Orgesa Zaimi, një dhuratë e veçantë për fëmijët me sindromën down - Celebrity
KreuCelebrity

Orgesa Zaimi, një dhuratë e veçantë për fëmijët me sindromën down

Ditën e djeshme këngëtarja Orgesa Zaimi dhe Kamela Islamaj kanë përfunduar xhirimet e këngës së tyre më të re. Një këngë, e cila është një dhuratë e veçantë për fëmijët me sindromën down. Të dyja artistet prej disa vitesh janë angazhuar në koncerte të ndryshme ndërgjegjësuese fondacionit “Down Syndrome Albania”.
Në një intervistë për Bordo.al, Orgesa Zaimi tregon të gjitha detajet e kësaj kënge dhe planet e saj të afërta muzikore.

Nga Sidorela Lepri

Ditën e djeshme kanë përfunduar xhirimet e videos tuaj më të re, së bashku me këngëtaren Kamela Islamaj. Na tregoni disa detaje më shumë lidhur me këtë video?Videoja na ka marrë 2 vjet kohë për t’u realizuar, ndërkohë që kënga ose bashkëpunimi është regjistruar në studion e Indrit Mesitit, i cili është autori i plotë i këngës, në 2010. Të dyja kemi kënduar në disa koncerte ndërgjegjësuese ose pjesë e fushatave të fondacionit “Down Syndrome Albania” dhe këngën e kemi bërë pjesë të këtyre koncerteve. Ata e kanë pëlqyer dhe në një farë mënyre është bërë edhe si sfond i tyre. Kështu që unë bashkë me Kamelën menduam që t’ua dhuronim atyre këtë këngë dhe më vonë menduam të xhirojmë një video për të treguar që personat me sindromën down kanë vetëm një kromozom me shumë dhe kaq. Ata janë njësoj si ne.
Në video po ashtu përfshihet edhe fondacioni “Down Syndrome Albania”. Cili është mesazhi që videoja kërkon të përcjellë?
Ne duam që me këtë këngë të bukur, me një tekst të thjeshtë, të iu tregojmë të gjithëve sesa të dashur dhe sa të mirë janë personat me sindromën doën, madje shumë prej tyre kanë zhvilluar aftësi të ndryshme. Irma, përshembull është një vajzë 18 vjeçare, e cila ka talent në pikturë, madje së fundmi ka çelur dhe ekspozitën e saj të parë.
Kur pritet të publikohet?
Tani presim që video të editohet dhe të punohet. Pjesa më e madhe, domethënë xhirimet u mbyllën. Është bërë një punë e palodhur dhe e pashoqe nga të gjithë bashkëpunëtorët tanë. Shumë njerëz na kanë dhënë ndihmën e tyre pa çmim dhe me shumë dashuri.
Edhe herë të tjera keni treguar mbështetjen tuaj ndaj fëmijëve me sindromën down, e jo vetëm. Përse e mbështesni kaq fort këtë kauzë?
Ne kemi qenë prej 4 vitesh pjesë e aktiviteteve të fondacionit “Down Syndrome Albania”, sepse është diçka që nuk njeh arsye, shkaqe e pasoja. Ështe diçka që e ndjen dhe familiarizohesh, dëshiron të japësh ndihmën tënde, nëse kjo ndihmë vlen. Unë kam ftuar përherë miqtë dhe kolegët e mi këngëtar për të qenë pjesë e aktiviteteve ose koncertit të përvitshëm të DSA (Down Syndrome Albania), kjo sepse ne mundemi të ndihmojmë me muzikën tonë, ti bëjmë këta fëmijë të lumtur dhe ata janë kaq të dashur dhe kaq të mirë sa une i dua me të vërtet shumë. Me sindromën down, unë personalisht jam njohur në një moshë të vogël, sepse ne kemi pasur rreth nesh dikë që kishte sindromën down dhe kam parë sesi gjatë viteve, ai u bë një njeri i përgjegjshëm dhe njësoj si të tjerët me ndihmën e familjes dhe shoqërisë.
Me çfarë jeni e angazhuar momentalisht?
Ky ka qenë një projekt për të cilin kemi punuar shumë këto kohë për ta organizuar, menduar e pastaj realizuar. Tani do të bëj ca ditë pushime deri sa të përfundoj video, dhe bashkë me Kamelën do merremi pastaj me shpërndarjen dhe reklamimin e duhur. Planet e tjera pastaj do vinë me vonë, me qetësi dhe kohën e duhur.
Ndonjë projekt tjetër të afërt muzikor?
Këmbëngulja juaj po më bën të iu them që kam dëshirë të realizoj një këngë për një nga festivalet e fundvitit. Megjithatë, asgjë nuk mund të zyrtarizohet derisa të realizohet. Ka punë, nuk është kaq e thjeshtë.

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF