KreuBusull

Garë edhe në fundvit, si do ta festojnë televizionet ardhjen e 2018-tës?

Le ta pranojmë: sa herë festojmë në shtëpi së bashku me familjarët apo të afërmit, një nga temat kryesore është edhe programacioni në televizion. Të gjithë e kemi të paktën një anëtar në familje që pikërisht në natën e ndërrimit të viteve, nuk e ndan pultin nga dora, duke kontrolluar sa në një kanal, në tjetrin. Madje, nuk ndodh rrallë që numrat në cep të ekranit të lëvizin sa lartë-poshtë, për të gjetur programin më argëtues në ato momente. Dhe kjo nuk është e gjitha.

Pika kulminante është pikërisht çasti kur ora shënon 00:00. Oh, çfarë emocioni! Të gjithë televizionet nxitojnë ta kapin orën në kohë reale, duke sjellë pamje nga sheshi ose duke organizuar një mini-festë në studion e programeve përkatës (tashmë, të regjistruara më parë). Është dilemë, në fakt, për një njeri të apasionuar pas ekranit televiziv, se cilit kanal do t’i besojë si atmosfera perfekte në sfond, kur gotat të trokasin për të bërë ‘gëzuar’! Pikërisht në këtë natë, edhe fansat më besnikë të një emri apo një tjetri, nuk bëjnë tolerime nëse emisionet argëtuese të zgjedhura nga televizionet përkatëse nuk i argëtojnë sa duhet. ‘Çoje tek X-i, se këto qenkan kot këtë vit!’, është zakonisht fraza nxitëse, për të vijuar më pas, ‘Çoje, çoje ku e kishim, so do ketë filluar ndonjë gjë tani!’ Eh, jemi përballur pothuajse çdo vit me këto fraza, ndërsa disa nga emrat më në zë, njëkohësisht dhe konkurrues më njëri-tjetrin, kanë nisur të na përgatisin pak nga pak se ç’duhet të presim nga 31 dhjetori.

KLAN

Televizioni Klan është i vendosur që atmosferën e ndërrimit të viteve të mos e sjellë vetëm në orët e vona të mbrëmjes. Për secilin nga formatet më kryesore në këtë kanal, do të ketë një edicion special, kushtuar vetëm datës së 31 dhjetorit. E nuk mund të kishte gëzim më të madh se për Ardit Gjebrenë dhe fansat besnikë të ‘E Diela Shqiptare’, pasi data e fundit e vitit korrespondon ekzaktësisht me të dielën! Edhe pse Gjebrea bën pjesë tek ata, që sjellin festë edhe pa qenë ndonjë ditë e shënuar, e nesërmja do të shënojë akoma dhe më shumë alegri. Dhe, sa për ‘Telebingo’-n e pandashme të Arditit dhe të programit në tërësi, kemi dëgjuar prej kohësh tashmë që do të ketë surpriza, dhurata e shumëçka tjetër. Kështu, nga ora 13:30, deri në 19:30, stafi i ‘E Diela Shqiptare; do të kujdeset për një puntatë ndryshe.

Vetëm tridhjetë minuta pas kësaj do të na ndajnë nga fillimi i emisionit investigativ ‘Stop’, që si rrallëherë do të jenë në transmetim për rreth gjashtëdhjetë minuta. Duke qenë se edhe në këtë rast po flasim për një edicion special, me siguri Saimir Kodra dhe Gent Zeneli nuk do të kenë pak për të servirur për publikun në dtën përmbyllëse të 2017-tës. Megjithatë, kohëzgjatja na bën jo pak të interesuar me atë çka mund të sjellë ‘Stop’ këtë herë!

Dhe, sa për atë që do të na shoqërojë deri në momentin e famshmën të shënimit të orës 00:00, Klan ka menduar që atmosferën ta mbushë plot me muzikë e hare. Nëse ju kujtohet, të dielën e shkuar, Marina e përmbylli “Ces’t La Vie” me frazën: “Shihemi natën e Vitit të Ri!” Dhe jo më kot, pasi nga ora 21:00, e deri më 00:00, formati muzikor, momentalisht i vetmi në Klan, do të na shoqërojë me këngë dhe një frymë festive, siç meriton edhe nata e ndërrimit të viteve.

Ndërsa, ‘Xing me Ermalin’, me të ftuar special si Ilir Meta dhe vajza e tij, Era, do të transmetohet sot në mbrëmje, për të përmbyllur këtë sezon të programit të Mamaqit. Me aq sa kemi parë nga reklama, pjesa e dytë do të ketë të tjerë të ftuar, si: Blerim Destanin, Noizy-n etj.

TOP CHANNEL

Formula e preferuar e Top Channel për festimin e kësaj mbrëmje të veçantë është ‘Portokalli’. Çdo fundviti, për hir të natës speciale, spektakli i humorit vendos një tjetër emër, që kryesisht lidhet edhe me ngjarjet më pikante të vitit, në aspektin politik. Këtë herë, ‘Portokalli’ do të shndërrohet në ‘Parcela 400’, që me siguri lidhet me lajmet e bujshme të shkatërrimit të parcelave me kanabis përgjatë 2017-tës. Ndoshta i referohet dhe një teme krejt tjetër, por duke marrë paraysh natyrën e spektaklit, që luan shpesh me fenomene të tilla, emri të shtyn të arrish në të tilla përfundime. Siç mund dhe ta dini tashmë, stafi i këtij formati humori kujdeset që transmetimi të vijojë deri në orët e para të mëngjesit.

Kështu, nga ora 21:00, e deri në momentin e ndërrimit të viteve, aktorët dhe moderatorët kujdesen që të sjellin vetëm humor, duke ndryshuar plot personazhe ose situata, për t’ia përshtatur si duhet 31 dhjetorit. Në çastin kur në çdo familje ngrihen gotat për dolli, atëherë kur dëgjojmë fishekzjarre në sfond, ‘Portokalli’ kujdeset që të bëjë një numërim prej së prapthi, për të pritur orën 00:00. E gjithë atmosfera shoqërohet me një këngë, që këndohet nga stafi i spektklit, ndërsa Top Channel mundëson lidhjen ‘live’ me qendrën e Tiranës, për të mundësuar pamje nga atmosfera e krijuar me njerëz e fishekzjarre.

Pas kësaj, teleshikuesit mund t’i ndajë pak momente publicitet nga ‘Portokalli’, duke u kthyer më pas me të njejtën frymë humori, deri në orët e para të mëngjesit. Një formulë e till është tashmë e pandryshuar në Top Channel, e mesa duket, rezultatet kanë qenë aq të arritshme, sa askush nuk ka menduar të bëjë një tjetër lloj forme argëtuese në natën e ndërrimit të viteve.

TVSH

Duket në fakt si një referim ndaj mostalgjikëve, por ndoshta askujt nuk do t’ia merrte mendja që pikërisht më 31 dhjetor, konkurrenti i Top-it do të ishte (jetëgjati) Televizioni Publik Shqiptar!  Mbrëmja e ndërrimit të viteve nuk do të zgjasë pak në TVSH. Madje, organizatorët kanë premtuar katër orë spektakël humori, nën drejtimin e dy emrave të dëgjuar si Romir Zalla dhe Ervina Kotolloshi. Mesa duket, TVSH nuk mund ta cilësojë një natë ‘festive’, pa praninë e notave komike për publikun. Dhe, emrat e lartpërmendur nuk do të jenë të vetmit që do të ngjiten në skenë!

Plot aktorë humori, nga më të vjetrit e deri tek më të rinjtë, janë bërë pjesë e ‘Ti je festa ime’ të TVSH-së. Përpos inskenimeve, do të shohim edhe ‘stand up comedy’, ashtu sikurse artistët pjesëmarrës i njohim fare mirë. Zef Deda, Zyliha Miloti, Zamira Kita, Marjana Kondi, Elvis Pupa, Gent Hazizi etj., do të jenë performuesit dhe fryma e humorit në ‘Ti je festa ime’. Ndonëse kjo formë argëtuese zgjat katër orë, TVSH është kujdesur që të sjellë një tjetër atmosferë pas mesnate.

Data 1 janar do të zbardhë, si çdo vit, nën tingujt e Koncertit Tradicional të Vienës. Është pikërisht Televizioni Publik Shqiptar ai që sjell si i vetëm një nga ngjarjet më madhore kulturore të vitit, veçanërisht për të apasionuarit pas artit në tërësi. Transmetimi i Koncertit fillon në orën 11:15, ndërsa një tjetër emër shqiptar që do të na bëjë të krenohemi në fillim të 2018-tës është Eno Peçi, shqiptari që do të përfaqësohet si balerin i parë në pjesët e baletit gjatë këtij eventi.

Mesa duket, mbrëmja e nesërme, meriton më shumë se një televizor në dhomë…!

Tags:

Home Dossier

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF