KreuArt

Manjola Nallbani nxjerr fustanin historik 23-vjeçar  

Ajo përveçse një nga zërat më të mirë të muzikës shqiptare, njihet edhe për klasin e saj në veshje por edhe në qëndrimet e saj. Stili i Manjola Nallbanit , ka tërhequr gjithmonë vëmendje në eventet në të cilat ka marrë pjesë. Por ka një moment që me siguri ka mbetur në memorien e të gjithëve ne, jo vetëm për këngën e mrekullueshme “Kur e humba një dashuri” që fitoi çmimin e parë në Festivalin e 32-të të Këngës në RTSH, por edhe për veshjen e saj të veçantë sidomos për atë kohë. Ishte viti 1993, dhe fustani me mëngë të gjata i zi në pjesën e sipërme, dhe me nuancat gold dhe palat klasike në pjesën fundore, nuk mund të mos binte në sy. Aq sa shumë prej nesh e kemi memorizuar atë moment dhe e identifikojmë këngëtaren edhe me të. Ditën e djeshme, në emisionin e pasdites të Rudina Magjistarit, Manjola Nallbani si e ftuar speciale, përpos të tjerave prezantoi edhe tre fustane të saj nga “Koleksioni i fustaneve ndër vite të Manjola Nallbanit”. Ai me të cilin Manjola ka një lidhje të veçantë shpirtërore, është fustani historik 23-vjeçar që ajo ka veshur gjatë Festivalit të 32-të në RTSH, në të cilin ajo ishte fituesja e çmimit të parë…

“Ka qenë një fustan shumë i shtrenjtë për kohën, pas të cilit u fiksova në një farë mënyre dhe e bleva. Edhe nëse e vesh tani ai nuk duket i dalë mode” – u shpreh këngëtarja.

 

Përpos tij, ajo prezantoi edhe dy fustane të tjerë të cilët i ka veshur në eventet e mëvonshme. Njëri prej tyre është realizuar nga stilistja Enada At Nikolla dhe është një përzierje e klasikes me detaje të veçanta tipike që stilistja përdor. “Jam ndier shumë mirë më të, madje e përdor edhe në vende të tjera”- tregoi Manjola. Me këtë fustan Manjola Ka marrë pjesë në eventin muzikor “Kënga Magjike 2013”.

 

Fustani tjetër, edhe ky shumë i pëlqyer nga këngëtarja është realizuar nga stilistja Rezarta Skifteri, dhe e ka veshur me rastin e recitalit muzikor të realizuar në Klan me tenorin Kastriot Tusha, në të cilin Manjola ka kënduar këngën tiranase “ O moj e vogël”.

 

Manjola në intervistën me Rudinën rrëfeu një tjetër detaj të këndshëm në lidhje me fustanet. Këto veshje kanë edhe disa admiruese të vogla, të cilat luajnë, i veshin dhe kënaqen me to. Janë vajzat e saj dhe shoqet e tyre. “Ua jap fustanet dhe u them, luani kënaquni me to”- tregon këngëtarja që duket edhe në këtë shfaqje televizive të sajën, në formë të shkëlqyer. Ashtu siç edhe Rudina ka zgjedhur ta quajë këtë pjesë të emisionit dedikuar asaj: “Manjola Nallbani, këngëtarja pa moshë!”

                                                                                                 

/Bordo/ Anila Dedaj

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF