KreuArt

Renato Kullolli, artisti që po gjallon profesionin e skulpturës!

Mund t’i japësh çdo lloj materiali dhe ai thjesht i jep frymë! Ky është Renato Kullolli, artisti 26-vjeçar që ka zgjedhur skulpturën, një profesion që në vendin tonë ngjan ‘i vdekur’ por i riu është i bindur që njësoj si punimet të cilave u jep jetë, ai do të ngjallë edhe artin fisnik të skulptorit për t’i dhënë poltronin e merituar.

Një djalë 26-vjeçar me profesion skulptor (që le të themi është e rrallë si zgjedhje për të rinjtë), çfarë të bëri të nisësh këtë rrugë arti?

Le të themi që kur kuptova talentin tim për skulpturën, kuptova që kjo ishte gjëja që më përkiste mua, në asgjë tjetër nuk ndjehesha kaq plot sa në skulpturë. Këtu e ndjeja veten më mirë dhe pikërisht kjo ndjesi më shtyu të ndërmerrja këtë rrugëtim!

Kur kuptove që ky është pasioni yt dhe më vonë kur mendove se ky do të jetë edhe profesioni i jetës?

Që në moshë të vogël në fakt, rreth 12 vjeç më pëlqente të vizatoja personazhet vizatimore kryesisht, por jo vetëm. Më vonë fillova të vizatoja çdo gjë që shihja. Pasi mbylla 9-vjeçaren, dëshiroja të vazhdoja Pikturë-Skulpturë te Liceu Artistik Onufri. Pas Liceut fillova Akademinë e Arteve, ku dhe e mora shumë seriozisht skulpturën.

A ke një frymëzim që lidhet me artin që ti bën?

Frymëzim për mua është kënaqësia që marr nga arti im! Kjo më frymëzon dhe me motivon për të vazhduar përpara! Ndërsa frymëzimin për skulpturat që realizoj e marr nga ndjesitë e përditshmërisë, dhe jo vetëm. Mund të jetë një gjë e momentit që më frymëzon: një imazh, një portret, një ngjarje etj. etj, gjithçka!

Sa e vështirë ka qenë për ty deri më tani të ngresh biznesin tënd në këtë fushë?

Sigurisht që nuk ka qenë e thjeshtë të hapja një studio timen dhe aq më tepër ta mbaja, përkundrazi ka qenë shumë e vështirë, ndoshta sepse është edhe natyra e profesionit pak jo e zakonshme dhe kjo gjë mendoj se e ka bërë pak më të vështirë, por sigurisht ka edhe vështirësi të tjera që do t’i lidhja me faktin që jetojmë në Shqipëri.

Nëse do të përmendje 3 të mira që ky profesion ka sjell te ty, cilat janë?

Gjëja më e mirë që më ka sjellë skulptura është se më ka plotësuar si njeri. E dyta, do të thoja që më ka integruar me njerëz të arrirë, si shumë artistë në Shqipëri. Dhe e treta është se ky profesion më jep siguri dhe bindje për të ardhmen.

Gjatë rrugëtimit tënd si një skulptor i ri kush të ka mbështetur?

Sigurisht kam patur mbështetjen e shumë njerëzve të cilëve do t’u jem gjithmonë falënderues dhe mirënjohës. Personi i parë që do të përmend është padyshim profesori im i ndjerë Arben Bajo, i cili ka dhënë kontributin më të madh në profesionalizmin tim. Por, nuk do të lija pa përmendur edhe profesorë të tjerë kanë lënë ‘gjurmën’ e tyre tek unë. Dhe sigurisht nuk mund të lë pa përmendur familjen time që përveçse mbështetjes në çdo moment të jetës sime, ka qenë mbështetja ime më e madhe në profesionin tim.

Cilët kanë qenë vështirësitë që ke hasur deri më tani duke ditur që në Shqipëri është e vështirë jeta e një artisti që nis gjithçka vetë?

E përmenda edhe pak më sipër që vështirësitë në profesionin tim i lidh edhe me faktin që jetojmë në Shqipëri. Ky vend fatkeqësisht nuk është ushqyer me art, pjesa më e madhe e njerëzve këtu nuk e kuptojnë dhe nuk e vlerësojnë artin, skulpturën! Shqiptarët përgjithësisht nuk janë të gatshëm të shpenzojnë për art, aq sa janë të gatshëm të shpenzojnë për gjithçka tjetër. Kjo është e trishtueshme!

Nga punët tuaja a veçoni dikë si më të përzemërt? Kush është vepra tuaj që është vlerësuar më shumë (jo vetëm në vlerë monetare)?

Skulptura ime më e vlerësuar është portreti i Lek Dukagjinit me përmasat 800x400cm, duke qenë se është vendosur në një hapësirë publike. Gjithashtu do të përmend edhe punimin që kam bërë për diplomën e shkollës.

 

Renato ofron punime të ndryshme të çfarëdo kërkese! Ndiqni llogarinë e tij në Instagram për të porositur një punim që ju pëlqen ose thjesht për të admiruar artin e tij.

 

 

 

 

 

 

 

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF