KreuArt

Teatri Metropol sjell “Natën, ma”, drama fituese e çmimit Pulitzier

“Natën, Ma”, drama fituese e çmimit Pulitzer dhe e çmimit të Teatrit Botëror nga autorja Marsha Norman vjen si produksion ekskluziv dhe premierë absolute e Teatrit Metropol këtë fundjavë në skenë.

“Natën, Ma” është përzgjedhur për t’u vënë në skenë nga bordi artistik i Teatrit Metropol në kuadër të sezonit artistik kushtuar tërësisht femrës, pas shfaqjes “Qiell i Heshtur” për të vijuar me “Natën, Ma” dhe më pas me shfaqjen “Ditari i Ana Frank”.  Vepra mban regjinë e Ema Andreas dhe me interpretimin e shkëlqyer të aktores nga kosova, fituese të shumë çmimeve Ilire Vinca dhe aktores së teatrit dhe kinematografisë shqiptare Egla Cenos. Drama e Norman është një vepër e fortë emocionale, e cila vjen në skenë  nëpërmjet një interpretimi të mrekullueshëm të dy aktoreve.

Si do ndihej një nënë nëse fëmija i thotë qartë, ftohtë, vendosur, me bindje dhe pa emocion që mbrëmja që po kalojnë bashkë, është mbrëmja e fundit? Që kur të thotë natën e mirë, do hyjë në dhomën e vet dhe do vrasë veten? Vepra tregon fatin e një nëne, Themlës rreth të 50-tave dhe  së bijës së saj, Xhesit rreth të 30-tave. Xhesi është një grua e divorcuar që jeton me mamanë e saj. Asgjë deri tani nuk i ka ecur siç duhet, ndaj ajo ndjehet e humbur, ku vuan njëkohësisht nga depresioni kronik. Në një mbrëmje në dukje të zakontë, midis bisedës për manikyrin dhe pazarin e javës, papritur Xhesi zbret nga papafingoja me pistoletën e babait të saj. Ajo me qetësi i komunikon të ëmës një vendim të rëndësishëm që do të ndryshojë jetët e të dyjave. Në orën në vijim zbulohet e jashtëzakonshmja brenda jetës rutinë, urgjentja brenda normalitetit, dëshpërimi brenda dashurisë.

Diskutimi kritik rreth kësaj vepre është përqëndruar në çështjen e vetëvrasjes në shfaqje, por gjithashtu është debatuar edhe për trajtimin feminist të saj. Të tjerë e lavdërojnë atë për të nxjerrë në pah luftën e grave si Thelma, për të hequr dorë nga mbajtja e fëmijëve të rritur. “Ne të gjithë i humbim fëmijët,- thotë Norman, një nënë e dy fëmijëve, – ju mendoni se për një jetë ata ju përkasin juve, por në të vërtetë janë vetëm të marrë borxh”.

Shfaqja do të jetë në skenë në datat  20, 21, 22, 25, 26, 27, 28, 29 Prill, 2, 3, 4, 5, 6 Maj, ora 19:00 në Teatrin Metropol.

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF