KreuArt

Ekskluzive/ Në sheshxhirim me Fatos Berishën!

Nga Nada Biraçi 

Kur Shqipëria dhe bota e kishte ende të paqartë situatën e Covid-19; kur frika dhe pasiguria kishte kapluar këdo,  regjisori Fatos Berisha i tha po aventurës së guximshme për të realizuar pikërisht në atë kohë të vështirë një serial televiziv shqiptar. Nina, seriali-komedi që mbylli siparin e 10 episodeve, të diel pas së diele afeksionoi publikun aq fort sa dëshira dhe puna për një sezon të dytë, sipas regjisorit Berisha lindi fare natyrshëm…

Si është për një regjisor të drejtojë një serial ku personazhet kryesore janë femra?
Nuk e kam menduar këtë fakt kur kam punuar. Pra, faktin që personazhet kryesore janë femra. Për mua ka qenë punë, si të gjitha punët e tjera, në kuptimin e qasjes ndaj skenarit, punës me aktorë, përgatitjes për xhirim, komunikimit etj. Por, tani që ka përfunduar prodhimi i serialit, dhe kur bëtë këtë pyetje më bëtë të mendoj. Dhe kur e mendoj, nuk më kujtohet se kam pasur më shumë vështirësi se në projektet tjera. Përkundrazi, ishte një proces i mirë, me vështirësitë e zakonshme që sjell prodhimi filmiko-televiziv dhe kënaqësitë që vijnë me procesin dhe përfundimin e një pune me profesionistë.

Personazhet janë karaktere që vijnë nga teatri e filmi në ekranin e TV, si u zgjodh gjithë ky arsenal aktorësh nga Rajmonda Bulku apo Olta Daku, deri tek më të rejat?
Ishte një proces pak më i gjatë se zakonisht. Një vit para se të fillonim xhirimin e serialit, ne bëmë një pilot episod të shkurtër. Pra, xhiruam dy ditë së bashku me ekipin e aktorëve dhe stafit kreativo-teknik pas kamerës. Aty edhe u njoftuam më mirë mes vete dhe kimia ndodhi. Besoj dhe për faktin se të gjithë kishim një qëllim dhe synim, të bëjmë një punë të mirë. Dhe mbi të gjitha, të gjithë kishim pasion mbi punën, si vlerë e shtuar do thoja.

Çfarë ju tërhoqi që në fillim tek skenari dhe sa natyrale kanë qenë xhirimet e skenave duke qenë se shumë prej tyre janë komedi?
Takimi i parë ishte koha para se të xhironim pilot episodin. Më ftoi aktori Besmir Bitraku, me të cilin kishim punuar paraprakisht në shfaqjen “Át Sergi’’ në Tiranë. Bashkë me Besin, u takuam në një kafeteri të Tiranës me Raelva Shabanajn dhe Olta Dakun. Raelva kishte shkruar një draft të asaj që më vonë doli të jetë episodi i parë i seralit NINA. E bëmë një lloj leximi, aty në kafeteri. Me shumë të qeshura dhe ca gota raki. Skenari ishte i shkruar me dialogje që më pëlqenin. Kishte ironi dhe sarkazëm në të. Me Raelvën shkëmbyem ca referenca për serialet që i pëlqenim. Ajo tha ‘Fleabag’, unë thash ‘After Life’. U pajtuam, dhe kështu filloi.

Ju keni drejtuar prej vitesh serialin “Familja Moderne”, mjaft i suksesshëm në Kosovë, përvec zhanrit të komedisë, çfarë kanë të përbashkëta me “Nina”?
“Familja Moderne” ka qenë një ndër serialet me jetën më të gjatë, dhe besoj edhe ndër serialet më të suksesshme në Kosovë. As vetë nuk e di sa episode ka pasur, mbi 300 gjithsesi.  Por, dallon me serialin “Nina’’, si për nga realizimi teknik, ashtu edhe në trajtimin e komedisë. Gjersa ‘’Familja…” ka qenë sitcom klasik, “Nina” është komedi serioze.

Cili ka qenë intensiteti i xhirimeve, i keni realizuar ato në një periudhë të vështirë?
Kemi xhiruar në kohë pandemie. Me këtë besoj thuhet e tëra. Megjithatë, falë angazhimit të produksionit “Dardan Studio” dhe gjithë ekipit të serialit, arritëm të xhirojmë 10 episodet e planifikuara. Por nuk ishte e lehtë.

Ekranet shqiptare kanë paralelisht 3 seriale, cfarë e bën ndryshe “Nina”?
Çfarë e bën ndryshe serialin NINA besoj duhet ta thonë shikuesit, por unë dua të them se është shumë mirë që industria televizive-filmike e Shqipërisë ka filluar me prodhimin e serialeve vendore.

Pas sezonit të parë, cilat janë projektet për atë të dytë dhe çfarë risish presim?
Nga kontaktet që kam me njerëzit në Shqipëri, por edhe nga komentet që shoh në YouTube dhe rrjetet sociale, kam bindjen se seriali është pëlqyer në Shqipëri. Besoj se sezoni i dytë do të ishte hap i natyrshëm.

Në Kosovë prej vitesh serialet kanë patur sukses, e së fundmi në Shqipëri, a mund të kemi prodhime serioze “made in Albania” për Netflix apo Amazon?
Kosova ka bërë hapa të mëdha në sferën e kinematografisë. Shpresoj që edhe Shqipëria të ecë në atë drejtim. Sa i përket industrisë televizive, na duhet një strategji dhe ngritje e kapaciteteve për të bërë shpërthimin e dëshiruar në tregun ndërkombëtar. Gjithsesi, mendoj se në punë duhen synuar standardet më të larta të mundshme. Vetëm ashtu, mund të depërtojmë në tregun ndërkombëtar.

Jemi në prag festash; ku dhe si do të festojë familja Berisha këtë vit?
Sipas traditës kosovare, natën e parë të Vitit të ri me familjen. Shpresoj së shpejti do ta kalojmë këtë fatkeqësi globale me pandeminë, dhe bota do t’i kthehet normalitetit që të mund të festojmë ashtu si duam dhe ku duam.

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF