KreuArt

Një udhëtim në çatinë e botës!

St. Moritz
Çatia e botës

Udhëtim në kryeqytetin luksoz të pushimeve dimërore, në lartësitë që prekin qiellin, buzë liqenit ku mund të pish uiski dhe bësh blerje marramendëse…

Qyteza e vogël malore zvicerane me një emër të madh dhe e mbushur me shkëlqim, është arratisja ideale dimërore. St. Moritz padyshim identifikohet me stilin e lartë dhe luksin, pa harruar pushimet e bardha rrethuar nga adrenalina e skive, por dikur, ishte një vend i humbur mes shpateve të maleve. Gjithçka ndryshoi në këtë qytezë dikur të heshtur në vitet 1860, kur një kontingjent patrician britanik kaloi aty muajt e ftohtë dhe me diell, duke e kthyer në vendin e shenjtë të skive dhe luksit. Malet e larta, liqeni dhe shtëpizat e banorëve, bujtën më pas miliona vizitorë “të uritur” për pamjen magjepsëse, përpos çmimeve marramendëse. Vendi i zhytur në ngricë e borë u gjallërua, ndriçua dhe fitoi një tjetër jetë, teksa shtëpitë e vjetra vendosur krah hotelit të famshëm Kulm, nisën të gjallonin krah shpatit të malit duke zbritur deri në liqen, duke kaluar nga shtëpizat alpine tek hotelet madhështore, ku u këndoheshin serenata banorëve dhe shampanja derdhej nën dritën e llambadarëve të zbehtë.

Sot St. Moritz përshkruhet si varianti dimëror i Monte Carlos me butikë luksozë dhe makina të shtrenjta, shkëlqimin e restoranteve dhe zonjat elegante mesatare me pallto pellushi dhe bizhuteri të shtrenjta, klube ekskluzive dhe kazino.

Një mëngjes qershori të vitit 1883 në fshatin Sils-Maria, pranë St. Moritz, filozofi Fridrih Niçe teksa pushonte nën fuqinë shëruese të rrezeve të diellit duke shijuar vezë me proshutë dhe çaj me qumësht, i shkruante së motrës. “Më duket se jam në Tokën e Premtuar. Për herë të parë kam një ndjenjë lehtësimi. Këtu dua të rri gjatë. Po e ndjej se këtu dhe askund tjetër është foleja ime e vërtetë”. Ai qëndroi në shtëpinë e familjes Durisch për 7 vera, ku shpresonte të shëronte migrenën dhe nisi veprën e tij “Kështu foli Zarathustra”. Qyteza qytet quhet nga banorët çatia e botës dhe është destinacioni më legjendar për turizmin dimëror. I vendosur në zemër të Alpeve Zvicerane, qyteza ka 322 ditë me diell në vit, temperaturat deri në minus 15 gradë në dimër dhe një qiell që shkëlqen me një qartësi të pabesueshme.

Për adhuruesit e skive, vendi ofron vendpushime skish që ndodhen mbi St. Moritz dhe lidhen me qytetin me struktura të mirëorganizuara, duke përdorur teleferikë dhe trena që arrijnë majën më të lartë të Piz Nair në 3.057 metra. Restoranti i deleve poshtë majës është vend ekskluziv dhe ofron një pamje madhështore ku syri ngatërrohet mes bardhësisë dhe blusë së qiellit pa asnjë re. Aty gjenden kafene dhe bare me shezlong ku mund të shijoni diellin e fortë, ku kremrat kundër diellit janë po aq të nevojshëm sa të ishit në plazh.

Nëse keni planifikuar ndonjë suvenir nga St. Moritz mund të përballohet nga ata që e njohin luksin: vetrinat e butikëve të shumtë tërheqin blerësit me shkëlqimin e tyre në qendrën e qytetit, ku mund të gjeni: Cartier, Prada apo Rolex…, ndërsa Jet set është marka me të cilën krenohen vendasit, një kompani zvicerane e cila prodhon veshje luksoze për ski. Së fundmi, zviceranët po tërheqin në këtë vend luksoz turistë të zakonshëm, duke ofruar udhëtime 7 ditore nga agjencitë.

Nëse jeni adhurues i verës, është më mirë të mos e ndiqni këtë pasion në St. Moritz, sepse këtu vera shërbehet dhe matet në 1 decilitër dhe është shumë e shtrenjtë, kafja dhe uji kanë të njëjtin çmim, ndërsa sallamet janë dy herë më të kushtueshëm. Harrojeni ushqimin e shpejtë, sepse këtu nuk ekziston, ndërsa në restorante tavolina duhet rezervuar paraprakisht, pasi nuk do të gjeni kurrë tavolinë të lirë.

Disa nga hotelet më të njohura janë Badrut Palace dhe Kempinski me një arkitekturë magjepsëse dhe çmime të kushtueshme, por mund të gjeni edhe hotele me çmime që variojnë nga 90 deri në 150 euro. Hoteli “Carlton” më i famshmi në qytet nisi sezonin dimëror në vitin 1913, e më pas me rritjen e numrit të turistëve u shtuan kërkesat për hotele luksi dhe jetë mondane. Mendohet se hoteli u ndërtua si rezidencë verore për Carin Rus Nikollai II, edhe pse ai nuk fjeti kurrë aty, por fryma e arkitekturës aristokrate ruse ndihet nga llambadarët e marrë nga pallatet e Shën Petërburgut, deri tek logoja e hotelit me një shqiponjë dykrerëshe. Hoteli nuk ka dhoma, por vetëm suita me pamje nga liqeni, ku më e shtrenjta kushton 18 mijë euro për një natë, e arreduar me qelq Murano, mobilie të stilit të Luigjit të XVI. Restoranti “Romanov” ofron ushqim tradicional, ndërsa kuzhinë italiane gjeni tek “Da Vittorio St. Moritz”, një ndër dhjetë restorantet më të mira në botë. Lokalet më të famshme janë “Pavarotti and Friends” dhe “Scala bar”. Në hotel Waldhouse mund të shijoni barin më të madh të uiskit në botë me mbi 2.500 lloje të ndryshme të uiski, vendi ky i preferuar i personazheve si: Boris Becker, Paolo Coelho dhe Sylvester Stallone.

Natyra e bukur me burime minerale dhe klimë alpine mahniti, si ende edhe sot çdo vizitor, frymëzoi shkrimtarin francez Marsel Prust duke e përshkruar këtë vend kështu: Dashuruam njëri-tjetrin në një vend të humbur, i cili bart një emër dyfish të ëmbël, tingujt e mahnitshëm të gjermanishtes në ekstazën e rrokjeve italiane. Përqark janë tri liqene çuditërisht të blerta, që gjenden mes maleve me bredha.

  Botuar ne BORDO, shkurt 2022

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF