fytyra e tij është e grimuar dhe rregulluar në mënyrë të tillë që drita e drejtpërdrejtë godet mollëzat e tij shumë të ngritura, duke krijuar një hije. “E fillova Peaky Blinders kur isha 36 vjeç, tani jam 43, pra gati një dekadë. Për mua ishte një korsi e sigurt suksesi, por kur mendoj sa pak kohë kaloj me familjen, them që nuk është e drejtë të jap kaq shumë për karrierën, sesa për njerëzit e mi të dashur”.

Kur e pyet se kur do të përfundojë Peaky Blinders, ai qesh. Kjo është pyetja që i bëjnë më shpesh. “Gjithçka do të përfundojë me tingullin e sirenave të sulmit ajror të Luftës së Dytë Botërore. Dëshiroj që gjithçka të mbarojë me paqe”- përfundon protagonisti i serialit Peaky Blinders, aktori Cillian Murphy.

____________

Botuar ne Revisten Bordo

Qershor – Korrik

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF