Të kthehesh në San Francisco për të vizituar Alcatraz?

Nga Eda Bano 
Teksa gjatë udhëtimit nëpër Alaskë miqësoheshim dhe bisedonim me një çift amerikanësh nga Colorado (amerikanët futen shumë shpejt në muhabet me të panjohurit, janë tipa të hapur dhe kuriozë) – ndër të tjera po flisnim edhe për San Franciscon si udhëtimin tonë të radhës. Gruaja e re tha:-“Ohh po, unë në San Francisco kam vizituar burgun e Alcatrazit!”-“Po ti?”- e  pyes burrin gjithë kuriozitet. Ai tundi kokën dhe tha:-“Unë kam kaluar 20 vjet në Alkatraz”! Qeshëm!


Në fakt Alcatraz është shumë i famshëm si burg. Në mes të detit, shumë pranë qytetit San Francisco dhe Golden Bridge, në një ishull të vogël që nuk duket aspak miqësor, duken që larg si të trishta ngrehinat e ndërtesave, zyrave, kullës së vrojtimit dhe godinës kryesore të verdhë si shkollë fshati. E gjithë pamja të ngjan e rrethuar me vel misteri! Është i famshëm edhe se njihet si “shtëpia e dytë e Al Kapones“, por edhe për shkak të“ tentativave për arratisje“- të të burgosurve të cilët çuditën dynjanë, pasi dihej dhe njihej botërisht siguria e lartë e tij. Sot burgu është kthyer në qendër vizitorësh dhe është bërë një atraksion i madh për turistët anembanë Botës. Ikja ime në San Francisco përkoi në fillim Korriku, por deri në mes të Shtatorit ishin mbaruar rezervimet. Kjo më befasoi dhe u kujtova që nuk jam unë aq e çmendur sa të dua të shkoj dhe të shikoj një burg! Radha qenka deri në Shtator!
Gjithsesi këmbëngula sepse shpesh ka njerëz që për arësye të ndryshme i anullojnë rezervimet. Kështu që pas dy javësh me duhej të kthehesha përsëri në San Francisco për të parë Alkcatraz-in.

Ishte një ditë e bukur plot diell, por shumë e ftohtë ama- mezi të kujtonte që ishe në Korrik. Tek Pier 33 i hypëm “Alcatraz Cruises“ dhe me kapitenin që na uronte mirëseardhjen dhe na rikujtonte të mbanim maskat, para arritjes së Alcatraz, një pamje madhështore e San Franciscos të linte pa fjalë! Megjithëse ishulli ishte në krahun tjetër dhe të gjithë ishim nisur drejt tij, për disa minuta e harruam atë dhe u mrekulluam nga rrugët e drejta paralele që dukeshin sikur me gjithë shkelqimin vezullues të diellit binin thikë në oqean, me ndërtesat shumëkatëshe të downtownit dhe shtepitë dykatëshe nëpër kodra, por më shumë nga urat e mrekullueshme që rrethonin të gjithë pamjen; Golden Gate në një krah dhe ajo e Oakland- it, me dy kate dhe aq madhështore që dukej sikur vazhdonte në pafundësi nga ana tjetër.

Po i afroheshim ndërtesave të verdha të ishullit, dhe ai po me dukej shumë miqësor me gjithë ata njerëz mbledhur në shesh, turma të gëzuara shumëngjyrëshe dhe guidat e ishullit që flisnin me megafon, të krijonin idenë e një qyteze të vogël në festë dhe aspak burg! “Mirë se vini  në Alcatraz”- dhe më pas, hap-pas hapi deri në vizitën nëpër qelitë e të burgosurve, kaluam me radhë zyrat e rojeve, apartamentet e punonjësve, kishën, teatrin, dhomën e armatimeve, morgun, derisa në pjesën qëndrore të ishullit shtrihej e frikshme ndërtesa e madhe e qelive. Nga pas saj vinte si thikë shkëmbi, përpara ngrihej një kullë vrojtimi, dhe në pjesën anësore lartësoheshin muret rrethues pas të cilave ishte oborri i ajrimit të të burgosurve.

Pra, eventualisht i papërshkueshëm as nga uji, i blinduar si digë hidrocentrali. Nëse lexon “ Arratisjet “ nga Alcatraz, do kuptosh që bëhet fjalë për një burg të sigurisë së lartë! Uji i ftohtë i gjirit edhe në vere,(vetë ishulli nuk ka pikë uji- ai i pijshmi mbidhej me kova të mëdha që i vendosnin mbi çatitë e ndërtesave, kurse për t’u larë të burgusurit përdornin ujin e kripur të oqeanit ), korrentet e erës shumë të fuqishme, karakteristikë për gjirin e San Francisco dhe shkëmbi i lartë i thepisur, e kishin kthyer në “ mision të pamundur “ arratisjen nga Alcatraz në historinë 104 vjeçare të ekzistencës së tij! “Alcatraz was never good for nobody “. – ishin përjetësuar në mur fjalët e të burgosurit të fundit që kishte lënë burgun.


Qelitë super të ngushta – pa kurrfarë intimiteti, ku në 2 metra katrorë hapesirë, i burgosuri rrinte, flinte, hante, rruhej, shkonte në tualet… gjithçka nën vëzhgimin e pareshtur të gardianëve dhe të të burgosurve të tjerë të qelive përballë. Në tavanin e lartë të korridoreve të burgut ku shtriheshin qelitë në 3 kate lartësi, ishte një kube prej xhami nga ku drita e diellit depërtonte brenda tij! Në mencë shfaqej menuja e ditës së fundit kur u mbyll- 21 Mars 1963 kurse oborri i ajrimit ishte në një trëndafil erërash të tmerrshme që janë karakteristikë për gjirin e San Franciscos!


Në fund, një dyqan ku mund të blije që nga veshjet e të burgosurve (për hir të së vërtetës, për 22 dollarë edhe unë i kam një palë rroba të burgosurish si kujtim në dollap), tasa dhe gota alumini me vija, moket të burgut, libra që flisnin për arratisjet….kurse vetë ishulli paraqitej me një spektakël dritash që vinin nga San Francisco dhe përkundër çdo lloj llogjike vetja të dukej si në parajsë me pamje madhështore! Epo gjithmonë të kundërtat rrinë bashkë! Udhëtimi me cruises dhe vizita në Alcatraz? Thjesht një kënaqësi e madhe! Pavarësisht të gjithave, jam e lumtur që një ditë u bëra pjesë e tij- si vizitore, kuptohet!

easy dinner ideas
Previous ArticleNext Article