KreuArt

Mehdi Malka: Kjo ëndërr hileqare, që përpiqem të arrij…

Anila Dedaj

Thonë se, është pikërisht fëmijëria, periudha në të cilën mësojmë se si të përballemi me suksesin dhe dështimin në jetë. E tija, me siguri nuk ka qenë e lehtë,pasi mungesa e nënës është një tatuazh i përjetshëm dhimbjeje, por ai ka bërë të mundur që kësaj jete t’i marrë më të mirën, që në zemër të konservojë dashuri edhe urtësi. Ata që i qëndrojnë pranë, e kanë të vështirë të mos e duan Mehdi Malkën, pasi pozitiviteti që ai përcjell tek të tjerët rrallë se haset në shoqërinë tonë. “Kjo mënyrë të sjelluri ka të bëjë me gjenin familjar, mendoj unë”, rrëfen Malka me sinqeritetin e një fëmije. “Mendoj se i ngjaj shumë tim eti, për të cilin qyteti thoshte se ishte një burrë më i urtë se urtësia”. Malka, kujton se babai i kishte fjalët të pakta, por nëse do të ishin vargje, nuk ngutej për të kënduar, ndoshta aty fshihet edhe gjeni artistik i aktorit të mirënjohur. Përpos të atit, edhe xhaxhai i tij luante në skenë si aktor dhe ishte dhe një baterist amator, por ai që do ta shtynte Mehdiun drejt skenës do të ishte vëllai i tij i madh. Përballja e tij e parë me skenën ka qenë në një shfaqje në Memaliaj, dhe aty lindi shkëndija, publiku e pëlqeu menjëherë, dhe Mehdiu përjetoi një ndjesi gëzimi të pamasë, që vetëm skena mund t’ia falte, dhe prej të cilës nuk hoqi kurrë dorë.

Rinia e tij ashtu si edhe fëmijëria, nuk ishte e lehtë. Në jetë i është dashur ta fitojë çdo gjë me mund dhe sakrificë, bashkudhëtare këto të pandara të jetës së tij. “Kur isha në Memaliaj edhe në minierën që tani nuk është më kam punuar, sepse kjo gjë ishte si stazh për këdo që ishte nga ky vend”, tregon ai. Përpos vështirësive, Mehdiu rrëfen se e ndiente të arsyeshme që të niste shkollën dhe për këtë edhe sot e kësaj dite ai kujton me mirënjohje ata që e mbështetën. “Më kanë mbështetur shumë në këtë aspekt Gëzim Kame, Luftar Paja, Birçe Hasko, Viktor Zhusti e shumë të tjerë’’. Malka tregon me nostalgji për një nga momentet kyç të jetës profesionale, kur u emërua në Estradën e Ushtrisë. Ndoshta ndodhitë e bukura edhe pse plotësisht të merituara, në jetë i ka pasur të rralla, ndaj edhe kur ndodhi emërimi i tij, ai rrëfen se ka pyetur të madhin Kadri Roshi, të cilin nuk e harron kurrë: “Përse më mbajtën?!” dhe ai i është përgjigjur me dashamirësi, “Jo për sytë e bukur. Sytë e bukur i kam vetë”.

Edhe Estrada e Ushtarit, ka pasur vështirësitë e veta, pasi u është dashur të punonin shumë. “Asokohe jepnim nga 6 shfaqje në ditë, por edhe pse ishim të kufizuar, kënaqësia ishte e madhe pasi unë e dashuroja punën që bëja. Mund të luaja 5 apo edhe 6 personazhe”, tregon aktori.

Pas 10 vjetësh, falë Koço Devoles, Malka do të luante një nga personazhet kyç të karrierës së tij, “ Xha Brahon”, duke i dhënë kinematografisë shqiptare një nga rolet më të realizuara, madje mund të thuhet pa frike se ky është një nga ato rastet unike që aktori i ka dhënë famë një personazhi, dhe jo e anasjella. “Nuk e kuptova menjëherë rëndësinë e rolit. Xha Brahua, ishte personazhi qendror i veprës, sepse mbante mbi supe psikologjinë e një populli. Madje kur unë udhëtoja në urban i dëgjoja njerëzit që flisnin për Xha Brahon, por mua nuk më njihnin”. Me kohën personazhi do ta shlyente borxhin ndaj aktorit. “Më vonë, nisën të më njihnin edhe mua nëpërmjet personazhit, madje shpesh më thërrisnin edhe Xha Braho, edhe për këtë mua nuk më vinte aspak keq”, rrëfen aktori.

Fama që aktori i dha vetes me interpretimin e Xha Brahos, nuk e dehu përkundrazi, ai u bë i vetëdijshëm se me rolet e tjera duhet të punonte edhe më shumë, që të ruante të njëjtin nivel, ndryshe gjithçka do të ndalej tek ai personazh dhe me kohën aktori ndoshta do të ishte harruar.

“Unë nuk dua të humbas asnjë spektator që më do, por dua t’i shtoj ata, sepse për t’i fituar në fillim është e lehtë, për t’i mbajtur kërkon shumë punë dhe për t’i shtuar është akoma edhe më e vështirë”.

Malka ka më shumë se 40 vjet në skenë dhe rolet që ai ka luajtur janë përgjithësisht, komikë, të dashur, por edhe që përcjellin fate tragjikë, jo si individë, por si realitet shoqëror.

Ndjesitë që aktori përjeton në skenën e teatrit, i përshkruan si unike, sepse është aty që një aktor mund të jetë artist në mënyrën më të ndershme, aty ai karikohet me energji, motivohet…  “Teatri të krijon emocione të mëdha, sepse fryma jote shkrihet  me të spektatorit. Edhe nëse për një moment të ndodh të harrosh spektatorin, në teatër do ta ndiesh, do ta kuptosh se ai është aty,  dhe kjo do të bëjë të japësh më shumë nga vetja”, tregon ai.

Në rrugëtimin e tij artistik, por veçanërisht në familje Mehdiu ka pasur si mbështetje konstante bashkëshorten e tij, e cila i ka qëndruar pranë qysh prej fillimit. Ata kanë dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë,dhe së bashku me bashkëshorten janë munduar të kujdesen, t’i mbështesin ata që të edukohen dhe kulturohen në jetë. “Jam përpjekur si prind që të bëj më të mirën, duke dhënë mbështetjen time, të mos u lë gjë mangët, pavarësisht se njeriu kërkon gjithnjë më të mirën”, thotë ai.

Së fundmi, Malka ka luajtur një rol si mësues në filmin e Ilir Harxhit “Shoferi”. “Aty jam në rolin e një mësuesi që do të shpëtojë botën nga padrejtësitë… Ai nuk ia del por, e bën të vetën, duke u përpjekur gjatë gjithë kohës, pavarësisht asaj që mund të arrijë”, rrëfen Malka.

Pavarësisht se ka një karrierë të artë mbi supe, dhe është padiskutim një nga aktorët më të mirë shqiptar, në vendin tonë ai çuditërisht nuk ka fituar asnjë çmim, përveç vlerësimit dhe dashurisë që publiku ka për të. Fatkeqësisht, edhe pse ai  ka dhënë shumë për skenën shqiptare, ka fituar vetëm tre çmime gjatë karrierës së tij, dhe të tria në Kosovë. I fundit ishte çmimi në festivalin “Etno-Fest”, që u zhvillua në Kosovë, ku Malka mori trofeun si “Aktori më i mirë” që përfaqësonte Shqipërinë. Monodrama “Marr guximin” e autorit Vangjel Kozma e bën fitues për herë të dytë, të njëjtin çmim e ka “rrëmbyer” dhe në Festivalin Ndërkombëtar të Monodramës “MonoAKT”, para pak kohësh.

“Unë nuk kam luftuar ndonjëherë për çmimet, unë bëj punë, përpiqem të jap kontributin tim për këtë vend që quhet Shqipëri, Pastaj  të tjerët e shikojnë dhe vlerësojnë nëse e bëj punën mirë apo jo”,  shprehet aktori. I urtë dhe fisnik, për t’u ndalur konkretisht te kjo temë aktori preferon të ndajë me revistën “Bordo”, ndjesitë e tij ndaj mbështetjes së spektatorëve.

‘’Ajo çka mua më ka emocionuar shumë, janë komentet që janë bërë në rrjetet sociale për mua. Janë të shumta, dhe mua më kanë shtuar dëshirën për të punuar, për të qenë më kërkues, karshi vetes, sepse mendoj se kam kohë për të realizuar ëndrrën, që nuk e kap dot… Apo ndoshta  e kap, por më shket, sepse është shumë hileqare ëndrra, ose të lë gjumi (në kuptimin figurativ), ose të del nga xhepi dhe ikën ajo, është e pamundur që ta kapësh”. Artisti që dashuron çdo rol që ka bërë, por që nuk i numëron kurrë ata, vetëm gjatë periudhës së fundit në teatër ka qenë pjesë e shfaqjeve te “Shtrigat e Salemit”, “Tartufi”, protagonist te monodramat “I marri fisnik”, “Marr guximin” etj,, me shpresën që një ditë do të luajë edhe rolin e Polonit te “Hamleti” i Shekspirit.

“Unë mundohem shumë, Shekspiri te ‘Nata e dymbëdhjetë’ thotë, se në këtë botë çdo gjë është punë fati, ca lindin të mëdhenj, ca bëhen të mëdhenj dhe cave u zë derën madhështia. Unë po përpiqem që të kap këtë të dytën, nuk e di se deri ku kam arritur, por po përpiqem shumë’’.

Intervista është botuar në revistën BORDO, në tetor të vitit 2016

 

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF