KreuStil Jetese

Mos shko… në …Palestinë! 

Nga: Edlina Losha
Eda Bano
@dreamtravel.world

– Mos shko… në …Palestinë !
-“Mos shkoni në Palestinë, nuk jua rekomandoj,”- po mundohej të na mbushte mendjen polici izraelit diku pranë kufirit,-“Aty nuk ka polici, nuk ka siguri, nuk ka shtet! Nuk mund t’ju sigurojmë jetën nëse kaloni andej!” – vijonte me përpjekjet e tij dhe lëvizte kokën i menduar!  Ndodheshim në autobuzin urban, ngjeshur midis shumë njerëzve kur, teksa po i afroheshim Palestinës, na ndaloi postoblloku i policisë:-“Pffff “- dëgjuam të shfrynte turma e njerëzve të mërzitur kur panë policinë, dhe lëvizën të tërë nga vendet! Policët, gjithsej 4, ku vetëm njëra ishte femër, na nxorën të gjithëve jashtë. Mblodhën gjithë pasaportat dhe nisën t’i kontrollonin. Ca syresh, pas kontrollit, e morën rrugën në këmbë për të mbërritur në Palestinë, të tjerët qëndruan. Shoferi, një djalë i ri, me sy xixëllonjës dhe që dukej sikur ishte jashtë gjithë kësaj, i pyeti policët për ne.-“Po, po, le të hipin këta,”- thanë. Pasi i kontrolluan të gjithë njerëzit aty, një nga oficerët na u drejtua dhe na pyeti se përse po shkonim në Palestinë.

-“Thjesht për ta parë. Për kuriozitet. Turistë,”- i thashë. Dhe ai në formë lutjeje po mundohej të na kthente mendjen. Por tashmë e kishim vendosur.

Me thënë të drejtën s’e kisha menduar që do shkoja me një autobuz urban mbushur dëng me punëtorë, por kjo ishte e vetmja mënyrë për të shkuar në Palestinë. Kur isha ngritur në mëngjes nga gjumi, gjithë gëzim, i kisha kërkuar hotelit tim të më mundësonte një makinë me qera per këtë qëllim. Por hoteli më siguroi vetëm një taksi që të shkoja vetë tek agjensia që jepte makina me qera. Kështu që na thërritën një taksi. Mirëpo teksa ecnim me taksi, shoferi, i quajtur Golan, një burrë zotëri me pamje fisnike, pasi po na shihte me shumë vëmendje nga pasqyra e makinës, më në fund pyeti se përse e donim makinën me qera. -“ Për të bërë guidën që kam planifikuar,”- i thashë,- dhe i numërova vendet.

-“Gabimi më i madh që mund të bëjë një turist në Izrael është të marrë makinë me qera,”- tha befas Golan. -“ Nuk mundet të shkoni me makinë me targa Izraelite në Palestinë. Harrojeni këtë.” Dhe propozoi që të na çonte ai deri në Jeruzalem me taksi, dhe aty të pyesnim se si të vijonim rrugëtimin për Betlehem. Ashtu bëmë. Në Jeruzalem, nga njerëzit që ishin shumë miqësorë dhe spjegues, mësova që izraelitët nuk mund të futeshin në asnjë mënyrë në Palestinë; në përgjithësi ata nuk flisnin keq për palestinezët -“Ёshtë shumë qetësi aty, është si këtu!”- thoshin teksa përmendnin atë vend.-“Mos kini as frikë, as merak! Rrini sa të doni, shëtisni si të doni, blini dhe bëni shoping…Por që të shkoni aty, duhet të merrni autobuzin numër “x”, i bardhë me blu tek stacioni “filan”…Kësisoj përfunduam në autobuz, pavarësisht se unë përsëri këmbëngulja për taksi dhe shoferët ishin gati të më çonin ku të doja, por ama kur thoshë “në Palestinë “ strukeshin dhe e mohonin.

Pasi u shkëputëm nga postoblloku i policisë, autobuzi vijoi edhe 1 stacion dhe befas një mur i lartë gati 10 metra doli para. Aty autobuzi bëri një rrotullim  dhe ndaloi. -“Ikni,”- na tha shoferi syxixë e miqësor, dhe tregoi me gisht doganën-“Aty është.”

Bashkë me shumë të tjerë, një grup i madh siluetash të nxira e të kërrusura nga pesha e ditës dhe e veglave që mbanin nëpër duar, kaluam një tunel të gjatë i cili përfundonte me dy dyer të rrumbullakëta hekuri që rrotulloheshin vetëm nga njëra anë, në atë që të nxirrte jashtë Izraelit por nuk të fuste më brenda.

Në Palestinë!

Befas, nga errësira e tunelit, si nëpër filma, ti gjendeshe në një vend plot dritë, ku përpara të shpalosej një shesh i madh i tejmbushur me makina, taksi, fugona, njerëz, kafshë, tezga, rrëmujë, zhurmë e rrokopujë. Shtangëm një çast. Por në çastin tjetër disa taksistë na u vërsulën. Vura re njërin nga ata, i cili më tërhoqi nga pamja e pastër, veshur me bluzë të bardhë, ndërkohë që shumica visheshin me rroba të errëta. Shkëmbyem shenjat  që bëhen në këto raste dhe ai na drejtoi tek makina e tij e verdhë. Rrëmuja dhe zhurma sa vinte e shtohej ! Të gjithë njerëzit që kishin ardhur në këmbë nga Izraeli, i hipnin fugonave apo makinave private dhe shpërndaheshin me shpejtësi! Të gjithë rendnin e vraponin, madje dhe bërtisnin. Sapo u nis taksia jonë me taksistin palestinez që po prezantohej duke thënë se e kishte prejardhjen nga një fis beduinësh, befas dikush i bie me pëllëmbë fort pjesës së prapme të makinës. Taksisti ndaloi. Një person po thërriste. Befas hapi deren time (të pasagjerit) dhe me ton të larte po tregonte me gisht nga unë. Pastaj u përkul, kapi palën e fundit tim që kishte dalë nga dera, e futi brenda në makinë, dhe përplasi derën fort! Më ngriu zemra! Më të keqen mendova në pak fragmente sekondash! Por e gjitha ndodhi aq shpejt sa s’kisha kohë as të frikësohesha tamam!

Në kaosin e trafikut një polic në mes të gjithë kësaj po përpiqej të na shmangte nga rruga që ne ishim nisur. Taksisti hapi xhamin dhe polici me zë të lartë, po i thoshte diçka. Ky i yni më në fund u bind dhe e ndryshoi rrugën.-“ Paska ndodhur një aksident,”- tha. “Domosdo,- mendova. -Aksidenti është pak me gjithë këtë kaos këtu!“ Sapo u nisëm, vura re që muri i madh e i lartë po na shoqëronte gjatë rrugës gjarpërushe si një shok besnik. – Quhet “Separation wall“, dhe e kanë bërë izraelitët si një turp real për të na veçuar nga bota. Eshte 12 km i gjatë dhe i bërë prej betoni. Besoj ngjan me murin e Trump në Amerikë!” (në fakt jo tamam). E kishin pikturuar atë mur “me grafit “- siç thoshte udhërrëfyesi ynë, dhe ky mur kalonte anash qytetit dhe dukej i frikshëm e i çuditshëm. -“Çfarë ju thanë për ne policët izraelitë?”- pyeti taksisti-“ ju thanë që këtu nuk ka shtet? Që nuk ka polici, që nuk ka qetësi? Sepse ata bëjnë një politikë të tillë kudo në Botë që Bota të mos na dojë, që të mos vijnë turistë tek ne. Që mos të na njohin si duhet. Ata na përshkruajnë sikur ne të ishim gogola e jo njerëz. Por juve do i nxirrni vetë konkluzionet kur të ikni prej këtej, dhe atëherë do vendosni JU se kush ka të drejtë…”.  Fliste shumë. Ishte i mbushur. Ecte dhe na tregonte bukuritë e vendit! Pikat më të bukura nga mund të bënim fotografi. E donte shumë vendin e tij, patriot i vërtetë. Tek Kishat e famshme në Bethlehem nuk u afrua fare- por më pyeti nëse doja të shkoja në xhami. Taksisti ynë ishte si punë “Che Guevara“ në vendin e tij. Kur shëtisnim në sheshe apo tregje askujt nuk ia mbante të na afrohej, asnjë person me tezga apo tipat bezdisshëm nuk guxonin të flisnin, përkundrazi, na hapnin rrugë. Kur unë pranova të futesha në xhami, “Che” tha që duhej shami e meqë nuk kisha, ai ngriti gishtin – dhe siç duket tha “shami“ dhe në çast dikush solli një shami të verdhë, të cilën kur e pa që më pëlqeu shumë, ma dhuroi. Na qerasi vetë me kafe e ëmbelsira dhe ishte një shok shumë i këndshëm dhe simpatik. Por ndryshonte kryekëput kur vinte puna të fliste për izraelitët. Aty urrejtja i zinte sytë dhe llogjikën. -“ Ne nuk mund të shkojmë dot në Izrael përveçse me këmbë. Asnjë makinë palestineze nuk sheh në Izrael. Dhe gjithashtu asnjë makinë izraelite nuk vjen dot këtu! Po atë malin e sheh? Ёshtë i ndarë me tel me gjemba…”

Pasi pamë, shëtitëm, blemë suvenire, vizituam punishte dhe takuam njerëz të mirë e punëtorë, në fund u përplasëm përsëri me murin e ndarjes. Aty, në një dyqan pashë që shiteshin copa muri të vogla në miniaturë (sa pëllëmba e dorës). Më pëlqyen shumë dhe vendosa ta blej një, por kur e pyeta shitësin se sa kushtonte, ai tha “70 Euro“. E lashë, kuptohet sepse m’u duk shtrenjtë. Por nuk u mërzita sepse kam shallin e verdhë që më dhuroi taksisti, shall që më kujton dhe mënyrën se si m’u dha! Në fund, mbërritëm sërish tek sheshi ku ishim takuar në fillim. Përsëri mbizotëronte kaosi e rrëmuja. “Che Guevara” u detyrua ta lejë makinën larg dhe na shoqëroi tek dogana. Na përcolli dhe pasi u sigurua që kaluam dyert e hekurta që të nxirrnin nga Palestina (por nuk të fusnin më aty), iku. Përsëri tuneli i gjatë, por tani vetëm ne të dy. As polici, as doganierë. Kur mbërritëm në Izrael morëm frymë të lehtësuar! Iu nënshtruam kontrollit, na thanë “ mirëseukthyet “. Tek dera na priste autobuzi dhe shoferi ynë syxixë. Nata kishte kapluar. Një shi i lehtë po pastronte pluhurat e ditës! Në mendje më kishte mbetur Che Guevara dhe Palestina e dashur e tij !

 

Botuar ne BORDO ,Prill 2022!

Tags:

Home bordo

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF