KreuFashion

Një udhëtim në botën e verës

Nga Aristela Anagnosti

Sot do të bëjmë një udhëtim ndryshe nga udhëtimet e zakonshme, do të shkojmë në botën e madhe të pijes shekullore të cilën grekët e këmbenin me metale të çmuara, ndërsa romakët me skllevër. Do të flasim për botën plot detaje dhe klas të verës. Të flasësh rreth kësaj pijeje është pak e vështirë, sepse je në dilemë se me çfarë do ta nisësh në fillim. Përtej të gjithë dilemave, unë zgjodha ta nis me veprimin e parë që bëhet sapo krijohet kontakti me verën, dhe ai është degustimi. Degustimi realizohet duke “zgjuar” tri shqisat që janë sytë, hunda dhe gjuha.
Gjatë kohës që ndjejmë aromën dhe shijen e verës nuk duhet të harrojmë që gotën ta mbajmë në bazën e saj, duke shmangur kontaktin me verën dhe duke e lënë të jetë për një kohë më të gjatë e freskët. Freskia dhe shija e verës duke u shërbyer së bashku me ushqimin na afrojnë një aromë të tretë, përveç asaj që kanë veçmas. Dhe meqënëse jemi tek shërbimi i verës duhet të kemi parasysh që verërat e lehta shërbehen para atyre të fortave, vera e bardhë para asaj të kuqe, vera e re para asaj më të vjetrës dhe vera e thartë para asaj më të ëmbël.
Në listën e llojeve të verave nuk duhet të harrojmë të përmendim dhe verën “Eiswein” e krijuar nga gjermanët me rrush të ngrirë. Sigurisht që nuk bëhet fjala për rrush të ngrirë në frigorifer, por për ngrirje natyrale në pemë nga i ftohti i klimës gjermane. Kurse anglezët përdorin termin “dry” që do të thotë e thartë për të treguar spumanten në të cilat mbetjet e sheqerit nuk janë të përceptuara direkt në shije.
Për verërat italiane nuk duhet të lëmë pa përmendur katër kategoritë në të cilat ato klasifikohen. Do e nisim nga kategorija më e ulët: V.D.T (vino di tavola), kjo lloj kategorie përfshin verërat e tavolinës të prodhuar në mënyrë amatore. I.G.T (indicazione geografia tipica), përdoret për të treguar cilësinë e lartë ose klasin e verërave që identifikohen nga vendi i tyre i prodhimit si Super Toskan. D.O.C (denominazione di origine controllata) janë verëra që kanë regulla strikte, por mund të gjenden shpesh. E fundit, D.O.C.G (denomonazione di origine controllata e garantina) janë rregulla më strikte sesa D.O.C .
Vera testohet në një komision, ku garantohet autenciteti gjeografik dhe cilësia. Janë të pakta verërat që mbajnë këtë lloj klasifikimi. Pavarësisht origjinës së tyre verërat bashkohen në disa pika me njëra tjetrën. Verërat e kuqe me kalimin e viteve e humbasin ngjyrën e tyre fillestare duke u kthyer në ngjyrë tulle. E kundërta ndodh me verërat e bardha të cilat fitojnë ngjyrë duke u kthyer në ngjyrë ari e disa në ngjyrë të verdhë gati në kafe. Një tjetër pikë e bashkimit të tyre është edhe koha sesa durojnë pasi janë hapur.

– Vera me gazë duron në frigorifer nga 1 deri në 3 ditë duke i vendosur një tapë për të mos i ikur gazi.
– Vera e kuqe duron duke e lënë në një vend të errët edhe duke i vendosur tapë nga 3 deri në 5 ditë.
– Vera e trëndafilit duron me tape, duke u vendosur në frigorifer për 5 deri në 7 ditë.
– Vera e bardhë e hapur duron gjithashtu për 5 deri në 7 ditë në frigorifer, por pa harruar ti vihet tapa.
– Vera e bardh e plotë në ngjyrë duron për 3 deri në 5 ditë, duke u lënë në frigorifer me tapë.
– Vera e vendosur në kutinë e kartonit duron për 28 ditë, duke u vendosur në frigorifer.
– Vera e likerave, ajo lloj verë që është bërë pije tjetër duron për 28 ditë, duke u lënë me tapë në një vend të errët.

Vera, kjo pije delikate e dhuron edhe më mirë shijen e saj për provuesin, nëse ajo është shërbyer në temperaturën e duhur.

– Verërat me gaz shërbehen midis temperaturës 7.5- 8.5 celsius.

– Verërat e lehta të bardha shërbehen midis temperaturës 7.5-9 celsius.

– Verërat e plota të bardha shërbehen midis 9-12 celsius.

– Verërat e lehta të kuqe shërbehen midis temperaturës 12-15 celsius

– Verërat e plota të kuqe shërbehen midis temperaturës 15-18 celsuis

Pas temperaturës një detaj që plotëson edhe më shumë verën është gota më të cilën shërbehet, ndaj po u tregojmë format e gotave më poshtë.

Këtë “udhëtim” duke kaluar e duke prekur disa nga pikat dhe faktet e verës duam ta mbyllim duke u shuar një dilemë. Dilema që çdokush mund të ketë se sa më e vjetër të jetë vera, aq më e mirë është, ja ku po u themi që sipas studimeve rezulton se vera maturohet maksimumi deri në 10 vite. Më pas ajo mund të ruhet, por nuk fiton cilësi të tjera.

 

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF