Klodiana Toptani:  Zonja që koleksionon “thesare”

Nga Olsi Kolami

Është mëngjes! Kalaja e Tiranës, vendi më ‘trendy’ në kryeqytet është një oaz i qetë, ku rrezet e diellit të Vjeshtës të ngrohin, po aq sa edhe mjedisi përreth. Aromat e mira vijnë nga baret dhe restorantet ‘chic’ të Kalasë së Tiranës, ndërsa cepa të vegjël me antikuare dhe punime artizanale i shtojnë akoma më shumë ngjyra panoramës. Klodiana Toptani, Administratore e Kalasë së Tiranës po shijon plot elegancë një çaj me xhinseng, në një filxhan kaq të bukur, sa të duket vetja sikur je brenda një familje mbretërore.

Po, po, mbretërore, sepse përveçse pamjes së saj të rafinuar, e kujdesur për një look deri në detaje, zyra e saj është si një thesar. Imagjinoni sikur keni hyrë në një muze, ku mund të gjeni gjithçka që dëshironi. Tryeza e punës ka një punim krejt autentik prej druri arre, e përmbi të sheh gjithfarë objektesh, ku bie në sy një pasqyrë dore prej argjendi, me gdhendje të rafinuara, ndoshta 100 vjeçare, e pak më tutje një penë e vjetër, me të cilën padyshim mund të kenë firmosur dikur Toptanët ndonjë vendim që mund të ketë ndryshuar jetën e Tiranës së asaj kohe.

“Jam e apasonuar tej mase pas koleksionimit, më së shumti më pëlqen të koleksionoj objekte që lidhen me historikun e familjes Toptani, por kam edhe shumë të tjera që kanë të bëjnë me Tiranën. Kjo është një makinë shkrimi, mbi 100 vjeçare e markës Olivetti e cila i është dhuruar Mbretit Ahmet Zog (peshqesh 1922)” – rrëfen Klodiana. Kur tregon e prek njëherazi copëza që vijnë nga historia, e shkuara, Klodianës i shkëlqejnë sytë si kristale, njësoj si atyre fëmijëve të vegjël kur u jep një dhuratë dhe nuk e ndajnë nga dora.

E nuk ka sesi të ndodhte ndryshe, sepse për secilën prej antikuareve që ka koleksionuar, ajo ka kërkuar si ata piratët e fiksuar pas sendeve me vlerë, që për shumë prej nesh mund të duken aq të zakonta. Dashuria e saj për secilin objekt shpërfaqet nga mënyra sesi i prek sendet me delikatesë, me shumë dashuri e brishtësi, sepse për të ato janë një dashuri e madhe. Klodiana tregon për Bordo se ka kërkuar nga sëndukët e gjysheve tironse, e deri tek ato që i ka zbuluar vetë krejt rastësisht apo ja kanë sjellë miq të saj që e njohin pasionin e saj të madh. Një tjetër objekt me po aq vlerë është edhe aparati i parë Kodak, një model i veshur me kastor vishje, me të cilin janë shkrepur dikur edhe foto të rralla. Klodiana, një prej familjareve më të denja të familjes Toptani, di aq shumë histori për secilin objekt që ka koleksionuar, sa të magjeps me detaje të pafundme.

Por ato sende që sheh në zyrën e saj, janë vetëm maja e ajzbergut, sepse në shtëpi ajo ka një tjetër arsenal objektesh të rralla, mes të cilave nga jelekët e artë të parisë se kryeqytetit dhe unazat e Zadrimës e deri tek gramafonët, tingujt e të cilëve sa herë Klodiana ka kohë të lirë, preferon t’i dëgjojë brenda mureve të shtëpisë, teksa shijon punimet e rralla të krijuara nga të parët e saj.

Edhe pse i duhet që në një ditë normale pune të menaxhojë 33 bizneset që funksionojnë me sukses brenda Kalasë së Tiranës, pasioni i tejskajshëm që Klodiana ka për koleksionimin ka kohën e tij.

“Unë mendoj se dashuria rrotullon botën. Dashuria e madhe që kam pasur për çdo projekt, gjithmonë në fund të rrugës time do të ketë një dritë jeshile dhe ja kam dalë. Mendoj që të gjithë e kemi një mision dhe mendoj se ky është misioni im”, tregon ajo teksa mban në dorë dy jelekë të parisë të gdhendur totalisht në ar, një prej të cilëve ka një punim te theksuar me reliev, me qëndisma dhe ornamente aq të rafinuara sa tregon qartazi se realisht ato kanë qenë veshje që i meritonte vetëm paria e vendit.

Por Klodiana nuk është thjesht e apasionuar, e thjesht të kënaqet me atë që në dukje mund të jetë një antikuar, pasi shpjegon për Bordo, se më së shumti ajo konsultohet me koleksionistët e tjerë për secilën prej tyre, historinë, vlerat që bart, sigurisht edhe për autenticitetin, ndaj edhe shpjegon se në të ardhmen të gjitha objektet që ka koleksionuar ka vendosur t’i përfshijë në një katalog. Edhe pse nga të vetmet “thesare” që i kanë mbetur nga familja janë jelekët me inxhi të trashëguar nga familja Toptani, por edhe ajo Dibra, Klodiana çdo ditë është në kërkim të atyre objekteve që janë zhdukur, siç po ndodh me automobilin e familjes, të cilin ish-dikatori e përdori në paradën e hyrjes në Tiranë në vitin 1944, por që nga ai moment e përvetësoi dhe nuk jua ktheu atyre që ua mori hua. Kjo nuk do të thotë se dëshira dhe pasioni i Klodianës do të ndalet, përkundrazi ajo do të vazhdojë me të njëjtën dëshirë që të koleksionojë çdo objekt që ka brenda histori, art, jo vetëm të familjes së saj, kryeqytetit, por çdo rrënje autentike shqiptare, e cila e bën të ndihet e lumtur.

 

Previous ArticleNext Article