Helidon Haliti me një ekspozitë vetjake: Në këto kohë të zymta, vjen “STILL A LIFE”!

Në këto muaj të vështirë pandemie, të ngërthyer nga shqetësimet njerëzit sikur e lanë pak jashtë fokusit ushqimin e shpirtit, artin. Por shkëputja me këtë bashkëudhëtar të kahershëm të njeriut nuk mund të zgjaste shumë, dhe ashtu si etja për normalitet, rikthehet me të gjithë forcën dhe mënyrat për të na formëzuar idetë, e për të na shtyrë drejt eksplorimit të nënvetëdijes apo të kuptuarit më të thellë të emocioneve tona. Pikërisht këtë ofron ekspozita vetjake e Helidon Halitit, “Still a Life”, një zhytje në ëndrrat e dëshirat e transformuara në penelata. “Në tërësinë e veprave të artit bashkëkohor ndikimi i ëndrrës mbetet një fenomen, i cili padyshim është përkthyer në fenomenologjinë e vetë këtij arti, një luajalitet i ndërsjellë midis imagjinatës njerëzore dhe krijimit konkret. Marrëdhënie kjo, e cila i jep përparësi në krijimin e një vepre artistike bashkëkohore, është të shprehi koncepte që stimulojnë intelektin. Në këtë rast, kur tentojmë të lexojmë apo deshifrojmë ëndrrën/ëndrrat, intelekti i stimuluar shndërrohet në një imazh të caktuar, ashtu sikurse ndodh edhe në pikturën e Helidon Halitit. Një artist, i cili imazhet që krijon duken sikur vijnë nga një hapësirë tjetër mendore, pikërisht përtej asaj që ne të tjerët arrijmë të perceptojmë në realitet […] – ai përmes ëndrrës filtron ndjesitë e tij, duke thyer në këtë mënyrë pamjen tonë konvencionale të gjërave… Një  ekspozitë, e cila rrugëton nëpër shtigjet ndjesore brenda qenies së artistit, ku ai falë pikturës ka arritur të shpërfaqë jo vetëm botë e tij shpirtërore, por dhe të reflektojë mbi të përditshmen që e rrethon.”, shkruan kuratori i saj, doktor Oltsen Gripshi.

Previous Article