Një duartrokitje për Lars von Trier, 100 shikues largohen nga salla gjatë premierës së filmit në Kanë! - Art
KreuArt

Një duartrokitje për Lars von Trier, 100 shikues largohen nga salla gjatë premierës së filmit në Kanë!

Një tjetër sukses për Lars von Trier. Sepse, do të ishte vërtetë e çuditshme nëse nuk do të ndodhte diçka e tillë. Po flasim për një nga regjisorët më të diksutuar të dekadave të fundit, imagjinata dhe talenti i së cilit vështirë të shpjegohen me të parën. Çfarëdo që mban firmën e von Trier, është sa artistike, aq dhe shqetësuese e brutale.

Ndërthurja e seksit dhe dhunës dhurojnë ndjenjën e diskomfortit, që jo shumë regjisorë arrijnë të përcjellin. Sepse, siç e kanë pranuar shumë kineastë: ç’kuptim ka kinemaja nëse nuk të sikletos sadopak?! Emocion – këtë përcjell danezi, i cili ia ka arritur dhe një herë të bëjë bujën e nevojshme në Festivalin e Kanës. Filmi më i fundit, ‘The House That Jack Built’ nuk është pranuar të jetë pjesë e konkursit mes veprave të tjera, por nuk është mohuar të mbajë premierën në ambientet e festivalit. Shkak për një vendim të tillë është bërë dhuna ekstreme që shpërfaq filmi, gjë që ka ‘detyruar’ plot 100 spektatorë të lënë karriget e kinemasë e të dalin nga salla. Ata e kanë quajtur filmin skandaloz, të tmerrshëm dhe të përgjakshëm, ashtu sikurse (si gjithmonë) ka patur dhe një pakicë që e kanë duartrokitur krijimin më të ri të Lars von Trier.

Referuar një vrasësi serial, skenat në film përshkruhen si ‘të rënda’ vizualisht, gjë që e karakterizon së shumti stilin e regjisorit. Ndonëse për komercialët ky do të quhej një dështim, zakonisht kinefilët janë në dijeni të plotë se largimi i menjëhershëm i spektatorëve nga salla është një shenjë e mirë, që karakterizon jo rrallë herë ato çka ndryshe quhen filma kult. Prodhimi zgjat rreth dy orë e gjysmë, e kushdo që po pret ta shohë me padurim, bën mirë të nxitojë, pasi von Trier ka premtuar shumë…!

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF