Erlind Zeraliu, Princi i Operas - Busull
KreuBusull

Erlind Zeraliu, Princi i Operas

Karriera e tenorit, mes dyzimit për të zgjedhur teknologjinë apo muzikën, aplikimin e vonuar në konkursin e Liceut, deri në momentin e ngjitjes në skenë

Plot pesëmbëdhjetë vjet më parë, kur ishte vetëm 22, ai do të hynte nën lëkurën e princit Jamadori në operën “Madame Buterfly”. Me një pamje sharmante, kaçurrelat që i ridhnin mbi ballë dhe një zë potent, Erlind Zeraliu do të tregonte se nuk kishte asnjë dyshim, që ai ishte vendi që i takonte si tenor, mes shumë të tjerësh, që kishin ikur dhe ardhur deri atëherë në Teatrin e Operas dhe Baletit. Tani, kur kthen kokën pas, gjithçka mund të duket më e qetë, por Erlindi nuk e mohon se në fakt nuk ka qenë aspak e thjeshtë, duke mos e mohuar se përtej pasionit, i janë dashur edhe shumë sakrifica. CV-ja e tij artistike arrin në rreth 40 shfaqje, nga Carmen te Traviata, Tosca apo Turandot, Aida dhe Otello, por kur kujton sesi jeta e tij ndryshoi plot 360 gradë, e kupton se ndoshta nuk do të ishte aty ku është sot, nëse e motra nuk do ta kishte nxitur për të qenë pjesë e karrierës si tenor. Erlindi tregon se pasioni për këngën nisi në moshë të vogël, por ishte rastësia ajo që e çoi drejt skenës. I dyzuar mes studimeve për teknologjinë, një degë që e ka pëlqyer gjithmonë dhe pasionit dhe dashurisë për këngën, ishte motra ajo i dha drejtim gjithçkaje, sepse e dinte se fuqia e tij qëndronte pikërisht tek zëri. Kujton se vetëm tre javë para fillimit të audicioneve, ai aplikoi për të qenë pjesë e konkursit të pranimeve në Liceun Artistik. E motra kishte vulosur fatin e tij: Erlindi, zuri vendin e parë. E pikërisht fill pas regjistrimit në Liceun Artistik, jeta e tij kishte hyrë në rrugën e bukur, por me sakrifica të shumta të artit, në të cilën vazhdon edhe sot. Nuk e mohon se ato sakrifica shpesh shumëfishohen në një vend të vogël si Shqipëria, sidomos kur flitet për artin dhe muzikën lirike. Por ai nuk hoqi dorë nga dashuria e tij e parë.

Shumë shpejt zëri i tij do të binte në sy të emrave të mëdhenj të muzikës lirike, madje pa mbaruar Akademinë e Arteve do të kishte fatin të ngjitej në skenën që kishte ëndërruar, atë të Teatrit të Operas dhe Baletit. “Ajo skenë dhuron shumë emocione, sepse nuk është aspak e lehtë të jesh aty. Është teatri i vetëm i Operas në të gjithë Shqipërinë, aty janë ngjitur emra të famshëm nga vendi dhe bota, ndaj duhet të isha i përgatitur shumë mirë për të përfaqësuar veten denjësisht”, thotë Erlindi.

Kujton ende sesi ka kaluar periudha të vështira, kur ende student kishte patur fatin të ngjitej në skenën e TOB, por ama fill pas provave i duhej të vraponte në Akademi për të mos humbur aty orët e leksioneve. Pavarësisht vështirësive, ja doli, jo vetëm të performonte në mënyrën më të mirë me rolin e e tij parë, por edhe të diplomohej.

E pikërisht skena i dha atij mundësi të njihte njerëz specialë, që do t’i ndryshohin kryekëput jetën. Kujton operën “Lucia di Lammermoor”, ku në skenë njohu edhe shoqen e tij të jetës me të cilën tashmë ka krijuar familje. “Kur doli para meje, – thashë mos është ndonjë e huaj”. Aty ata shkëmbyen fjalët e para, e pak më vonë i premtuan njëri – tjetrit në altar dashurinë e përjetshme. Duke buzëqeshur shton se kur diçka është e shkruar, atëherë do të ndodhë. “E njoha nëpërmjet skenës. Ajo  është një artdashëse e madhe, një mbështetje e vazhdueshme në jetën time, duke më ndihmuar çdo ditë. Është fat që e kam në jetën time. Sepse nuk është e thjeshtë të jesh bashkëshortja e një këngëtari. Jeta e tyre është plot sakrifica, një arsye pse bota e vlerëson muzikën lirike, sepse nuk është e lehtë të bësh art”, thotë ai.

Tashmë familja e Erindit është rritur, ai është babai i një djali të quajtur Alvi, të cilin e cilëson si më të shtrenjtin e jetës së tij. Pavarësisht ditës së tij intensive, gjen gjithonë kohë për të birin, me të cilin përpiqet të kalojë sa më shumë kohë të jetë e mundur. Por edhe pse ai është tashmë një artist i konsoliduar i skenës së Teatrit të Operas dhe Baletit, pesë vitet e ardhshme të jetës së tij, dëshiron ta shikojë veten gjithmonë dhe më shumë në skenë.

Tags:

Home Dossier

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF