Enada At’ Nikolla rrëfen me detaje si e realizoi veshjen e Eugentit dhe gjithë grupit në Eurovizion - Celebrity
KreuCelebrity

Enada At’ Nikolla rrëfen me detaje si e realizoi veshjen e Eugentit dhe gjithë grupit në Eurovizion

Gjithçka çfarë nuk u pa!
Nesër është finalja e madhe e Eurovizion dhe të gjithë ne mezi po presim që të shohim edhe një herë Eugentin teksa pushton atë skenë gjigande me zërin e tij. Si rrallëherë më parë, kënga përfaqësuese e Shqipërisë ka patur vetëm komente pozitive në rrjete sociale, duke u kthyer në një ndër këngët me vlerësimet më pozitive. Por, duket se Eugenti nuk është komplimentuar vetëm për zërin e tij potent, pasi jo pak komente pozitive ka marrë edhe veshja e tij dhe e gjithë grupit. “Dreqin, e dua edhe unë një xhaketë të tillë”, shkruan njëri prej komentuesve në faqen zyrtare të Eurosong. Këtë vit është stilisitja Enada At’ Nikolla, ajo që ka krijuar veshjet e çunave (siç ajo pëlqen t’i thërrasë). Por, si është të punosh me stilin tipik prej rokerësh të djemve?

At’Nikolla ka rrëfyer për bordo.al frymëzimin e ardhur nga figurat e secilit prej anëtarëve të grupit që ndezi skenën e Lisbonë më 8 maj. “Po provonim me bateristin, po nuk po i rrinin. U zhvesh për t’u ndërruar, doli me kanatiere , dhe kur pashë tatuazhet i thashë “ti je gjynah të vishesh” dhe mendova që t’i bëja kanotiere, me lëkurë me thekë të kadifenja”, ka zbuluar stilistja, duke shpjeguar se si nisi puna për krijimin e veshjeve për Eurovizionin e këtij viti. Duket se synimi i At’Nikollës për bateristin ka qenë nxjerrja në pah e tatuazheve, për t’i qendruar deri në fund imazhit tipik rock: “Ndërkohë që po e provonte, i pamë tatuazhin zemër. Duke qenë se nuk ishte femër, pasi mund t’ia bënim bust ose me një krah, dhe i vendosa një zhinxhir. Dhe këmishën që ia kam bërë në tapetin blu, ia bëra me zinxhir për t’i vënë në pah tatuazhet.”

E sa për protagonistin e performancës në tërësi, ai që u cilësua ndryshe si vokali më i mirë i Eurovizionit të 2018-tës, Enada zbulon të tjera detaje: “Për xhaketën e Gentit doja të bëja diçka ndryshe, po mendonim si t’i jepnim elemente rock dhe e premë. Bëmë të gjitha kallupin e xhaketës dhe më pas e shpërbëmë. Ti fillon të mendosh se ku do të bësh diçka ndryshe në xhaketë. Nuk mund të punonim në pjesën e përparme të saj, pasi duhet të ruhej eleganca e një xhakete. Zgjodhëm një krah sepse duke parë që kanë tatuazhe. Edhe këmisha në një mëngë është e rregull që të dalë i rregullt, e ndërsa në mëngën tjetër është e prerë që t’i viheshin në pah tatuazhet.”

Stilistja ka vijuar edhe më tej, për të treguar se kujdesi ndaj detajeve është ai që ka bërë në të vërtetë diferencën. “Gjithashtu kishte edhe disa elementë metali si për roker. Dhe më pas, në pjesën që punuam më shumë ishte pjesa e kurrizit që kishte më shumë hapësirë për të punuar. E ndërsa për jelekun e Gentit në tapetin blu kam imituar shtyllën kurrizore me  kopsa metali në formën e dhëmbëzave”, ka përfunduar Enada, për të na dhuruar pak nga magjia e fazës parapërgatitore të përfaqësimit në Eurovizion; një parapërgatitje, që do të mbahet mend gjatë, si nga ana e imazhit, ashtu dhe për përkushtimin e grupit të çunave për një performancë sa më të denjë. Si gjithmonë, Enada ka vërtetuar se ka arsye pse veçohet në stil. Një personalizim i tillë i veshjeve, vështirë se shihet ndër radhët e personazheve…

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF