Martin Leka, letër mikut që mungon prej 18 vitesh: I dashur Dori, do thuash, ‘unë qenkam mirë këtu’!

Më 2 shtator mjeshtri i penës Teodor Keko, që prej 18 vitesh i mungon familjarëve, miqve e atyre që ja deshën fort stilin e të shkruarit, pati ditëlindjen.

Një prej miqve më të ngushtë me të cilët shpesh Dori (siç njerëzit e afërt e kanë quajtur gjithmonë) gazetari Martin Leka e ka kujtuar mikun e tij të vjetër, nëpërmjet një letre të gjatë, në çdo shronjë të së cilës lexohet malli e nostalgjia që ka Leka ka çdo ditë për Dorin.

Hedhur në rreshta çdo kujtim, e gjithçka ka ndodhur këto 18 vite në mungesë në Teodorit, duket se nëpërmjët kësaj letre malli, Leka e ringjalli mikun e tij të vjetër, ndonëse shpirtërisht ata duken se s’janë ndarë kurrë.

Letër Teodor Kekos

I dashur Dori!

Ti sot ke ditëlindjen dhe ne, shokët e tu, nuk e harrojmë këtë ditë! As në kohë të mira, as në kohë gërdalle. Madje po të them se po jetojmë një kohë të çuditshme. Kohë pandemie. Ka rënë një virus në botë Dor, dhe përveçse na mbylli brenda shumë ditë e javë, vazhdon të na bëjë zbor. Është një kohë kur e vetmja mënyrë për ta luftuar është të mos takosh njeri më afër se 2 metra, të lash mirë duart me sapun disa herë në ditë, të mbash maskë, sidomos në ambiente të mbyllura! Kohë maskash domethënë. U kënaqën edhe ata që gjithë jetën fytyrën e kishin maskë. Sepse u futën në tufë me të gjithë dhe u duket vetja si dynjaja. Kemi mbi 6 muaj që luftojmë me këtë virusin e padukshëm dhe botës nuk i vlejnë as shpikjet, as kapitalet; nuk vlejnë më as mbushjet bërthamore, as raketat kozmike, as udhëtimet për në Hënë apo Mars. Botës po ja bën “rrup-sup” një grimcë e padukshme, edhe pse ka plot “të mençur” asimptomatike që thonë se kjo është trill ose “konspiracion botëror”?!

Nuk dihet kur do të mbarojë kjo luftë e ku makth, por një gjë na tregoi kjo kohë: të gjithë jemi të barabartë: si ai që punon ndershmërisht, si ai që vjedh gjithë ditën; si ai që s’ka një kacidhe, si ai me trilion dollarë; si burrat, si gratë; si punëtorët e ujësjellësit, si shkencëtarët; si ekonomistët, si fermerët; si të shkolluarit, si analfabetët; si presidentët e botës, si lypësit nëpër rrugë! Sa i lumtur jam unë p.sh.: jam njësoj me Presidentët e SHBA, Kinës e Rusisë, jam njësoj si Tramp, Xi Jinping apo Putin. Sepse ky virusi qenka si zjarri në pyll që nuk i zgjedh pemët kur bie!

Ka shumë që s’jemi parë Dori. Në raport me ty,18 vjet, për mua, për ne, janë thjeshtë një numër, asgjë më shumë. Nuk jemi parë të çmallemi, të pimë një cigare e një gotë birrë, të harlisemi në biseda pas gazetës gjer në 06:00 të mëngjesit tek Hotel Dajti me Sandrin, Blushin, Shkullakun, Bushatin, Bejten etj. e pastaj ti vëmë kapak me paçe e pilaf në pikë të sabahut. Shkurt hesapi, na ka marrë malli për bohemin më të famshëm e më simpatik të Tiranës. Sepse të jesh edhe bohem edhe shkrimtar; edhe bohem edhe poet; edhe bohem edhe gazetar; edhe bohem edhe deputet, edhe bohem edhe politikan, është unike, e papërsëritshme.

Unë e di që ti tani po thua “ky ose paska rrjedhur, ose tall trapin”, ndaj për të të treguar që së paku nuk po bëj këtë të dytën, nuk po vazhdoj të flas për ty, sepse ty të njeh gjithë dynjaja përmes namit që ke lënë, por po të tregoj disa gjëra për nahijen tonë këndej. Po të shkruaj pak gjatë.

Gati tre vjet pasi s’të pamë më, u bënë zgjedhjet. Socialistët ikën nga pushteti dhe atë e morën demokratët. Më saktë, iku Fatos Nano e erdhi serish Sali Berisha. Fatosi iku qetë, pasi i dorëzoi Saliut dosjen e pushtetit që socialistet mbajtën për dy mandate me tre kryeministra. Pushteti u dorëzua qetë e po kështu u mor. Në garën për partinë, socialistët zgjodhën në krye Edi Ramën. Për shumëkënd, kjo ishte surprizë, por ja që kështu ndodhi. Dhe që atëherë, në krye të socialistëve është Edi Rama. Që të mos humb fillin, po të them që Edi është aktualisht njeriu më i fuqishëm në vend, i cili dominon jo vetëm partinë, por gjithë politikën. Ca i thonë autokrat, ca diktator, ca hajdut, ca kriminel; të tjerë i thonë vizionar, revolucionar, prijës. Përpos të gjitha këtyre epiteteve, Edi vazhdon te jetë kryeministër në mandatin e dytë qeverisës dhe sipas tij e socialisteve, do marrë dhe mandatin e tretë, për t’u bëri i pari që e arrin këtë (nëse do ndodhë). Kur ishte në opozitë, bëri një demonstratë para kryeministrisë ku garda e Republikës vrau 4 protestues. E megjithatë, në pushtet erdhi vetëm me votë në zgjedhjet e zakonshme. Edhe Luli thotë se PD në pushtet do vijë me votë, edhe pasi bëri harakiri deputetët e vet dhe kryetarët e Bashkive: nuk kanë asnjë kryetar bashkie dhe asnjë deputet!

Sali Berisha e ka lënë partinë. Ditën që njoftoi largimin, turmat qanë me “oi” dhe ka nga ata që ende sot njohin për kryetar Saliun. Por kryetar i PD është Lulzim Basha. Ky është një djalë relativisht i ri, i cili ka qenë 4 vjet kryetar i bashkisë së Tiranës dhe ministër i Jashtëm e i Brendshëm në qeverinë Berisha. Luli është njeri i qetë, i kulturuar dhe në pamje të parë duket sikur është për një tjetër PD, mundësisht diku nga vendet skandinave. Përkundër këtij opinioni, ka bërë një gafë të pafalshme politike: ka tërhequr gjithë deputetët nga parlamenti, d.m.th, kanë dhënë dorëheqjen gjithë deputetët e opozitës përveç dy prej tyre. Mirëpo ç’ndodhi? Shumë prej atyre që as në ëndrrën më të lumtur nuk e kishin parë, pranuan të bëhen deputete nga lista dhe sot kemi sërish parlament (jo me 140 deputetë). Për nivelin intelektual të tyre, nuk po flas fare, se s’kam fjalë ta përshkruaj. Mysybet o burrë!

Dori, politika ka “evoluar” dhe është “pjekur” shumë. Dy partitë e mëdha janë hapur e po hapen. Madje po hapen gjer në shqyerje. Aq shumë janë hapur, sa thonë se për të takuar një socialist, duhet të pyesësh 10 rilindës. Në krahun djathtas pastaj, hapja ka shkuar në ekstreme. Aq sa ti do çuditesh. Kaç Islami ka hyrë në gjirin blu, u bë deputet i PD-së o Dor. Pse qesh?! Po mo po, deputet i PD-së, partisë që bashkëthemelove. Kësaj i them hapje unë!

Partitë e vogla janë po ato. Kodet e ligjet që kanë bërë “të mëdhenjtë”, Rama me Berishën, i kanë futur ato si bretkosat në moçal, pa mundur të kenë vizionin apo idetë që do ti bënin të pavarura. Ato varen ose majtas, ose djathtas. Do një paradoks?! Çamët dhe grekët, d.m.th Idrizi me Dulen që duhen si macja me miun, janë të dy në koalicionin e djathtë. Se mos harroj të të them: edhe bashkëluftëtarët e tu, Ceka e Imami, falë hapjes, tek foleja e vjetër shkuan. Njëri ambasador e tjetri shef kabineti i Berishës e Ministër i Mbrojtjes.

Shkurt hesapi, lesh e li kjo politika këtu!

Miqtë tuaj janë shpërndarë ngado nëpër partira, nëpër punëra të ndryshme apo që prej kohësh shohin punët e tyre pa bezdisur njeri.

Besnik Mustafaj merret më shumë me krijimtari.

Genc Ruli gjithashtu, pothuaj e ka nxjerrë në pension politikën aktive.

Remzi Lani ka qëndruar stoik, është aty ku e ke lënë.

Spartak Ngjela vazhdon luftën me të gjithë. Është po ai Taku që ke njohur.

Ed Selami është kthyer nga Amerika, ca kohë u bë aktiv në politikë, por tani askush nuk i di as adresë, as nam e nishan.

Ben Blushi thotë se nuk do merret më me politikë dhe është drejtor në Top-Chanel dhe shkruan libra!

Blend Fevziu me Opinionin e tij në Klan vazhdon të jetë në majën e shikueshmërisë, por politikisht s’ka opinion për të. Shkruan dhe ai libra!

Sandër Frangaj është bërë “oligark”. Sa qejf të isha dhe unë oligark, por skam lekë …

Mitro Cela vazhdon me Filip Cakulin.

Andi Bejtja pasi eksploroi disa media, aktualisht drejton “Syri”n e Çim Pekës.

Aleksandër Meksi, Mond Laçi, Tor Pustina, Gim Isaku, Nard Solis kanë shumë kohë që merren dhe shohin punët e tyre!

I dashur Dor Keko!

Që ta dish mirë, ti nuk u bëre i njohur dhe i dashur për ne vetëm me librat që shkrove! U bëre i njohur për njëmijë e një arsye të tjera, përfshirë krijimtarinë. Sepse ti ishe Unik e i Papërsëritshëm!

Sa për veprat, lum brezi që i lexoi, sepse ky brezi i sotëm nuk lexon më libra, por lexon celular. Jemi rrethuar nga vandalizmi kozmetik dhe estetik! Ah, se desh harrova: e megjithatë, ka aq shumë “Mjeshtra të Mëdhenj” sa pritet të dalë titulli “Mjeshtër i Vogël” të dallojmë turmën nga të përveçmit që lënë gjurmë e shenjë!

Tani po e mbyll duke të thënë sërish se na ka marrë malli, edhe pse ti me këto që lexove po më thua “unë qenkam mirë këtu”…

 

easy dinner ideas
Previous ArticleNext Article