KreuKuzhine

Recetë/ Sallatë kaprese me petë të thata!

Recetë/ Sallatë kaprese me petë të thata!

Në verë kemi më pak kohë për të gatuar, por edhe pjatat që duam duhet të jenë të shijshme, të shëndetshme dhe me një freski që përqafohet nga vetëm një shikim. Ndaj “Bordo” ka menduar sesi të përgatitni disa receta të freskëta në pak kohë, që kanë shumë pak kalori, por edhe ju bëjnë të ndiheni të lehtë. Pjatat e ftohta mund të mbahen në frigorifer, ose të shoqërohen me kuba akujsh për të ruajtur freskinë e tyre.

Sallatë kaprese me petë të thata

Përbërësit: 4 petë të pjekura, 400 g domate qershi, 350 g mocarela, 20 g kaper në kripë, rigon, vaj ulliri ekstra i virgjër, kripë dhe piper.

Përgatitja: Lajmë dhe thajmë domatet qershi, i presim përgjysmë dhe i fusim në një enë, ku shtojmë kaperin, 1 lugë vaj ulliri, rigon të thatë dhe disa gjethe rigon të freskët të grirë imët. Përziejini dhe lërini të aromatizohen, ndërsa përgatitni pjesën tjetër të përbërësve.

Përzieni 2 lugë vaj ulliri me 1 lugë gjelle ujë të vakët, pak kripë dhe piper për të krijuar një salcë. Ndërkohë e presim mocarelën në copa. Shtrojmë petët e pjekura nëpër pjata individuale dhe vendosim në shtresa përbërësit; fillimisht salcën e vajit të ullirit, pastaj domatet e aromatizuara dhe në fund mocarela, duke krijuar shtesa sipas dëshirës. Në fund spërkateni sërish me salcë, shtoni rigon të freskët dhe piper për shije. Lëreni të pushojë për disa minuta para se ta shërbeni.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF