KreuCelebrity

Hueyda El Saied: “Im bir do të jetë gjithmonë në kontakt me shqipen dhe traditat tona”

Gjithmonë e qeshur, çapkëne me flokët karakteristike kaçurela dhe ngjyrën çokollatë të lëkurës ajo mbetet një ndër personazhet më të dashur për publikun shqiptar. Emri i saj përbën gjithmonë kuriozitet, për të ditur më shumë rreth të rejave në jetën e show-girlit shqiptar. Hueyda El Saied vjen në një intervistë për BORDO, ku rrëfen përjetimet e saj si nënë e një djali, marrëdhënien e veçantë me Shqipërinë si dhe pasionin e saj, tashmë të kthyer në profesion, pikturën.

Sapo je kthyer në Shqipëri. Cila ishte arsyeja e kësaj vizite?

Jo gjithnjë ardhja ime në Shqipëri lidhet me arsye profesionale. Shqipëria mbetet vendlindja ime dhe dua që im bir të ketë sa më shumë kontakt me gjuhën shqipe dhe traditat tona. Aq më tepër, këtu vazhdoj të kem, gjyshen dhe tezen për të cilat të dyve na merr malli.

Çfarë të pëlqen nga Shqipëria dhe çfarë jo?

Me çfarë po ndodh në botë ka filluar që të me duket Shqipëria si një strehëz shumë e ngrohtë e kjo, jo vetëm pasi ajo ruan me kujdes kujtimet e fëmijërisë apo të adoleshences sime. Është e lehtë të fillosh të kritikosh Shqipërinë kur vjen vetëm si turiste, por mua më pëlqen të shoh anët e bukura dhe ndyshimet pozitive të saj, ndaj po i lë të tjerët të pështyjnë në supën që hane çdo ditë.

Je bërë nënë i një djali të bukur të quajtur Gabriel. Nuk do të kërkoj të përshkruash ndjesinë e të qënit nënë, pasi e di nuk mund të përshkruhet me fjalë. Çfarë marrëdhënie ke krjuar me djalin?

Gabrielin e kam çuar në çerdhe vetëm kur ishte 23 muaj, dhe vetëm tre ditë në javë, ku në shumicat e rasteve mungon pasi udhëtojmë shpesh. Kështu që jemi shumë të lidhur me njëri tjetrin. Por kjo nuk përjashton faktin që e kritikoj, e korigjoj me qëllimin që ai të jetë sa më i edukuar. Sigurisht të gjitha këto i bëj më shumë dashuri…

Di Grabrieli të flasë shqip?

Po sigurisht me të komunikoj vetëm në shqip.

Të kërkon ai një motër apo një vëlla? Është në planet e tua?

Është ende i vogël për të tilla kërkesa. Por dhe kur të rritet s’do ta kërkojë një gjë të tillë se do t’i tregoj sesa mirë është të mos i ndash prindërit, lojërat me të tjerët, e këtë e kam me provë. (Qesh) Të flasim seriozisht tani, mendoj që një fëmijeë më të mirë se Gabrieli nuk mund të bëj më kurrë.

Je një nënë posesive?

Po shumë…

Hueyda a do ktheheshe përfundimisht në Shqipëri?Cila do të ishte arsyeja që do të të kthente. Ndoshta ndonjë ofertë e mirë pune?

Tashmë jam përqendruar tek piktura, sapo mbarova një ekspozitë në Dubai, jam duke përgatitur një tjetër në Vietnam. Kam bërë 5 ekpozita personale dhe puna ime si krijuese në këtë fushë po ecën mirë, kështu që le të themi që më pëlqen të vij në Tiranë vetëm si turiste.

Ti ke kërcyer, kënduar, prezantuar, ke shkruajtur libra dhe së fundmi edhe ke pikturuar? Si lindi ky pasion?

Kam filluar të pikturoj që në 1996 në Paris, por fillova ta merrja më seriozisht kur shkova në Luksemburg dhe që në ekspozitën e parë dhe shita 8 piktura.

Piktura më e shtrenjtë që ke shitur sa ka kushtuar?

3000 euro.

Është e vështirë të përcaktosh profesion tënd. Nëse Gabrielin do ta pyesin çfarë profesioni ka mami, si do të përgjigjej ai?

Artiste…

Ti vetë në çfarë profesioni e sheh Gabrielin kur të rritet?

President (qesh). Dua që Gabrieli të jetë një njeri i lumtur, por shpesh mendoj që duhet të ketë dhe presidentë të lumtur… Por jo president shteti ndoshta i “Fondit Monetare Ndërkombëtar” (qesh).

Ata që të ndjekin nëpër rrjetet sociale, e shohin që je gjithmonë me valixhe në dorë. Ti udhëton shumë. Cili është vendi që të ka lënë më shumë përshtypje?

Do të ta them sa të zbres nga avioni, jam duke kthyer përgjigjet e kësaj interviste në avion, po shkoj në Vetnam, uroj të të pëlqejë.

E merr shpesh Gabrielin me vete në udhëtime të tilla? Si e përjeton ai?

Gabrieli ka filluar të udhëtojë me mua që në moshën 2 mujore, është shumë i rehatshëm kur udhëtojme.

A mund ta themi moshën tuaj??

Po 41 vjeç.

Kjo pyetje ishte jo më kot. Pasi e di që ata që po lexojnë këtë intervistë po shqyejnë sytë. Mund të themi pa e ekzagjeruar që nuk tregon më shumë se 20 vjeç. Si kujdeset Hueyda për fizikun e saj? A ke një dietë ushqimore që ndjek?

Haha 20 vjeç… duhet të qesh apo të qaj, se mos po thua qe jam 20 vjeç nga mendja ? (Qesh) 20 vjeç kam vetem shpirtin… Ajo që di është se duhet të filloj të bëj një dietë si dhe të filloj të bëj pak sport, është një nga premtimet që i kam bërë vetes për 2017-ën.

Cilat janë planet e tua afatshkurtra që mund të ndash me ne?

Jetoj ditë pas dite…

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF