Ekskluzive për BORDO/ Zana Krasniqi prezanton bashkëshortin dhe 4 fëmijët!

Nga Ilda Lumani 

Fotografia: Artan Korenica

Ka të njëjtën buzëqeshje të plot 15 viteve më parë: të madhe, joshëse e provokuese, por me një butësi të kadifenjtë. Rrelat ngjyrë gruri i derdhen lehtas mbi mollëza, ndërsa sytë e gjelbër smerald, janë akoma më të theksuar se më parë kur mbante mbi krye kurorën e Miss Universe. Zana Krasniqi, tani është bërë mama për herë të katërt, por ama është akoma më e bukur, jo vetëm për trupin e hatashëm, por edhe për një lloj pjekurie që porteti i saj ka gdhendur vitet e fundit, fakt këtë që ma përforcon fotografi Artan Korenica. Kthehet pas kaq vitesh në një sesion fotografik, ndaj nuk e fsheh që është entuziaste si një fëmijë, por ama nuk ka harruar rregullat bazë: një modele që di të sillet shumë mirë para kamerës dhe buzëqesh me gjithë shpirt. Në këtë intervistë për Bordo ajo rrëfen jetën e saj si nënë e katër fëmijëve, arsyen pse u rikthye të pozojë sërish dhe shumë impenjime të tjera, jo vetëm për jetën e saj të shëndetshme, por edhe për impaktin që me ndikimin e saj po jep në jetën publike kosovare. 

 

Zana, shumë vite larg vëmendjes së publikut. Ju kishte munguar kjo pjesë?

Dashuria dhe përkrahja e publikut është diçka që unë e vlerësoj shumë. Pauza ime mediatike ishte e rëndësishme për mua që t’i përkushtohem plotësisht familjes.

Pak ditë më parë ne realizuam kopertinën e BORDO, çka ju riktheu sërish në një set fotografik. Çfarë ndjesie përjetuat? Si ishte të bënit sërish modelen?

Ishte kënaqësi për mua që në rikthimin tim pata një ekip kaq profesional. Pas një shkëputje të gjatë, kur filloi foto sesioni, çdo gjë ishte shumë e natyrshme. Dukej sikur e vazhdova aty ku e kisha lënë.

Por, tanimë jeni një modele mama, jeni nënë e katër fëmijëve… Ndiheni mirë, krenare, që edhe pas katër lindjeve mund të bëni profesionin e modeles, falë fizikut tuaj të mrekullueshëm?

Mendoj që epiteti i nënës me katër fëmijë e ka bërë më të veçantë rikthimin tim. Ndihem krenare dhe e plotësuar.

Çfarë bëni në fakt ju për të pasur këtë fizik, të adhurueshëm për hir të së vërtetës?

Kujdesi ndaj vetes është i domosdoshëm. Madje do të doja ta kisha përdorur si mesazh për nënat: Nana e lumtur, rrit fëmijë të lumtur. Mundohem të kujdesem shumë për veten në mënyrë që të mund të kujdesem për fëmijët. Jam e varur në pilates, yoga, meditim, ushqim i shëndetshëm dhe mbi të gjitha qetësia shpirtërore është ajo që i kompleton të gjitha.

Zana, të gjithë janë kureshtarë të dinë më tepër për ju si nënë? Si e kujtoni momentin e parë kur u bekuat me këtë status?

Je aq e papërgatitur, e trembur, shumë e ndjeshme dhe në të njëjtën kohë ndjen një dashuri që ta ndal frymën. Është momenti më i bukur dhe më i vështirë në të njëjtën kohë. Është dashur të vijë fëmija i tretë me e përjetu me qetësi momentin. (Qesh)

Pastaj erdhën fëmijët e tjerë, një, dy, tre, katër. Është e vështirë të jesh nënë e katër fëmijëve? Si i keni raportet me ta? Je nënë e rreptë? Tolerante?

U shtuam shumë për një kohë të shkurtër, dhe po e shijojmë kaq shumë këtë familjen tonë të madhe. Është shumë e vështirë, kërkon shumë punë dhe përkushtim. Me katër fëmijë është e domosdoshme të jesh pak e rreptë. Edukimi është sfida më e madhe e një prindi. Mundohemi shumë që t’i rrisim me sa më shumë dashni e sa më pak gjëra materiale, në mënyrë që t’i përgatis për rrugë të drejtë. Kohëve të fundit jemi një ekip boksi, ku unë dhe burri jemi trajnerët e fëmijët janë boksierët. (Qesh)

Po fëmijët çfarë natyrash janë? Kujt i ngjajnë ata? A kanë marrë nga pamja juaj?

Fëmijët i kemi 2 me 2. Dy nga mami dhe dy nga babi përveç ngjyrës së syve që dominon ngjyra e mamit. E karakteret i kemi të përzier një futbollist, një stiliste të vogël, një boksier dhe një diva të vogël që e sundon shtëpinë.

Njohja dhe lidhja juaj me bashkëshortin, ka qenë gjithashtu e mbajtur larg syrit të mediave. Ku jeni njohur në fakt me bashkëshortin tuaj? Si ka nisur dhe si jua fitoi ai zemrën?

Gjërat e mira dhe të vlefshme i mbaj me fanatizëm vetëm për vete. (Qesh)  Për të pasur jetë të qetë dhe të lumtur mendoj që është e domosdoshme disa gjëra të mbahen private. Ne jemi takuar në Prishtinë, në kohën kur unë po punoja si modele në New York. Fita ishte shumë i matur, i butë dhe tejet i kujdesshëm. Mirëpo ishte shumë burrëror në të njëjtën kohë, gjë që mua më tërhiqte shumë te ai. Pavarësisht punës dhe vëmendjes që unë kisha nga publiku, Fita në mënyrë perfekte e menaxhonte qetësinë e vet, dhe më dashuronte mua, Zanën, shpirtin e Zanës e jo pamjen dhe famën time.

Nuk dihet asgjë në fakt për të. Me çfarë merret ai? Dhe sa ju ndihmon në rritjen e fëmijëve? Është një baba tradicional apo është i përfshirë po aq sa ju në jetën e fëmijëve?

Fita merret me biznes privat. Është tejet i përkushtuar ndaj fëmijëve, familjes në përgjithësi. Kjo e bën më të lehtë rikthimin tim me katër fëmijë. E di që fëmijët nuk janë vetëm po e kanë babin afër për çdo gjë.

Duke qenë se i jeni dedikuar 100 përqind familjes në këtë periudhë, ju vjen keq që keni humbur nga vetja dhe karriera në këtë kohë, apo ky proces ka qenë i mirëmenduar nga ju?

Jo aspak! Mendoj që ka qenë vendim i  duhur për mua. Përmbushja e shpirtit është më e vlefshme se çdo gjë që fama mund të dhurojë. Tashmë jam e plotësuar dhe vlerësoj çdo gjë që jeta ka përgatitur për mua.

Pse vendosët të dilnit tani nga guacka e familjes? Çfarë ju ngacmoi? Çfarë ju shtyu?

Mesazhi për gruan. Gruaja është e shenjtë. E ne si gra mund të jemi edhe nana të mira, edhe gra të zonja në karrierë. Jeta nuk merr fund kur lind fëmijë, kuptimi i jetës fillon me lindjen e fëmijëve.

Ka qenë kryeministri i vendit Albin Kurti një frymëzim dhe ngacmim për ju, që t’i bashkoheshit politikës?

Po. Albin Kurti është lider dhe njeri me ideale. Ai është frymëzim dhe mesazh i gjallë për njerëzimin.

Sa besoni ju vetë tek ndryshimi? Dhe çfarë mesazhi i jepni ju të rinjve, që besojnë dhe frymëzohen nga ju?

Motoja që po më ndjek në këtë rrugëtim të ri timin është të gjithë së bashku mund të bëjmë ndryshimin. E ndryshimi fillon kur gishtin e drejton kah vetja. Rinia ka fuqinë që ta ndryshojë botën.

Sa i përket modelingut, jeni ndjerë e plotësuar? Keni pasur ndonjë peng..? Po sot keni një synim? Një ëndërr që doni ta prekni?

Modelingu të jep mundësi për me depërtu në botë, nuk mendoj që të plotëson. Ne jemi natyra. Ne jemi një zinxhir i lidhur ngushtë me natyrën. Trashëgimia jonë e përbashkët është nana Tokë. Është ëndërr e imja dhe shpresë që një ditë të gjithë do të ndërgjegjësohemi dhe të kuptojmë që nuk kemi planet B si opsion, po të bashkohemi e të mundohemi të sigurojmë një ambient të sigurt për jetën e fëmijëve tanë.

Sapo festuat ditëlindjen e 33-të dhe bëtë një akt shumë sensibilizues sa i përket ambientit dhe klimës, siç ishte ai i mbjelljes së 33 pemëve. Si lindi ideja për këtë gjest dhe sa e rëndësishme është për ju vëmendja ndaj ambientit?

Jam në një moment të jetës ku e kam kuptuar se të japësh është më mirë se të marrësh, dhe pikërisht kjo më frymëzoi. Ne jetojmë në një tokë, me një natyrë që na jep gjithçka që neve na nevojitet për jetesë. Më e pakta që mund të bëjmë për natyrën është të mbjellim pemë.

 

 

easy dinner ideas
Previous ArticleNext Article