KreuStil Jetese

Laguna e Patokut/Parajsa e pashkelur!

Vetëm 50 kilometra larg kryeqytetit, aty ku ujërat e lumenjve dhe detit bashkohen për të krijuar një nga lagunat më të bukura, por edhe po kaq të panjohura të vendit tonë…
Asgjë nuk mund të krahasohet me peizazhin e një bregdeti, ku laguna, lumi dhe kënetat bashkohen për të krijuar një oaz si ai i Lagunës së Patokut. Vetëm 50 km larg Tiranës, në të majtë të audostradës Tiranë – Lezhë, rruga të çon pas 5 kilometrash drejt një lagune, ku prej së largu duken kasollet e vogla prej druri të ndërtuara mbi ujë, të cilat zgjatojnë rrugëtimin e tyre drejt sipërfaqes së saj. Rruga ndryshon herë pas here panoramën e cila ndërthuret me pyje të vogla, zona ujore e ligatinore, derisa në fund, një sipërfaqe e pafundme zgjatet pafundësisht drejt bregut, duke u ndërprerë nga kodrina të vogla rrafsh me bimësinë. Flora dhe fauna janë një element mikpritës, sidomos në sezonin e pranverës, ku gjithçka gumëzhin nga zhurmat që rrethojnë zonën. Laguna e cila ka një vijë bregdetare prej 8 kilometrash është një proces formimi nga rrjedha e lumit Ishëm dhe Mat, ujëra të cilat kanë krijuar një habitat të përshtatshëm natyror për mbi 180 lloje shpendësh dhe 360 lloje bimësh, duke e kthyer në një parajsë për adhuruesit e biodiversitetit. Emri i lagunës rrjedh nga fjala shqipe patë, duke iu referuar popullatës historikisht të dendur dhe të larmishme të këtij shpendi të zonës.

Edhe pse nuk ka një infrastrukturë të mirëfilltë turistike, ajo që të bie në sy janë lokalet e vogla aty-këtu, shumica me stil tipik detar prej druri, restorante të këndshme, ku mund të ndalosh për të shijuar kafenë e mëngjesit, apo të drekosh. Restorantet si Perla e Patokut, Laguna e Patokut, Ishulli apo Royal Blue, janë disa mundësi që mund të zgjidhni për të shijuar pjatat tipike vendase me bazë gjallesat që banojnë ujërat dhe tokën e zonës. Një resort i vogël i ndërtuar me shtëpiza të drunjta, që nis që nga bregu dhe zgjaton drejt ujërave dhuron një pamje tropikale e cila rrit kërshërinë e vizitorëve, të cilët mund të drekojnë nën rrezet e diellit, ose mund të zgjedhin një mjedis më privat brenda tyre. Por, nëse doni diçka unike, vetëm 32 kilometra larg ndodhen vreshtat dhe Veraria Duka, e cila është e pozicionuar në kodrat e Ishmit, prej nga prodhohen tre lloje të verës së kuqe: Merlot, Tempranillo dhe Cabernet Sauvignon.

Përsa i takon akomodimit, edhe pse për shumicën mund të jetë një destinacion një ditor, hotele si Arbëria Palace apo Kështjella Margarita, janë disa sugjerime mjaft interesante dhe mjaft komode.
Para ose pas drekës, mund të zgjidhni një shëtitje me varkë prej nga mund të shijoni panoramën ujore dhe tokësore të Patokut. Prej aty do të shihni rrjetat e peshkatarëve të përhapura ngado. Gjuetia nga algat e detit deri tek peshqit, si merluci janë edhe menuja tipike që vjen nga ujërat e lagunës dhe detit Adriatik. Përgjatë lagunës do të befasoheni edhe nga sipërfaqja pyjore e pyllit të Fushë-Kuqes, e cila gjendet në pjesën lindore të saj, ku dallon frashëri, plepi i bardhë, pisha e butë dhe dhe pisha e egër, një pjesë e të cilave janë pyllëzuar artificialisht. Molusqet janë një ndër veçoritë kryesore të këtyre ujërave duke i kthyer midhjet dhe gaforret, jo vetëm në banorët kryesorë të tyre, por edhe asortimentin kryesor të tryezave. Po ashtu, ngjala, gjuhëza, koca dhe levreku janë ndër banorët e këtyre ujërave. Por, pa dyshim mbretëresha e zonës është breshka e ujit Caretta caretta, e cila është një specie e rrallë, e cila konsiderohet unike për këtë zonë, madje prej vitesh në këtë zonë ato janë kthyer në objekt studimi.

Kisha e Skënderbeut

Ata që duan të njohin historinë, jo shumë larg nga laguna, ndodhet Kepi i Rodonit. Dikur, aty ndodheshin katër manastire katolike, por i vetmi objekt që ekziston ende është kisha e Shën Ndout. Kisha i takon arkitekturës romane-gotike e cila shihet tek harqet e mprehta dhe mendohet se është ndërtuar në shekujt 14-15. Sipas legjendës këtu ka kaluar një pjesë të kohës së saj motra e Skënderbeut, Mamica, ndaj edhe sot quhet ndryshe si kisha e Skënderbeut.

Kalaja e Rodonit

Kalaja e Rodonit ka një mur mbrojtës me gjatësi 100 m që shtrihet nga një breg i kepit në bregun tjetër. Kështjella u ngrit nga Skënderbeu për të pasur një dalje në det duke mos qenë në varësinë e Venedikut. Dokumentat Venedikase dëshmojnë se edhe gjatë shekullit të XVI-të në Rodon ka ekzistuar një skelë detare e kompletuar që quhej “Dyert e Rodonit”

Gastronomia 

Baza e pjatave tipike vendase janë peshqit dhe molusqet që vijnë nga ujërat e lagunës, por ju mund të zgjidhni edhe bukën e misrit, byrekun me lakra. Molusqet janë një prej përbërësve kryesorë, ndaj mos u largoni pa provuar një pjatë me një shije unike, ndërkohë që vendasit sugjerojnë edhe pjata me bazë mishin e freskët, qoftë të gjëse së gjallë që rritet përqark zonës, por edhe produkte të egra, sidomos shpendët e zonës.

 

       Botuar nw BORDO,qershor 2022!

 

Tags:

Home bordo

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF