KreuArt

Robert Ndrenika feston 75-vjetorin, flet miku i ngushtë

NGA ANXHELA DEVOLE

Mjeshtri i madh i kinematografisë shqiptare, por edhe i roleve në teatër, Robert Ndrenika, feston 75-vjetorin e lindjes. Modest, mjaft bashkëpununues me aktorët e rinj me të cilët punon dhe unik në llojin e tij. I madhi Robert Ndrenika, rolin debutues në kinematografi e ka patur në filmin e regjisorit Hysen Hakani “Oshëtimë në bregdet” në rolin e Gjergjit, për të vazhduar më pas me role të tjera që u kthyen në më të dashurat për publikun. Regjisori Ilir Harxhi, i cili ka bashkëpunuar dy herë me Ndrenikën, veçon disa nga cilësitë e tij, që e bëjnë aktorin më të preferuar të shqiptarëve.

“Është nga aktorët më të disiplinuar që kam njohur, më profesionist dhe mbi të gjitha përshtatet me të gjithë. Ndihmon shumë aktorët me të cilët punon dhe përshtatet shumë mirë me të gjitha nivelet. Regjisorët e kërkojnë shumë, për të luajtur shumë karaktere, por ai në fund të fundit është shumë selektiv dhe po të shihni në gjithë krijimtarinë e tij, ai nuk ka pothuajse fare role të ngjashme”, shprehet Ilir Harxhi.

Robert Ndrenika është ndër të paktët aktorë që njihet nga të gjithë brezat dhe admirohet prej tyre. Në lojën e tij aktoriale dallohet për vërtetësinë dhe ndërtimin e figurave komike me karakter popullor.

Por çfarë mendojnë qytetarët për Ndrenikën? Ja disa mendime dhe urime për të:

“Respekt për aktorin e madh. Mbetet legjenda e artit tonë. Iu shtoftë jeta, edhe 100 të tjera.”

“I urojmë aktorit tonë të madh edhe 100 të tjera. Le të ketë jetë sa më të gjatë në kinematografi dhe midis nesh. Kam mendim absolut. Është një ndër aktorët më të mirë që kemni dhe është fat që e kemi midis nesh.”

“Është një nga aktorët më të mëdhenj që ka pasur dhe do të ketë gjithmonë kinematografia shqiptare.”

Një jetë të tërë në kinematografi dhe teatër. Së fundmi, ai luan edhe te filmi me metrazh të gjatë “Tuneli” i regjisorit Ilir Harxhi. Ky i fundit na tregon lidhur me këtë bashkëpunim dhe komoditetin që i ofroi Ndrenika gjatë xhirimeve.

“Ka luajtur shumë në teatër, ka luajtur shumë në kinema dhe në të dyja këto fusha, sepse secila ka specifikat e tyre, kudo është shquar. Është shquar për profesionalizëm dhe mbi të gjitha për krijimin e figurave që mbahen mend gjatë. Është aktori më fantastik që unë kam njohur. Kam bashkëpunuar në dy filma me të, para disa vitesh në një film dokumentar “Dy kohë” dhe së fundi në një film artistik me metrazh të gjatë ku ai kishte një nga rolet kryesorë. Ndihet gjithmonë ajo satira, mënyra se si ai e zbërthen karakterin. Për mendimin tim është fat që e kam mik dhe ka qenë fat që kam punuar me të. Përpos bashkëpunimit kemi edhe miqësi të ngushtë. Meqënëse kjo intervistë bëhet për 75-vjetorin e tij, në radhë të parë i uroj shëndet, shëndet, shëndet… sepse të gjitha të tjerat ai i ka! I uroj edhe krijimtari të mbarë, sepse ai është në kulmin e pjekurisë”, ka përfunduar regjisori, Ilir Harxhi.

“Horizonte të hapura”, “I teti në bronx” “Rrugë të bardha”, “Koncert në vitin 36”, “Një shoqe nga fshati”, “Përrallë nga e kaluara” e shumë të tjerë. Janë pikërisht karakteret në këto filma që e kanë shndërruar  në ikonë të kinematografisë. News 24 i bashkohet urimeve për aktorin e madh, Robert Ndrenika./BalkanWeb.com

 

 

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF