KreuCelebrity

“Një kat më Lart” me Ermal Peçin: Lidhjet me vajzat e ekranit më kanë bërë me dhimbje koke

Nga Brunilda Kazani

Tek ai vlerësojmë dashurinë me të cilën punon, gjë që e reflekton padyshim edhe tek publiku. Nuk ka moderator, që i shijon aq shumë intevistat e tij sa Ermal Peçi. Luan, bashkëbisedon me të ftuarit, qesh pa fund, duke lënë një shije të mirë tek ata që e shohin, të cilët marrin gjithçka nga një  intervistë.

“Një kat më lart”, është emisioni që ai drejton prej prej pak kohësh në “IN Tv”, një titull simbolik, por që në vetëvete tregon edhe qëllimin që ka Ermali, si edhe stafi që qëndron në prapaskenë; të jetë “Një kat më lart”, krahasuar me emisionet e tjera të pasditeve. Për Ermalin, një gjë e tillë, është arritur, por kjo nuk do të thotë që do të ndalet së punuari. Kjo i jep më shumë forcë për të vijuar që të punojë edhe më shumë, për të sjellë tek audienca atë çfarë ata meritojnë me të vërtetë, dhe jo të shesë për sukses diçka që nuk është e tillë.

Moderatori është ndalur dhe na ka rrëfyer gjithçka në një intervistë ekskluzive për revistën BORDO, duke nisur që nga mënyra se si i përzgjedhë të ftuarit, sa kohë i duhet të përgatitet përpara një interviste, por edhe për raportet dashurore me vajzat e ekranit, të cilat mesa duket për Ermalin kanë rezultuar me shumë “dhimbje koke”.

Faleminderit që pranove intervistën për Revistën BORDO. Si fillim, si po të shkon puna, përgatitjet për emisionin?

Faleminderit juve! Duke punuar jam aktualisht. Kur një krijesë e jotja rritet çdo fundjavë dhe merr vëmendjen e të gjithëve, duhet të përpiqesh që gjithçka të shkojë mirë në vijëmsi. Nuk e mohoj dot që jam i lumtur që ‘Një kat më lart’ është kthyer në shtëpinë e preferuar të fundjavës, e thonë njerëzit, ndjekja e tyre e përkthyer në audiencë, hapësira e pakufi frekuente në çdo portal shqiptar e shqipfolës… ndaj puna vijon cdo ditë vrullshëm për fundjava akoma më të vecanta.

Kur deklarove kohë më parë se do të kesh një emision tëndin në In Tv që quhet “Një kat më lart”, pyetja e parë që na shkoi ndërmend ishte pse “Një kat më lart”, cila është domethënia e tij?

Titulli është një simbolikë e bukur me atë që programi ka pasur synim që në krijim dhe që nga javët e para të nisjes filloi ta konkretizoj… të jetë ‘Një kat me lart’.

Sa kohë të merr përgatitja përpara intervistave?

Nuk është vetëm pozita e shtëpisë sime ‘Një kat më lart’ aty ku mblidhen të ftuarit, por edhe brendia e intervistës, dhënies peshë fjalës në talk-show, përmbajtjes së asaj që thuhet, që përcillet. Ka një shkëputje të ndjeshme nga programet që bëhen përreth, në kohën ku çdo kush që merr një hapësirë televizive e shfrytëzon atë në mënyrën me mediokre dhe e shet për sukses!! Jo…s’është kjo që unë dua,  ndaj dhe shumë të ftuar që kanë pranuar të vijnë tek unë, që kanë ndarë rrëfime ekskluzive, e dinë… e kanë kuptuar diferencën ‘Një kat me lart’. Nga java në javë dëgjoj versione shumë të bukura nga shikuesit për titullin dhe më pëlqen që energjia e tyre është kaq pozitive. Ka shumë arsye pse është ‘Një kat më lart’.

Puna jote ka të bëjë me VIP-at, si është marrëdhënia me to? Sa e vështirë është t’i kesh në studio?

Së pari në program vijnë personazhet që më ngacmojnë, që më ndezin në mendje 100 pyetje sa here i shoh apo dëgjoj. Menjëherë pas dakortësimit për ardhjen e tyre, gjithë koha është për ta. Nuk dua që askush të përsëris veten në programin tim,ndaj s’le gjë pa lexuar e parë nga aktivitetet e tyre.

Cili është ai personazhi që e ke ftuar shumë shpesh, por nuk ka ardhur, për arsye të ndryshme?

Vitet e mia në ekran më kanë ndihmuar të kem raporte të vazhdueshme e shumë të shëndetshme me një pjesë të madhe të personazheve në vend. Vështirësia mund të ndihet për të gjetur kohën e duhur për t‘u rishfaqur personazhi në studio, atëherë kur ka ngjarje e zhvillime nga jeta artistike e personale.

A ka pasur personazhe që nuk kanë ardhur në emision, vetëm sepse i kanë dashur pyetjet paraprakisht?

Unë e di që ju doni emra, por për aq kohë sa puna ime varet nga raportet me ta, sigurisht që një zhurmë një ditore në portale nuk vlen aq sa një raport i shëndetshëm. Vajzat e ashtuquajtura të Instagramit, ato që kanë shumë ndjekës nga hiret apo pozat e tyre seksi, janë gjithmonë kapricoze. Jo për fat s’më ka ndodhur të anullojnë ftesën për shkak të pyetjeve paraprake.

Cila ka qenë intervista që të ka mbetur në mendje, që nuk do e harrosh kurrë?

Njerëzit e lidhin ‘Një kat më lart’ më shumë ngjarje sa ekskluzive, aq edhe argëtuese. Për fat në kohën e mediave online, prezenca e programit në to çdo fundjavë e ka çuar më afër programin me këtë audiencë. Unë di të them tani cdo detaj të mundshëm nga të gjitha intervistat, ndaj vështirë t‘i ndaj.

Personazhi që nuk do e ftoje kurrë?

Jam drejt asaj rruge për nja dy emra…

I shijon me të vërtetë kaq shumë sa duket intervistat e tua…

Faleminderit, e di sa veta ma thonë? Po i shijoj, sepse i jepem gjithçkaje maksimum. Që nga mendimi se kë dua të kem, dedikimi ndaj jetës së tyre, përgatitjes së bisedës, lojrave, surprizave… si mund të mos e doja nëse  s’do bëja kaq shumë?

Çfarë është fama për ty? A e ndjen veten i famshëm?

-Fama? Një rezultat i të qenurit në ekran. Për fat, puna ime vërehet nga ndjekësit çka bën diferencën nga punët e zakonshme, por fama është për mua ende një nocion që në Shqipëri mbetet larg asaj që ndodh me të njëjtët kolegë në rajon e më gjerë. Sigurisht që e ndjen në shikimet e njerëzve, ndalesat e tyre, përshendetjet e veçanta, ndjesi e bukur.

I ke ndjekur moderatorët e tjerë të rinj, cili prej tyre të pëlqen më shumë?

-S’ka nocione i ri, i vjetër për mua. Në këtë treg, ende rrëmujë, ja del gjithmonë ai/ajo që punon, që e di çfarë fuqie ka në dore dhe që e përdor ashtu siç duhet, pa e bërë pis qëllimisht për disa vëmendje mediokre që në fund, koha e ka treguar, të çojnë drejt fundit. Unë ndjej që ka një sforcim të madh për të qenë ‘ndryshe’ çka s’ka rezultuar kështu.

Nëse nuk do ishe bërë pjesë e ekranit, me çfarë mendon se do ishe marrë?

-Patjetër dicka që ka të bëj me produksionet, me mediat sociale, me platformat online…

Diçka nga jeta jote personale…a je në një lidhje për momentin? Nëse po, është edhe jo pjesë e botës së TV?

Jo nuk jam në një lidhje serioze apo të shëndetshme. Lidhjet me vajzat e ekranit më kanë rezultuar me shumë dhimbje koke.

Cilat janë planet e tua më të afërta, qëllimet që ia ke vendsur vetes për t’i arritur brenda një periudhe të shkurtër?

Unë jam gjithmonë me këmbë në tokë, pas çdo suksesi në këto vite televizion, vijoj të bëj atë që dua e të planifikoj më të mirën.

Çfarë duhet të presim nga Ermali, a ke ndonjë projekt të ri me të cilin po merresh, apo për momentin i je dedikuar emisionit “Një Kat me Lart”?

E sigurt që puna ime, ajo që bëj do të flas sërish!! Ju përshëndes e ju falenderoj për kohën!!

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF