KreuArt

David Beckham Jo futbollist, por fashionist

Britaniku që ndryshoi me stilin e tij botën mashkullore, nga prerja e flokëve tek  veshjet dhe hapi i madh drejt modës që theu mitin mbi burrat ekstravagantë…

Shtatëmbëdhjetë vjet më parë, një agjenci e cila përfaqësonte futbollistin anglez David Beckham, telefonoi revistën GQ. Kërkesa e tyre nuk ishte aspak e çuditshme: donin që mesfushori i Manchester të fotografohej, intervistohej, madje ta vendosej në kopertinë. E gjithë kjo vinte jo shumë kohë pas incidentit gjatë Kupës së Botës 1998 kur Beckham goditi qëllimisht Diego Simeone. Ndaj agjentët e tij kishin orkestruar një fushatë me qëllim rivendosjen e kredencialeve të futbollistit. Një tjetër revistë meshkujsh i kishte premtuar atij kopertinën, por kishte ndryshuar gjithçka në minutën e fundit, duke e vendosur në një faqe të brendshme. Kjo nuk ishte aspak pozitive për një futbollist, ylli i të cilit kishte filluar të ndriçonte.

Por sot, pas shtatëmbëdhjetë vitesh bilanci i karrierës, famës dhe pasurisë së David Beckham nuk mund të bëhet me një të rënë të lapsit. Edhe pse tani nuk është më një futbollist, ai ka gdhendur një imazh, i cili nuk kornizohet aspak brenda botës së futbollit, epokë e cila duket se ka perënduar, ndaj ai është përpjekur të shfrytëzojë çdo minutë të jetës së tij, sidomos pasi kaloi pragun e të dyzetave. Por mashkulli më seksi anglez, duket se është njëlloj si vera, sa më i vjetër, aq më i mirë bëhet.

Nga një djalosh me tipare tipike britanike: flokë dhe mjekër të kuqerremtë, tani ai ka gdhendur një portret i cili identifikohet me atë të një mashkulli jo thjesht superseksi, por edhe atë të një babai shembullor, i cili shfaqet më së shumti krah fëmijëve të tij, duke i dhënë shembullin e një marketingu pozitiv.

Nuk ka dyshim që takimi me gruan e tij, Victoria Beckham la gjurmë dhe transformoi tërësisht futbillistin, i cili nga një djalosh harrakat, u kthye në një ikonë stili, madje përtej Britanisë së Madhe, më pas në Evropë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e deri në Azinë e largët. Sepse Victoria, para se të merrte mbiemrin e bashkëshortit të ardhshëm, e kishte kuptuar se aroma e famës, ishte si gjaku që tërheq prenë drejt një botë, brenda së cilës jo thjesht duhet të hysh, por duhet të bësh gjithçka për të qenë brenda.

Po si filloi Beckham të kthehet në një ikonë e stilit? Nga veshjet tipike me tuta të gjëra sportive, flokë të pakuruara dhe një lëkurë jo fort e pastër, futbolliti po habiste të gjithë në shfaqjet e tij publike. Askush nuk mund të harrojë daljen e famshme të çiftit në publik gjatë një feste të organizuar nga Versace, ku shfaqën të veshur me lëkurë të zezë të puthitur pas trupit.

Beckham po bëhej edhe më real çdo ditë. Kjo u duk në xhaketat që zgjedhte, kostumet sportive dhe aksesorët shoqërues, të gjitha të kombinuara me aq kujdes, sa askush nuk e portretizon më as si ylli i futbollit, as si bashkëshorti i Victorias, por si David Beckham. Tani aftësitë e tij në futbolli, për të cilën në fillim u njoh dhe admirua, kaluan në plan të dytë, të gjithë po e admironin për pamjen dhe stilin etij.

Beckham filloi të shfaqej në sfilatat e modës duke mbajtur Viktorian për dore, ose duke mbajtur në krahë djalin e porsa lindur, ndërsa gjatë sfilatave kuishin ftuar i shoqëronin emra të njohur të medias dhe modës, mes tyre Anna Wintour. Kjo tregonte se ata e dinin që ky çift do të shkëlqente, ndaj nuk kishin sesi të humbnin asnjë çast.

Momenti i kthesës së madhe ndodhi kur Beckham nisi të eksperimentonte me flokët.  Modelet e tyre u kthyen në frymëzim për shumë të rinj në botë: herë të qethura, e herë të lyera me fije bjonde ose plaitini, ai rrëmbeu gjithë vëmendjen. Të gjithë donin t’i ngjanin, ndaj Police ishte e para markë e cila i besoi imazhit të tij për të shitur, e më pas erdhi Marc & Spencer: Beckham i veshur me kostum të zi, ku modeli i xhaketës ishte i pazakontë, një frak i cili i jepte një pamje të pabesueshme Beckham. Por hapi i madh ndodhi kur Pepsi e ktheu David Beckham në imazh botëror. Tani asgjë nuk e ndalte. U kthye nga një person, në markë shitje botërore.

Por marka që e ktheu një ikonë të stilit të meshkujve, ishte Dolce & Gabbana, duke i ofruar qasje drejt mashkullit metroseksual. “Gjërat filluan të ndryshonin tek meshkujt kur nisëm të punonim me David Beckham. Ai ishte modeli për të cilin kishim nevojë. Ai ishte një futbollist i njohur. Kishte një grua të bukur dhe fëmijë, ndaj burrat thanë: Nëse ai e vesh atë, pse mos e vesh dhe unë, sepse para kësaj moda e meshkujve ishte vetëm për meshkujt homoseksualë”- tha Stefano Gabbana për Los Angeles Times.

Kalimi i tij nga Manrchester United tek Real Madrid, sigurisht që ishte pjesë e merkatos së futbollit, por as që krahasohej me shifrat që do të vinin nga moda. Tani agjentët e tij nuk kontaktonin më median për të kërkuar kopertina, ishin mediat që i kontaktonin ata. Më së shumti, futbollisti ulej në takime pune vetëm kur flitej për të diskutuar shifrat dhe për të firmosur kontrata. Futbolli u duk sikur kaloi në plan të dytë, kontratat që po i sillnin më shumë të ardhura vinin nga bota e modelingut, derisa Giorgoi Armani vendosi ta zhvishte, e si rrjedhim ta rriste disa herë shifrën e një dalje të tij në publik, kur bëhet fjalë për të shitur produkte nga veshjet tek produktet kozmetike, aksesorët e deri tek librat që nisi të botonte. Beckham po e shiste ‘lëkurën’ e tij, sa ‘frëngu pulën”. Pas kësaj erdhi fushata e H&M, duke i dhënë një shtysë të madhe në fushatat publicitare, duke shitur marka, të cilat edhe pse ishin të dorës së dytë, besonin se këta blerës kishin për një frymëzim i cili ishin ngritur nga hiçi dhe kishte prekur majat. Askush më mirë se Beckham nuk mund ta provontekëtë gjë.

Me kalimin e viteve David gdhendi një stil unik, krejt të papërsëritshëm, madje edhe ata që e ndoqën, nuk ia arritën. Sepse ajo që me të vërtetë i bën të gjithë ta duan stilin e David Beckham është ajo hijeshia tipike britanike, të cilën ai përfaqëson denjësisht sidomos përmes veshjes. Nga kostumet, kravatat, kombinimi i shpesh me ndonjë palë atlete dhe jo me këpucët tipikë të Oksfodit, shkaktoi revolicion në stilin mashkullor. Edhe tani, 42 vjeçar, në çdo dalje, David duket më i freskët dhe më elegant se kurrë më parë.

Botuar në Revista BORDO!

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF