Nga Nada Biraçi
Rruga e tij si kuzhinier e shef kuzhine ka qenë e bukur, ndonëse me sfida dhe aspak e lehtë. Chef Ismet Shehu e ka nisur gjithçka si pjatalarës nëpër restorantet e Londrës, për të paguar shkollimin, por edhe për t’i bërë ballë së bashku me babain e vëllain emigracionit e mbi të gjitha diskriminimit. Të gjitha këto eksperienca, Ismeti nuk i ka quajtur kurrë vuajtje! Ato e kanë bërë të kuptojë dhe vlerësojë çdo proces pune në restorant, që nga ai që mirëpret klientin e deri te pjatalarësi, pastruesi, ndihmësshefi apo shefi i sallës. Sot drejtues i tre restoranteve të suksesshme në kryeqytet, Shehu në ccdo pjatë që servir për klientët shqiptarë apo të huaj, sugurohet të ketë atë ‘shije autentike Shqipërie’…
“Ceren Ismet Shehu”, një emër që po kthehet në brand gastronomie. Pse vendosët ta mbanit edhe emrin tuaj në emërtimin e restorantit?
Ceren është emërtimi më domethënës që mund t’i vija restoranteve të mia, sepse aty pranë Malit të Korabit në fshatin Çeren është vendlindja ime. Edhe pse si pjesa më e madhe e shqiptarëve u detyrova të emigroja, kjo është një mënyrë për ta mbajtur gjithmonë me vete prejardhjen time. Sa i përket emrit tim, kam dashur që agroturizmi të identifikohej me mua personalisht që në emërtimin e tij.
Sa kohë ju është dashur ta krijoni si ide dhe si koncept këtë nismë?
Takimi i parë i imi me një kuzhinë profesioniste, (përpos magjes së nanës në fshat që mbetet tempull i paprekshëm në memorien time), ka qenë si pjatalarës në Londër, kur unë si student më duhej të punoja që të paguaja shkollën. Si dëshirë, ose ëndërr, që atëherë dukej e guximshme deri në delir e çmenduri, ka nisur që kur teksa laja e shkumoja pjatat, me bisht të syrit shihja lëvizjet e shefit të kuzhinës. Isha një djalë i ri, i cili së bashku me vëllain dhe babain mundoheshim fort çdo ditë t’i bënim ballë emigracionit e mbi të gjitha diskriminimit. Por, puna pa asnjë paragjykim, vullneti dhe kokëfortësia e një veriori (qesh) bëri që shumë shpejt nga pjatalarës të kthehesha në shef kuzhine. Atë ëndërr të çmendur që sillja nëpër mend teksa laja pjatat në një restorant në Londër, guxova ta them më zë të lartë dhe ta bëj realitet në Atdheun tim.
Jeni shumë i lidhur me traditën, nga ku mbështesni çdo nismë tuajën. Çfarë vlerësoni më shumë ju si mjeshtër kuzhinë në kulinarinë tonë?
Po, jam shumë i lidhur me traditën sepse vij nga një familje nga veriu edhe me tradita që janë ruajtur deri vonë, ose ende ruhen sot e kësaj dite. Si të mos e ruaj gatimin tradicional që mezi prisnim nga duart e nënës! Edhe pse tani mund të jem vetë shef kuzhine, mund të kem përgatitur dhe eksperimentuar dhjetëra receta moderne, mund të kem marrë përgëzime dhe komplimente nga klientë anekënd botës, por nëse do t’më pyesje cili është gatimi i preferuar, do të thosha ‘vetëm nga duart e nënës sime’. Do t’ja jepja vetëm asaj 3 yje Michelin. Diçka tjetër që do të ruhet gjithmonë në restorantet e mia është ruajtja e emrave të gatimeve tradicionale dhe kurrë nuk do të humbasë shija shqiptare. Si një njeri që sheh çdo ditë turistë të huaj në restorantin e tij, me bindje ju them që ata janë të magjepsur nga gatimi tradicional shqiptar. Kemi një aset që s’duhet humbur asesi. Jo çdo vend e ka këtë fat!
Cilat janë pjatat që ju identifikojnë ju si restorant?
Të dy restorantet “Ceren Ismet Shehu” dhe restoranti “Kazerma e Cerenit” njihen më së shumti për përgatitjen e mishit në mënyrë të ngadaltë. Pastaj siç dihet është evolucioni i traditës, por baza është gjithmonë mishi.
A ka aty shije të vjetra fëmijërie të mbartura nga fshati ku jeni rritur?
Po kemi mbajtur që nga dita e parë flinë, me recetën origjinale të nënave dhe kjo shije fëmijërie do të jetë gjithmonë në restorantin tonë. Mbaj mend kur ishim fëmijë, flija cilësohej si ‘ushqim i mirë’ dhe përgatitej sa herë kishim mysafir në shtëpinë tonë në fëmijërisë në fshat.
Po klientët e huaj cilat gatime tradicionale pëlqejnë më shumë?
Klientët e huaj zakonisht pëlqejnë çdo pjatë të traditës. Por të huajt nuk mjaftohen vetëm me konsumimin e pjatës, pasi ata kërkojnë shpjegime dhe detaje për çdo gatim që kanë në tavolinë. Duan të dinë si përgatitet, çfarë ka në përmbajtje, cila është origjina. Të huajt janë shumë kuriozë dhe vlerësimet për çdo gatim shqiptar kanë qenë gjithmonë maksimale.
Ju drejtoni 3 restorante agroturizëm. Sa e vështirë është të mbahet i njëjti standard në secilin prej tyre?
Vështirësia është e madhe. Si në çdo biznes në Shqipëri këto kohë, mungesa e burimeve njerëzore është një problem i madh. Por ne vazhdojmë të japim maksimumin në të tre restorantet falë përkrahjes, përkushtimit dhe familjes.
Gjatë qëndrimit në Britani keni patur mundësi të gatuani e t’i shërbeni mbretëreshë Elisabeth II dhe Princ Philipp. Si e kujtoni atë eksperiencë?
Mbetet një nga eksperiencat më të bukura dhe më mbresëlënëse në jetën time. Edhe pse kanë kaluar 13 vite ende nuk di ta shpjegoj ndjenjën dhe emocionin e atij takimi. Ishim 10 studentë që patëm fatin t’i shërbenim Mbretëreshës dhe nuk kam për ta harruar kurrë sesi rrihte zemra nga emocioni atë ditë.
Klientët VIP kemi parë që janë shumë të pranishëm në restorantin tuaj. Cila është pjata e preferuar për disa prej tyre?
Nisur nga përkufizimi i fjalës VIP (Very Important Person -Njeri shumë i rëndësishëm), për mua njeri shumë i rëndësishëm është çdo klient që vjen në restorantet Ceren. Pra VIP, si ata që i njeh gjithë Shqipëria apo edhe më gjerë, e si ata që i njeh vetëm familja apo miqtë (qesh). Sigurisht që ndihem shumë i vlerësuar kur emra të njohur të fushave të ndryshme vijnë dhe konsumojnë gatimet tona dhe ndjenja e krenarisë për atë çfarë ka arritur Ceren në këto vite është e madhe, sa herë që personazhet publikë largohen të kënaqur nga restoranti. Kjo kënaqësi dhjetëfishohet kur shoh që ata rikthehen herë pas here. Sa i përket menusë pjesa më e madhe e VIP-ave pëlqejnë shumë një pjatë mirëseardhje që ne e quajmë ‘farm to the table’, që do të thotë çdo gjë sezonale dhe në mënyrë të padiskutueshme BIO. Mua personalisht më shijon shumë momenti kur i shoh teksa konsumojnë flinë dhe mishin e gjedhëve që janë ushqyer në male, që del pothuajse i shkrirë. Menu të ndarë për VIP-a posaçërisht nuk kemi, kam mbajtur të njëjtat receta dhe gatime për çdo klient që zgjedh të drekojë apo darkojë te ne.