Epoka moderne: ‘Më mirë ndërroj buzët se sa burrin!’ - Busull
KreuBusull

Epoka moderne: ‘Më mirë ndërroj buzët se sa burrin!’

Jenner dhe Kardashian tashmë janë shndërruar në mbiemrat që i kujtojmë më shpesh se sa çdo gjë tjetër. Kudo dhe kurdo shohim foto e lexojmë shkrime për disa nga vajzat e pasura më të papuna të ditëve të sotme. Një paradoks ky, që na vjen si një dhuratë e shtrenjtë e kapitalizmit. Megjithatë, para se të fillojnë akuzat për ndonjë fije energjie marksizmi a komunzimi të mundshëm (se i kanë vënë shumë emra këto kohë, për hir të ngatërrimit me injorancën e diktaturës), le të ndalemi tek një tjetër temë, burimi i së cilës vjen drejtpërdrejtë nga Kylie Jenner, jo më larg se ditën e djeshme.

Kritikuar së shumti për fytyrën e re që ka zgjedhur të mbajë këto kohët e fundit, 19-vjeçarja më në fund ka pranuar çdo ndërhyrje kirurgjikale që duket qartazi në fytyrën e saj. E famshme për buzët ekstremisht të fryra, Kylie, si një vajzë e mirë amerikane, ka shpjeguar me lot në sy arsyen pse është detyruar të marrrë një vendim të tillë. Sipas saj, në moshën 15-vjeçare, kur më në fund kishte arritur të shkëmbejë puthjen e parë, pikërisht në këtë kohë, ishte përballur me eksperiencën me të dhimbshme të këtyre 19 viteve të fundit: djali në fjalë, i dashuri i Jenner në atë periudhë, i kishte thënë se buzët i kishte shumë të vogla e të holla. A mund të pësojë njeriu traumë më të madhe se kaq? Nëse ke mundësi të blesh një pronë 2 milion dollarëshe në moshën 17-vjeçare, fjalë të tilla do të rëndojnë më shumë se thasët dhjetë kilogramëshe në supet e një punëtori të thjeshtë. Kështu, për të mos përjetuar më të tilla eksperienca, Kylie ishte detyruar të frynte buzët pak nga pak (deri sa të dukej si shëmbëlltyra më perfekte e një rosaku). Shtrohet pyetja: mos është më mirë të ndërrosh burrin apo është më e lehtë të ndërrosh fytyrën?

Në fakt, është një rast për t’i bërë qokën e keqardhjes, sepse ndoshta nuk ka fatkeqësi më të madhe se proçesi i vdekjes së trurit përpara trupit. Trupi i Kylie-t është ndër ato bombastikët, rinorët, seksit, me vithe e gjoks të përmasave marramendëse; truri…është thjesht një masë, përgjegjëse për të folur e dëgjuar (me dyshime kjo e fundit), por jo për të menduar. Ndoshta, milionat e trashëguara nga burri i parë i së ëmës, nuk e kanë lejuar adoleshenten të shohë përtej kirurgjisë. Hm, Kylie, lajme ‘flash’: nuk është qëllim të jetosh për tjetrin… Ndoshta, ajo as nuk e di që ka jetë dhe përtej fotove, videove e të dashurve në adoLESHencë. Dhe është vërtetë ironike, kur mendon se sa herë i ka ndërruar meshkujt Jenner në kaq pak vite. Duke marrë parasysh një fakt të tillë, natyrshëm të lind ideja se çdo ndërhyrje tjetër estetike në fizikun e saj lidhet me çdonjërin prej ish-të dashurve që ka patur. (Muze burrash, me pak fjalë)

Kylie Jenner është thjesht rasti më publik ndër miliona të tjerët, që po shohim gjerësisht edhe në vendin tonë. Dhe, nëqoftëse guxon të shprehësh një mendim kundër shndërrimit të fytyrës në kopje të shëmtuara të së njejtës bisturi, menjëherë të vijnë kritika nga çdo anë, të tipit: “çfarë ke, gjithësecili ka jetën e tij!”, “nuk duhet të të interesojë, kushdo bën siç do vetë”, “nuk duhet të jesh kaq paragjykues/e”… Sepse, po, jemi në epokën kur të kërkuarit e origjinalitetit të qënies humane, cilësohet si paragjykim. Kështu, na rrofshin Jenner-at e Kardashian-et botërore e shqiptare, që dita-ditës po na mesojnë se si femrës po i intereson një qëllim i vetëm: të mos jetë më njeri!

Tags:

Home Dossier

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF